Shqipëria renditet e 66-ta në botë dhe e 35-ta në Europë për lirinë ekonomike në 2021

Nga Exit News
Shqipëria renditet e 66-ta në botë dhe e 35-ta në Europë për lirinë ekonomike në 2021

Shqipëria renditet e 66-ta në botë për lirinë ekonomike në 2021, sipas “Indeskit për Lirinë Ekonomike”. Në këtë rezultat ka ndikuar rënia në të drejtat e pronës dhe efektiviteti gjyqësor.

Raporti vlerëson liritë ekonomike të 178 vendeve në botë. Shqipëria renditet në vendin e 35-të midis 45 vendeve në rajonin e Europës.

Rezultati i saj i përgjithshëm është ulur me 1.7 pikë dhe është  nën mesataren e rajonit, por mbi mesataren e botës, tregojnë të dhënat e Indeksit.

Shqipëria nuk e arriti dot mesataren europiane, por raporti tregon se “qeveria ka arritur të mbajë kontrollin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik”.

Raporti theksoi se për të qenë pjesë e BE, Shqipëria duhet të forcojnë shtetin e së drejtës, të përmirësojë rezultatet e saj për të drejtat e pronës, efektivitetin gjyqësor dhe integritetin e qeverisë.

Papunësia në Shqipëri sipas të dhënave të raportit është 12.3%. Raporti nënvizoi se vendi ka “një rritje të ngadaltë dhe infrastrukturë të dobët, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra të Evropës”.

Sa i takon shtetit të së drejtës, raporti tregon se efektiviteti gjyqësor shënoi vetëm 22.8 pikë nga 100 të mundshme.

Të drejtat e pronës shënuan 46.1 dhe integriteti i qeverisë arriti të merrte vetëm 40 pikë.

Regjistrimi i pasurisë është përmirësuar nga ndihma e donatorëve të huaj, tregon raporti, por shton se regjistri mbetet i paplotë.

“Procedurat e vështira i nënshtrohen ryshfetit”, thotë raporti.

Shqipëria ka një mbrojtje dhe zbatim të dobët  të të drejtave pronësore.

“Gjyqësori i pavarur i nënshtrohet presionit politik, frikësimit dhe burimeve të kufizuara”, thuhet në raport.

Ai gjithashtu vuri në dukje se më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve gjyqësorë u shkarkuan për shkak të “lidhjeve me bandat ose pasurisë së pashpjegueshme”.

Administrata publike është joefikase, e paaftë dhe e korruptuar, vëren raporti.

Liria e punës mblodhi vetëm 50 pikë.  Për më tepër, mbështetja në rritje ndaj partneritetit publik-privat PPP ngre çështjen e ndikimit të shtetit në sektorë të caktuar.

Në vitin 2020, të drejtat e pronës, efektiviteti gjyqësor, liria e punës dhe liria e tregtisë u ulën të gjitha.

Vendi i parë në botë ishte Singapori me 89.7 pikë, i ndjekur nga Zelanda e Re me 83.9 pikë dhe Australia me 82.4 pikë. Vende të tjera të renditura laritshin  Zvicra, Irlanda, Tajvani dhe Britania.

Në fund të listës ishte Koreja e Veriut e ndjekur nga Venezuela, Kuba e Sudani.

Kosova dhe Serbia u renditën më lartë se Shqipëria, por Italia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Turqia u renditën më poshtë.

Çfarë është Indeksi i Lirisë Ekonomike?

Indeksi i Lirisë Ekonomike është renditje vjetore e krijuar në 1995 nga t The Heritage Foundation dhe The Wall Street Journal për të matur shkallën e lirisë ekonomike në shtetet e botës.

Indeksi mbulon 12 pika – nga të drejtat e pronës te liria financiare – në 184 vende.

Liria ekonomike është e drejta themelore e çdo njeriu për të kontrolluar punën dhe pasurinë e tij /saj.

Si matet liria ekonomike?

Liria ekonomike matet bazuar në 12 faktorë sasiorë dhe cilësorë, të grupuar në katër kategori të gjera, ose shtylla, të lirisë ekonomike:

  1. Sundimi i Ligjit (të drejtat e pronës, integriteti i qeverisë, efektiviteti gjyqësor)
  2. Madhësia e Qeverisë (shpenzimet qeveritare, barra tatimore, shëndeti fiskal)
  3. Efikasiteti rregullator (liria e biznesit, liria e punës, liria monetare)
  4. Tregjet e Hapura (liria e tregtisë, liria e investimeve, liria financiare)

Secila prej dymbëdhjetë lirive ekonomike brenda këtyre kategorive vlerësohet në një shkallë nga 0 në 100.

Rezultati i përgjithshëm i një vendi rrjedh nga mesatarja e këtyre dymbëdhjetë lirive ekonomike, me peshën e barabartë që i jepet secilës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>