Shqipëria është kthyer në një pikë të rëndësishme për trafikun e llojeve të ndryshme të drogës dhe për përpunimin e tyre.
Gjatë vitit 2019, në vendin tonë u konfiskuan rreth 5.4 ton drogë, prej të cilave 5.2 ton kanabis dhe rreth 200 kilogramë drogë të fortë, sipas raportit të fundit të Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar Trans-Kombëtar. I vetmi vend i rajonit ku është sekuestruar më shumë drogë është Serbia.
Raporti veçon qytetin e Elbasanit si një nga pikat më të rëndësishme të trafikut të drogave të forta.
Porti i Durrësit është gjithashtu një nga pikat kryesore nga ku hyn kryesisht kokaina, kanabisi dhe heroina.
Në trafikun e drogës në Shqipëri marrin pjesë përvëc bandave të krimit e organizuar, strukturat shtetërore, autoritetet doganore dhe policore, si dhe kompanitë e transportit.
Grupet e organizuara kriminale shqiptare, gjithashtu bashkëpunojnë me ato maqedonase dhe serbo-malazeze në Ballkanin Perëndimor.
Kanabisi
Shqipëria mbetet vend burimi kryesor për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në Evropë. Kanabisi kultivohet kryesisht në malësinë e Dukagjinit, malësinë e Krujës dhe rajonin e Vlorës.
Vlera e shitjes me shumicë e kanabisit është nga 1200-1400 euro për kilogram, dhe mbi 2 mijë euro për kanabisin e ciësisë së lartë të prodhuar në serë.
Rrugët e trafikimit të kanabisit janë:
Shqipëri -Itali: Nisja nga Fieri, Himara ose Lezha drejt Italisë me gomone.
Shqipëri -Greqi: Nisja Qafë Botë, Kapshticë, dhe Kakavijë me rrugë tokësore me Greqinë, ose Shqiperi -Maqedoni e Veriut-Greqi.
Ndërsa një rrugë e tjetër është Mal të Zi (Hani i Hotit) ose në Kosovë nga Kukësi, dhe kalon transit nga Shqipëria për në Itali ose Greqi.
Trafiku i kanabisit në Shqipëri është i rëndësishëm pasi paguhet jo vetëm për transportin por dhe për prodhimin duke qenë se ai kultivohet brenda vendit.
Heroina
Rreth 60-65 tonë heroinë kalojnë në Ballkanit Perëndimor çdo vit.
Në Shqipëri heroina hyn kryesisht përmes Qafë-Thanës dhe Elbasanit, ose nga Kosova.
Në 2 vitet e fundit ka patur rritje të trafikut të heroinës me anije nga Turqia në Shqipëri.
Nga Shqipëria ngarkesat e heroinës trafikohen përmes detit drejt Italisë ose me automjete përmes Hanit të Hotit drejt Malit të Zi.
Një kilogram heroinë me shumicë në Shqipëri kushton 16 500 euro ndërsa konsumatorët vendas e blejnë atë për rreth 20 euro grami.
Zbulimi i laboratorit të heroinës në Has në 2018, ka treguar se në Shqipëri trafikohet opiumi nga vendet aziatike dhe përpunohet në vend.
Kokaina
Ballkani Perëndimor po kthehet në portën kryesore hyrëse për kokainën nga Amerika Latine drejt Europës.
Porti i Durrësit dhe porti i Tivarit në Mal të Zi janë pikat kryesore hyrëse të kokainës në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë vitit 2018 në Shqipëri u kapën nga policia rreth 630 kilogram kokainë ndërsa në vitin 2019 u kapën rreth 144 kg.
Nga Durrësi, kokaina transportohet drejt Malit të Zi përmes Hanit të Hotit ose në Maqedoninë e Veriut përmes Qafë Thanës, e më pas në BE.
Vlera e kokainës e trafikuar në Durrës shkon 25,000-30,000 mijë euro për kilogram. Pasi hyn në tregjet lokale të rajonit vlera e saj rritet, përshembull në Greqi shkon deri në 50 mijë euro kilogrami.
Përpunimi i kokainës ka nisur të bëhet edhe në Shqipëri. Në vitin 2015 në Elbasan u zbulua një laborator I përpunimit të kokainës.
Marrë nga emisioni “Me pak Fjalë”, në Euronews.