Shqipëria, vendi ideal për krimin e organizuar, e kapur nga mafia e drogës

Shqipëria, vendi ideal për krimin e organizuar, e kapur nga mafia e drogës

Gazetarja Adelheid Wölfl, në një artikull për gazetën zvicerane NZZ am Sonntag, e përshkruan Shqipërinë si vendin ideal për bandat që trafikojnë drogë. Gazetarja thekson se në shumë raste, këto banda nuk mund të veprojnë dot pa bashkëpunimin e policisë dhe ngre akuza se policia kontrollohet dhe urdhërohet të bashkëpunojë me bandat nga njerëz më të pushtetshëm.

Exit.al sjell më poshtë përkthimin e plotë të artikullit:

Barinjtë i çuan oficerët e policisë në fushën me kanabis, por zyrtarëve nuk i interesonte kjo. U larguan, duke thënë se ishte veç një fushë e vogël. Skena ndodhi kohët e fundit në afërsi të fshatit malor të Pilurit në jug të Shqipërisë, por mund të kishte ndodhur edhe kudo tjetër në këtë vend.

Shqipëria prodhon 900 tonë kanabis në vit, me një vlerë  prej mbi 5 miliardë frangash zviceriane (4.5 miliardë euro), e vlerësuar nga policia italiane pak vite më parë. Shumica e marijuanës dhe hashashit për tregun evropian vijnë nga Maroku dhe Afganistani.

Megjithatë, në vitet e fundit shumë shtete anëtare të BE-së kanë siguruar kanabis nga Shqipëria, siç thotë Qendra Europiane e Monitorimit për Drogën. Është e vështirë të vlerësohet në tërësi rëndësia e kanabisit shqiptar për tregun europian.

Shteti i vogël i Adriatikut është i përkryer për kultivim: dielli shkëlqen në 218 ditë dhe peizazhi i shtrirë malor ofron shumë mundësi për kultivim të fshehtë. Përveç kësaj, pagat janë shumë të ulëta, gjë që e bën këtë biznes të paligjshëm edhe më tërheqës. Pasojat janë shkatërruese: trafikimi i drogës korrupton shoqërinë. Është e vështirë të qëndrosh i pastër.

Pak gjyqtarë të pastër

Në vitin 2014, më shumë se njëqind tonë marijuanë u konfiskuan në Shqipëri, duke shkatërruar gjysmë milioni rrënjë kanabisi. Dy vjet më vonë, në vend kishte 2.5 milionë rrënjë. Pas aksioneve për asgjësimin e kanabisit, u rrit edhe sipërfaqja e kultivimit të tij.

Qeveria u përpoq t’i paraqiste aksionet e policisë si një sukses kundër trafikut të drogës: në vitin 2014, përmes operacioneve të gjera të policies, Kryeministri Edi Rama i dha fund rritjes së kanabisit në Lazarat. Sidoqoftë,shumë struktura kriminale nuk u prekën.

Komisioni Europian, i cili rekomandoi hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, vlerëson në raportin e e progresit se operacionet policore janë intensifikuar.

“Shqipëria ka luftuar vazhdimisht prodhimin dhe tregtinë e kanabisit në vitet e fundit,” thuhet në raport. Gjithashtu, theksohet se Guardia di Finanza italiane mbikëqyrte nga ajri për sipërfaqet e mundshme të kultivuara: “Gjatë dy sezoneve të korrjes, monitorimi nga ajri ka konfirmuar se në Shqipëri nuk ka pasur asnjë kultivim të kanabisit.”

Megjithatë, ky vlerësim është në kundërshtim me Strategjinë  e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve të Departamentit të Shtetit, të publikuar në mars. Raporti nënvizon se korrupsioni pengon luftën kundër krimit të drogës në të gjitha nivelet e qeverisjes, ndërsa trafikantët e drogës veprojnë me lehtësi dhe pa u pandëshkuar.

Papunësia e lartë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një mjedis ideal për krimin e organizuar. Megjithatë, reforma gjyqësore – një projekt që nuk ka ndodhur kurrë më parë në këtë mënyrë – përmendet pozitivisht. Prej dy vitesh po kontrollohen të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, në veçanti të ardhurat e tyre.

88 nga 140 prej tyre janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqje, sepse nuk kanë mundur të justifikojnë  pasuritë. Pastrimi i gjyqësorit ka krijuar kaos. Gjykatat më të larta janë jofunksionale prej muajsh, pasi numri i madh i gjykatësve të nxjerrë jashtë sistemit ende nuk është plotësuar. Rastet e rëndësishme mbeten të pashqyrtuara.

Këtë prill, u konfiskuan një ton e gjysmë kanabis dhe dy skafe, dhe u arrestuan pesë shqiptarë dhe dy grekë. Korrierët përdorin skafe të shpejtë, por edhe avionë të vegjël për të sjellë drogën në Korfuz ose Itali, dhe shpesh e shtrijnë  biznesin edhe në Mal të Zi.

Pa bashkëpunimin e policisë së korruptuar, kontrabanda nuk do të ishte e mundur. Në pjesën më të madhe të rasteve janë drejtuesit e pushtetshëm që i detyrojnë ata më poshtë të përfshihen në këto veprime. Rritja e pagës do të luante rol të madh, pasi një polic fiton vetëm rreth 400 franga në muaj.

Oficerët e policisë në dilemë

Përveç mungesës së stimujve financiarë, kush dëshiron të luftojë trafikantët e drogës jeton edhe nën kërcënim. Rasti i oficerit të policisë Dritan Zagani, i cili u arratis në Zvicër në vitin 2015, u bë i njohur. Ai kërkohet nga autoritetet shqiptare me dyshimin se ka marrë  para në këmbim të informacionit. Ai vetë thotë se thjesht e bëri punën e tij shumë mirë dhe zbuloi se cilat rrugë dhe aeroplanë përdornin korrierët e drogës.

Shumë vetë nuk arrijnë të qëndrojnë të pastër. Vetëbesimi, nepotizmi, farefisnia, frika, mbijetesa i tërheqin shumë njerëz drejt rrugës së korruptuar të kanabisit.

Mafia e drogës ka depërtuar thellë në shoqërinë shqiptare. Në tetor të vitit 2017, pas arrestimit të katër italianëve dhe tre shqiptarëve, u zbuuan biseda telefonike, në të cilat Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dilte si person kryesor kontakti me një bande trafikantësh droge.

Gjithashtu u zbulua dhe marrëdhënia e tij me vëllezërit Habilaj, që sipas të dhënave të Guardia di Finanza-s italiane kontrollonte policinë në qytetin bregdetar të Vlorës dhe tregtinë e drogës atje. Ndër të tjera, Tahiri u siguroi vëllezërve Habilaj  makinën e tij të shërbimit, me të cilën ata mund të lëviznin pa u kontrolluar.

Tahiri dha dorëheqjen si ministër disa javë pas protestave në vitin 2017. Pasardhësi i tij në postin e ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen në tetor 2018, sepse vëllai i tij ishte dënuar për trafik droge në Itali.

Partia Demokratike e opozitës po bën thirrje prej kohësh për nisjen e një hetimi nëse janë përdorur para droge për të blerë vota në zgjedhjet e vitit 2017. Ajo pretendon se zgjedhjet janë “vjedhur” dhe se nën qeverinë Rama Shqipëria është bërë një parajsë për prodhimin e drogës, – sigurisht, pa përmendur se kultivimi i kanabisit ndodhte edhe para se Rama të vinte në pushtet.

Pastrimi i parave nga tregtia e drogës zakonisht përfundon me shitjen e rreme të pikave të karburantit, në lojëra fati ose në ndërtim. Shumë godina të ndërtuara janë shpesh bosh. Fasadat e tyre të shndritshme duken si simbole të rrënimit moral.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>