Shqipëria është zgjedhur për herë të parë anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB.
Në votimin e mbajtur sot në Asamblenë e OKB-së, kandidatura e Shqipërisë mori 175 vota nga 190 anëtarë që votuan. Për t’u zgjedhur duhen minimumi 117 vota.
Mandati në Këshillin e Sigurimit do të zgjasë 2 vite. Mandati i Shqipërisë do të jetë për vitin 2022 dhe 2023 gjatë të cilëve, ajo do të ketë edhe presidencën për një ose dy muaj.
Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Këshilli i Sigurimit është një nga gjashtë organet kryesore të OKB-së dhe ka për qëllim ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve – Kina, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – janë anëtarë të përhershëm ndërsa 10 të tjerët zgjidhen me një mandat 2 vjeçar.
Për të marrë vendime në Këshill duhen të paktën 9 vota pro dhe që asnjë nga anëtarët e përhershëm të mos vendosë veton.
Anëtarët jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit nuk kanë të drejtë vetoje, megjithatë ato mund të japin kontribute në çështje të caktuara të Këshillit.
Një nga përfitimet më të mëdha të anëtarëve jo të përherëshëm është marrja e presidencës së Këshillit të Sigurisë. Gjatë mandatit si anëtar i Këshillit, çdo vend merr presidencën për një ose dy muaj.
Presidenti luan një rol të rëndësishëm në drejtimin e punës së këshillit, me fuqinë për të ndikuar në programin mujor të punës dhe drejtimin e takimeve. Presidentët mund të organizojnë një ose disa takime të këshillit rreth një teme me interes të veçantë. Presidenti është gjithashtu një ndihmës i rëndësishëm i negociatave të këshillit dhe vepron si përfaqësuesi i këshillit në bashkëveprimet me anëtarët dhe entitetet e tjera të OKB, palët e interesuara dhe publikun.
Kryesimi i organeve ndihmëse të këshillit zakonisht është i rezervuar për anëtarët jo të përhershëm. Me më shumë se 20 organe ndihmëse aktive, një anëtar mund të kryesojë disa organe njëkohësisht. Shumica e organeve ndihmëse përbëhen nga komitetet e krijuara për të mbikëqyrur regjimet e sanksioneve ekonomike të miratuara nga rezolutat e këshillit ose grupet e punës të përqendruara në çështje tematike që lidhen me punën e këshillit.
Anëtarësia në Këshillin e Sigurimit të OKB-së i jep gjithashtu mundësinë një vendi të rrisë prestigjin e tij në arenën ndërkombëtare duke qenë se do të jetë pjesë e shumë negociatave diplomatike me shtete nga e gjithë bota.
Në pjesën më të madhe, negociatat për vendimarrje në Këshill kryhen në mënyrë jo zyrtare dhe kjo bën që anëtarët jo të përhershëm të luajnë shpesh herë rolin e ndërmjetësit në negociata.