Shqiptarët kanë nivel të lartë refuzimi ndaj komunitetit LGBTI+, sipas anketës së emisionit Barometri në Euronews Albania, botuar dy ditë përpara “Marshimit të Krenarisë” të këtij komuniteti.
Papranueshmëria dhe mbyllja ndaj komunitetit LGBTI+ në shoqërinë shqiptare shfaqet në nivele shqetësuese. Një përqindje shumë e ulët do të pranonin ta kishin një anëtar të këtij komuniteti mik, fqinj, shef, koleg, mësues të fëmijës, mjek të familjes, etj.
Vetëm një në pesë persona (16.4%) në Shqipëri ka pasur marrëdhënie shoqërore apo profesionale me një anëtar të komunitetit LGBTI+.
Gjendja është më problematike kur vjen fjala nëse shqiptarët do ta pranonin një pjesëtar të komunitetit pranë vetes apo familjes. Nëse do e sillnin rrethanat, afërsisht vetëm njëri në dhjetë persona do ta pranonte atë si mik (12.5%), fqinj (14.3%), koleg (14.7%), drejtues në punë (12.9%) apo mjek familjeje (9.3%).
Një aspekt ndoshta edhe më shqetësues është rezultati i anketës sipas moshës së të anketuarve, ku vërehet se niveli i refuzimit është shumë i ngjashëm si te të rinjtë, ashtu edhe te më të rriturit dhe te të moshuarit. Mes atyre që refuzojnë të kenë miqësi me një person nga komuniteti LGBTI+ ka një luhatje shumë të ulët mes cilësdo grupmoshë nga 18 deri në +65 vjeç.
Vendbanimi në zona rurale apo urbane po ashtu nuk ka thuajse fare ndikim në pranueshmërinë e shqiptarëve, pasi ata e refuzojnë në të njëjtin nivel këtë komunitet.
I vetmi tregues ndryshueshmërie për t’u nxjerrë në pah është pranueshmëria e personave LGBTI+ si mik apo si koleg në bazë të nivelit arsimor. Shqiptarët me arsim 9-vjeçar janë 20 pikë përqindje më refuzues sesa ata me arsim të lartë.
Studimi i emisionit Barometri u krye me 1000 intervista ballë për ballë në familje mes datave 25 prill – 7 maj në të gjithë vendin.
Ai duket se konfirmon shqetësimet e ngritura vazhdimisht nga anëtarë dhe ogranizata që mbështesin të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të këtij komuniteti në Shqipëri.
Në një nivel më të gjerë, sipas një studimi të Universiteti të Kalifornisë në SHBA të nëntorit 2021, në Evropën Lindore pati një rritje të pranueshmerisë ndaj komunitetit LGBTI+ në vitet menjëherë pas rënies së komunizmit, por vitet e fundit kjo prirje ka pësuar rënie të konsiderueshme, duke e kthyer rajonin në nivele më të ulta sot sesa para vitit 1990. Në Azi dhe Afrikë është shënuar e njëjta prirje negative në nivele të ngjashme.
Ndërsa shoqëritë e Evropës perëndimore që prej vitit 1990 vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të hapura dhe më pranuese ndaj komunitetit LGBTI+. Në Amerikën e Jugut, SHBA, Kanada dhe Australi është shënuar e njëjta prirje pozitive.
Një tjetër prirje e vërejtur në studim ështe se shoqëritë me nivel të lartë pranueshmërie me kalimin e kohës bëhen gjithnjë e më tepër pranuese ndaj komunitetit LGBTI+. Vendet që e kryesojnë listën janë Islanda, Norvegjia, Holanda, Suedia dhe Kanadaja.
E njëjta prirje është vërejtur edhe në vendet më të ashpra ndaj këtij komuniteti, ku armiqësia sa vjen e shtohet. Në këtë aspekt listën e kryesojnë Zimbabveja, Azerbajxhani, Mauritania, Etiopia dhe Moldavia.
Teksa komuniteti LGBTI+ pritet të festojë “Marshimin e Krenarisë” nesër në Tiranë, mbetet për t’u parë nëse qeveria dhe shumica parlamentare planifikojnë ndonjë nismë për përmirësimin e kushteve të jetesës së këtij komuniteti.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.