Në ndryshim me refuzimin ndaj komunitetit LGBTI+, shqiptarët i pranojnë në masë dërrmuese minoritet etnike në Shqipëri.
Anketimi i emisionit Barometri në Euronews, kryer me 1000 intervista ballë për ballë në nivel kombëtar mes datave 25 prill – 7 maj, tregon hapjen e shqiptarëve ndaj komuniteteve etnike dhe njohje në nivele të luhatshme të tyre.
Kështu, 80,1 përqind e të anketurve thanë se kanë pasur njohje të drejtpërdrejtë me një person me aftësi të kufizuara, 72,7 përqind më një pjesëtar të komunitetit rom, 64,9 përqind me një nga ai egjiptian, 46 përqind nga ai grek, 36,1 përqind nga ai arumun, por vetëm 16,4 përqind nga komunitetit LGBTI+.
Shqiptarët i njohin nëntë pakicat kombëtare të njohura me ligj në këto përqindje: romët (98.2), egjiptianët (92), grekët (84.1), arumunët (66.2), maqedonasit (63.7), bullgarët (46), boshnjakët (42), malazezët (32) dhe serbët (24).
Minoriteti grek duket se është më i njohuri dhe më i pranuari në Shqipëri: më tepër se 90 përqind e të anketuarve thanë se do ta pranononin një person të pakicës greke si mik, fqinj, koleg, drejtues, mësues të fëmijës, mjek të familjes, ndërsa 78,6 përqind do ta pranonin edhe si bashkëshort/e.
Rezultate të ngjashme, por me hollësi akoma më interesante, kishte nxjerrë edhe një anketim i Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” i vitit të shkuar në Greqi dhe Shqipëri rreth marrëdhënieve mes dy popujve.
Komuniteti arumun duket të jetë menjëherë pas atij grek për nga pranueshmëria mes shqiptarëve, me treguesit e mësipërm që luhaten te 80 përqindëshi, ndërsa rreth 60 përqind e shqiptarëve do ta pranonin një pjesëtar të komunitetit arumun si bashkëshort/e.
Në rrethana shoqërore dhe profesionale, një pjesëtar i komuniteteve rome dhe egjiptiane pranohet më pak, në vlera që luhaten sipas treguesme të mësipërm nga 60 përqind deri në më pak se 80 përqind, me pak ndryshime mes të dyja komuniteteve. Ndërsa pranueshmëria për të pasur një rom apo egjiptian si bashkëshort/e qëndon në nivele relativisht të ulta, 18,5 përqind, ndryshe nga ajo për pakicat e tjera kombëtare.
Ky artikull është realizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, në kuadër të Projektit “Reporting Diversity Network 2.0”, nën skemën e mbështetjes së granteve të vogla.
Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e “New Policy Group” dhe, si e tillë, nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian apo të Rrjetit të Raportimit të Diversitetit 2.0.