Shqiptarët të parët në botë për azilkërkuesit në BE si përqindje e popullsisë

Shqiptarët të parët në botë për azilkërkuesit në BE si përqindje e popullsisë

Në vitin 2017, shqiptarët kanë qenë vendi i shtatë në botë për nga numri i azilkërkuesve për herë të parë në vendet anëtare të BE-së. Eurostat, në një njoftim të lëshuar të martën, raportoi se rreth 22 075 shqiptarë kërkuan azil në BE, gjatë vitit 2017. Pjesa më e madhe e tyre, rreth 11 395, kërkuan azil në Francë, duke e bërë Shqipërinë vendin me numrin më të lartë të azilkërkuesve në Francë.

Shqipëria është e para në botë për numrin e azilkërkuesve në BE në përqindje të popullsisë, me rreth 8 azilkërkues për çdo 1 mijë banorë. Për krahasim, Iraku dhe Afganistani kanë rreth 1 azilkërkues për 1 mijë banorë.

Shqiptarët kanë gjithashtu dallimin se janë e vetmja nënshtetësi mes vendeve me numrin më të madh të azilkërkuesve që nuk vinë nga shtete ku ka konflikte të armatosura. Shqipëria është po ashtu i vetmi vend europian mes 10 vendeve me numrin më të lartë të azilkërkuesve.

Numri i saktë i emigrantëve të paligjshëm shqiptarë në BE gjatë vitit 2017 duhet të jetë shumë më i lartë se më sipër, pasi shumë shqiptarë emigrojnë ilegalisht pa aplikuar farë për azil.

Gjatë vitit 2017, numri i azilkërkuesve në BE u përgjysmua në krahasim me një vit më parë— Rreth 650 mijë persona kërkuan azil në vendet e BE-së më 2017, krahasuar me mbi 1.2 milionë në vitin 2016. I njëjti numër prej 1.2 milionë azilkërkuesish ishte dhe në vitin 2015.

Ulja ka ardhur kryesisht nga zbutja e konfliktit të armatosur në Siri, përfundimit të luftës dhe shpartallimit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri. Siria vazhdon të mbetet në fund vend të parë për numrin e azilkërkuesve me rreth 103 mijë azilantë, pasuar nga Iraku me rreth 48 mijë, Afganistani me rreth 44 mijë, Nigeria me 39 mijë, Pakistani me rreth 30 mijë, Eritrea me rreth 24 mijë dhe pastaj Shqipëria.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>