Bandat shqiptare vjedhin identitete evropianësh për trafikim drejt Londrës

Nga Erblin Vukaj
Bandat shqiptare vjedhin identitete evropianësh për trafikim drejt Londrës

Grupet kriminale shqiptare po vjedhin identitete qytetarësh të Bashkimit Evropian, për t’i përdorur për trafik njerëzish drejt Britanisë së Madhe.

Përmes identiteteve të vjedhura ata lëvizin në mënyra të ligjshme në fluturime me avionë nga Tirana në Milano e më pas nga Milano drejt Londrës.

Këtë e denoncoi së fundmi gazetari Andrea Galli në një shkrim të Corriere della Sera, i cili nisej nga arrestimet e 19 personave në aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Autoritetet shqiptare në fakt kanë raportuar në media vetëm një rast me 4 të arrestuar, të cilët kishin bileta fluturimi për në Milano, të tjera për në Londër dhe karta identiteti të falsifikuara.

Në grupin e 19 të arrestuarve që pretendon Galli, shumica thotë se ishin shqiptarë dhe disa prej tyre turq, të cilët ai i cilëson si vartës të shqiptarëve.

Pasi do të udhëtonin nga Tirana në Milano, këto persona do të fluturonin më pas në Londër duke përdorur identitete të vjedhura, të cilat Galli thotë se:

Janë prej vjedhjeve në zyrat e gjendjeve civile (ose nga shitja e tyre prej punonjës të korruptuar) dhe nga çantat e grabitura.

Vetë ndarja në dy rrugë e udhëtimit për në Londër sipas Gallit bëhet në mënyrë që lëvizjet e tyre trafikantët të shfrytëzojnë identitetet e vjedhura dhe dyndjet në aeroporte:

Ndarja e udhëtimit me dy rrugë, në këtë periudhë, bëhet me bindjen se mund të përfitohet nga bllokimet në aeroportin e Malpensas dhe Orio al Serios, si rezultat i mbylljes së aeroportit tjetë Linate dhe kombinimit me dyndjet e zakonshme të diktuara nga muaji gusht.

Grupet kriminale shqiptare janë forcuar ndjeshëm në Londër. Galli i përshkruan të bazuara jo në struktura vertikale me drejtues, por te lidhjet e gjakut.

Zona në Londër si Parsons Green, Barking, Dagenham dhe Kilburn lakohen si ato që kontrollohen nga bandat shqiptare.

Në maj të këtij viti banda të mëdha shqiptare u dënuan për narkotrafik ku në një rast një grup kishte bërë më shumë se 4,2 milionë paundë shitje kokaine përmes një rrjeti që funksiononte me porosi telefonike.

Gazetari Galli thotë:

Që prej viteve ’90, kur shqiptarët dyndën rrugët e Milanos duke i zënë me prostituta, deri te fuqia aktuale kriminale, ka largësi sa të yjeve. Aty ku shumë banda i besohen ndërmjetësve, për të patur më pak ngarkesa, por rritje të kostove dhe ulje të pastërtisë së drogës – efekt anësor fragmentizimit të furnizimeve – shqiptarët kanë nisur të diskutojnë direct me narkotrafikantët amerikanojugorë. Kjo u mundëson atyre të shkurtojnë kostot dhe të kenë kontroll direkt dhe të shpejtë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>