Shqiptarëve nuk u duhet programi elektoral i opozitës, u duhet një plan për ndryshimin politik të vendit

Nga Vehap Kola
Shqiptarëve nuk u duhet programi elektoral i opozitës, u duhet një plan për ndryshimin politik të vendit

“Opozita duhet të shpalosë një program që i bind shqiptarët për ta votuar atë.” Në parim kjo është një thirrje e arsyeshme. Në çdo demokraci, një parti politike që aspiron të marrë në dorë drejtimin e vendit duhet t’u bëjë të ditur qytetarëve të saj se si mendon ta drejtojë vendin. Mbetet, pastaj, në dorë të qytetarëve të gjykojnë se kush duhet t’i qeverisë. Në Britani, madje, një parti politike nuk mund të bëjë gjëra që nuk i ka premtuar në programin e saj elektoral.

Premisa që fshihet pas kërkesës për program është ekzistenca e një qeverie demokratike që, mirë apo keq, po administron punët në vend. Por, kur një vend sundohet nga një regjim, një mafia-shtet, me shumë pak dallime në efektet e tij nga një kolonizator apo pushtues, kërkesa për program është kryekëput propagandistike.

Në thelb, kjo kërkesë nuk shpreh ndonjë shqetësim të sinqertë për mënyrën se si do të shkonin punët në Shqipëri, nëse do të binte qeveria Rama dhe do të vinte në pushtet qeveria Basha.

Brenga për fatin e atdheut do të duhet të kishte përvëluar cilindo nga oficerët e propagandës qeveritare që kur Shqipëria u kanabizua plotësisht, kur një dyzinë kriminelësh dhe mafiozësh zunë karriget në Parlament dhe në bashki, apo kur ekonomia u asfiksua përfundimisht nga monopolet e oligarkëve. Në fund të fundit, konkurrimi i Ramës në vitin 2017 me tepsi dhe timon, por pa program, do të duhet t’i kishte alarmuar një herë e mirë ata.

Halli i tyre është t’u thonë qytetarëve se situata është normale, të mos ua vënë veshin vajtimeve të opozitës, por t’i kërkojnë asaj që, nëse do të vijë në pushtet, të përgatitet si i ka hije një partie politike në një sistem demokratik. Pra, demokracia po funksionon dhe falë saj ne jemi në gjendje të kërkojmë llogari nga politikanët, sidomos kur vjen dita të votojmë.

Për fat të keq, prej kohësh Shqipëria nuk është një vend demokratik. Jo vetëm që zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë asgjësuar përfundimisht, por edhe nuk ka pothuajse asnjë mundësi demokratike që një opozitë, sado e konsoliduar, ta mundë regjimin në zgjedhje bazuar në të zakonshmin program sipas sektorëve të qeverisjes.

Ndaj, ajo që i duhet kërkuar opozitës së Lulzim Bashës është një program për demokratizimin e vendit, rikthimin e lirisë dhe çlirimin e ekonomisë nga mafia dhe oligarkia. Ky po që do të ishte një program, i cili duket se deri tani i mungon opozitës.

Sa për programe të zakonshme me taksa të ulëta a të larta, me paga të ulëta a të larta, me pensione, çmime ilaçesh apo çmime biletash, ato janë debate që zhvillohen në vende demokratike, jo në regjime dhe mafia-shtete siç është Shqipëria e Edi Ramës.

T’i kërkosh opozitës program elektoral, kur vendi ka kapur fundin e autoritarizmit e po rrëshket drejt totalitarizmit, kjo është si t’i përgjigjesh thirrjes për të dalë në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesi i huaj me pyetje rreth cilësisë së shërbimit të transportit urban pas çlirimit.

Opozita nuk duhet të ketë program elektoral, por një plan për demokratizimin e vendit dhe çlirimin e ekonomisë nga dominimi i mafias dhe oligarkisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>