Shqiptarët e mbetur jashtë nuk mund të blejnë biletë kthimi pa paguar hotelin karantinë

Nga Exit News
Shqiptarët e mbetur jashtë nuk mund të blejnë biletë kthimi pa paguar hotelin karantinë

Shqiptarët, të cilët do të kthehen nga jashtë shtetit, duhet të paguajnë rreth €100 për person për karantinën e detyrueshme në 2 hotele të Golemit në Durrës.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, njoftoi të enjten publikimin e paketave të karantinës, pa rezervimin e të cilave, shqiptarët e mbetur jashtë shtetit nuk mund të blejnë biletë kthimi.

Balluku u shpreh se qeveria do të marrë përsipër gjysmën e kostos së karantinës:

“Paketa do të jetë €100 për fluturimin, që do të paguhet nga personi, dhe €21 në ditë për akomodimin 14 ditor në hotel, prej të cilave €14 do të mbulohen nga qeveria”

Për t’u kthyer në Shqipëri, qytetarët do të duhet të blejnë bileta vetëm në Air Albania, e cila për fluturimet e para me Romën, të cilat nisin më 18 prill, e vlerëson biletën €100.

Qeveria zotohet se do të provojë të ndërmjetësojë uljen e çmimit të biletave, ndërsa ditët e ardhshme pritet që të nisin fluturime edhe drejt Milanos, Barit, Frankfurtit, Parisit dhe Londrës.

Blerja e biletës në web-faqen e Air Albania, bëhet vetëm pasi është rezervuar hoteli në Golem.

“Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës”

Më 10 mars Shqipëria pezulloi të gjitha fluturimet dhe mbylli kufijtë tokësor si masë për të ndalur përhapjen e epidemisë së koronavirusit.

Studentëve, sipërmarrësve dhe qytetarëve, të cilët mbetën jashtë kufijve, iu pamundësua kthimi.

Qeverisë Rama iu deshën 5 javë për të hartuar këtë plan dhe për të ndërmjetësuar me hotelet në Durrës, ndërkohë që në ditët para epidemisë deklaronte se kishte të gatshme struktura karantine.

Javën e shkuar rreth 100 emigrantë të kthyer nga Greqia, u detyruan të viheshin në karantinë me shpenzimet e tyre në hotele të Korçës, të cilat kërkojnë një kosto prej 25 000- 35 000 lekë për person.

Kthimi i tyre u pamundësua për rreth 5 ditë. Qeveria i la në zonën neutrale të kufirit me Greqinë edhe pse pala greke i kishte lënë të ktheheshin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>