Një javë pasi OSBE/ODIHR botoi raportin për zgjedhjet e 30 qershorit, asnjë përfaqësues i shteteve apo institucioneve perëndimore në Shqipëri nuk ka reaguar për përkeqësimin e demokracisë në vend, siç e provoi raporti kritik i misionit të vëzhguesve.
Këta përfaqësues nuk e kanë përmendur asnjëherë raportin për zgjedhjet as në shfaqjet e tyre publike, as në faqet në internet, dhe as në mediat sociale.
Delegacioni i Bashkimit Evropian, Ambasadat e SHBA-ve, Gjermanisë, Austrisë, Britanisë së Madhe, të cilat para çdo proteste të opozitës jepnin deklarata të shqetësuara për dhunën e mundshme në to, për domosdoshmërinë e respektimit të rregullave të demokracisë në protesta, dhe të cilat ishin aq aktive me qëndrimet e tyre para zgjedhjeve, për një javë të tërë nuk u lodhën as të përshëndesnin botimin e raportit, e jo më të komentonin gjetjet e tij.
Qëndrimi më shpërfillës është ai i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri. Ndryshe nga çdo rast i mëparshëm, Prania e OSBE-së jo vetëm nuk e ka komentuar apo shpërndarë raportin në media sociale, por as e ka botuar fare në faqen e saj në internet.
E pakuptueshme është, gjithashtu, heshtja e BE-së, e cila shpenzon qindra miliona euro çdo vit për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri. E njëjta gjë vlen edhe për disa ambasada, të cilat kanë programe të rëndësishme në mbështetje të demokracisë dhe mirëqeverisjes në Shqipëri.
Megjithatë, të gjitha këto përfaqësi nuk thanë asnjë fjalë për shkeljen e vlerave dhe parimeve demokratike, të provuar në raportin e ODIHR-it, të cilat shqiptarët kanë tri dekada që përpiqen me mund t’i ndërtojnë.
Për shtatë ditë, ata heshtën për konstatimin se Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ që mund të shqyrtojë dekretet e Presidentit – jo qeveria, as shumica parlamentare, as KQZ-ja. Ata nuk dhanë asnjë koment për faktin e evidentuar në raport se qeveria ka shkelur ligjin duke mos botuar në Fletoren Zyrtare dekretin për zgjedhjet e 13 tetorit.
Këto ambasada, që japin miliona euro për forcimin e administratës dhe të drejtësisë, nuk u shqetësuan për asnjë çast për presionin mbi administratën publike gjatë zgjedhjeve; as për përdorimin nga qeveria të KQZ-së, si të ishte kompani private; as për presionin e dyshuar të qeverisë mbi anëtarët e Kolegjit Zgjedhor përmes vetingut.
Ata që duhet të ishin mbrojtësit më të mëdhenj të lirisë së medias, nuk u shqetësuan për përfundimin e raportit se mediat më të mëdha në vend janë platforma për propagandën e qeverisë, se pronarët e tyre kanë interesa të lidhura me qeverinë, se televizioni publik TVSH drejtohet nga ish-kryeredaktori i “Zërit të Popullit”, gazetës së PS-së.
Përfaqësuesit e vendeve, demokracitë e të cilëve shqiptarët aspirojnë të arrijnë, vazhdojnë të heshtin ndaj faktit se votuesit nuk patën alternativa për të zgjedhur në zgjedhje. Ata e kanë mbyllur gojën përpara dëshmive të raportit se zgjedhjet ishin njëpartiake, të kontrolluara nga kjo parti, dhe në shkelje të Kushtetutës.
Qeveritë, opozitat, shoqëritë civile dhe qytetarët e këtyre vendeve nuk do të heshtnin kurrë, nëse ndonjëra prej këtyre shkeljeve do të ndodhte në vendet e tyre.
Në fakt, heshtja për raportin është e ngjashme me mungesën e reagimit të duhur nga ana e tyre edhe kur u botuan përgjimet për vjedhjen e votave në zgjedhjet e Dibrës në 2016 dhe ato të përgjithshme në 2017. Pavarësisht përgjimeve të prokurorisë, që shfaqnin zyrtarë të Partisë Socialiste, në bashkëpunim me disa nga bandat kriminale më në zë, tek rrëzonin një ndër shtyllat e demokracisë – votën e lirë – këta përfaqësues nuk e dënuan me forcë strategjinë e PS-së për të vjedhur zgjedhjet. Ata nuk ushtruan trysni të shëndoshë që drejtësia e reformuar të bëjë hetime të thelluara për akuzat publike për vjedhjen e organizuar të zgjedhjeve.
Në mënyrë të ngjashme me Kryeminstrin Edi Rama, këta përfaqësues kanë heshtur deri tani, pa shprehur asnjë shqetësim për Valdrin Pjetrin, për Agim Kajmakun, për Mark Babanin, të akuzuar se kanë fshehur të shkuarën e tyre kriminale.
Me heshtjen e tyre të plotë e të pazakontë për raportin kritik të ODIHR-it, ata treguan edhe njëherë se për ta është e rëndësishme stabilitokracia – ruajtja e pushtetit për hir të stabilitetit. Pavarësisht shkeljeve të hapura të parimeve bazë për një shoqëri demokratike, pavarësisht autokracisë në rritje, bashkëpunimit me krimin, korrupsionit, kapjes thuajse të plotë të medias e drejtësisë, një qeveri që tani për tani nuk shfaq rrezik për tjetërkënd veç popullit të saj, më mirë të qëndrojë në pushtet. “Nëse ty ta bën punën, dmth., lëre, nuk ke pse ta ndreqësh, se e prish!”
Nga ana tjetër, kjo heshtje tregon se zgjedhjet ishin në mënyrë të pazakontë të këqija.
Vështirë të mos e kujtojë kush se pas çdo raporti për zgjedhjet në të shkuarën, partnerët perëndimorë kanë gjetur gjithnjë fjalë për ta përshkruar procesin. Fraza si “këto zgjedhje shënuan një hap përpara”, “zgjedhjet respektuan parimet e përgjithshme të demokracisë”, apo edhe në të kundërt, “këto zgjedhje shënuan një hap pas”, janë të freskëta për kujtesën e shqiptarëve.
Fakti që asnjë përfaqësues perëndimor nuk citoi a komentoi me terma të ngjashme, por të gjithë zgjodhën heshtjen, tregon se, bazuar në raport, ata nuk patën mundësi të gjenin e të formulonin të tilla vlerësime pozitive ose lehtësisht negative. Heshtja tregon se diçka e pazakontë ndodhi kësaj here.
Dhe e pazakonta ishte cilësia e zgjedhjeve. Ato ishin jashtëzakonisht të këqija.
Ndaj, për hir të stabilitetit, për ta është një zgjedhje e mençur të qëndrojnë të heshtur, sa të kalojë edhe kjo valë e të harrohet raporti, siç u harruan përgjimet, siç shpresohet se do të harrohen shpejt Pjetri, Kajmaku, Babani, siç lajmi për korrupsionin e radhës do të mbulojë atë të mëparshmin.
Evropa dhe, më gjerë, perëndimi nuk janë vetëm kategori gjeografike e kulturore për shqiptarët. Ato janë thellësisht edhe kategori politike dhe morale, që priten të mbrojnë vlerat e shtetit të së drejtës, lirisë e demokracisë, dhe të denoncojnë me forcë shkeljen e tyre.
Amoraliteti i heshtjes së përfaqësive të tyre për hir të stabilitokracisë është një zhgënjim për besimin e shqiptarëve te Evropa si bashkësi e këtyre kategorive. Nga ana tjetër, kjo heshtje vlen të dëgjohet si një thirrje se, në fakt, ndërtimin e demokracisë së tyre shqiptarët duhet ta drejtojnë vetë, sepse është e tyrja.