Shtetasi turk, Selami Simsek apeloi pranë Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët që të rrëzojë vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, i cila refuzoi kërkesën e tij për azil në Shqipëri.
Avokati i Simsek, Elton Hyseni argumentoi se refuzimi i azilit ishte ndërmarrë në shkelje të ligjit, pa kryer verifikime mbi rrezikimin e jetës së Simsek. Ai shtoi se vendimi ishte mbajtur i fshehur për muaj me radhë.
Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët është shkalla e apelit për të huajt, të cilëve u është refuzuar azili në Shqipëri. Ai përbëhet nga 4 përfaqësues të qeverisë, një përfaqësues i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një anëtar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.
Në 2 korrik autoritetet shqiptare i refuzuan kërkesën për azil turkut Selami Simsek, mbështes i lëvizjes Gylen dhe në kërkim nga Turqia.
Refuzimi i kërkesës për azil do të thotë se Simseku duhet të esktradohet në Turqi – ku lëvizje gyleniste quhet ‘terroriste’ dhe mbështetësit e saj burgosen dhe keqtrajtohen.
Simsek u arrestua bashkë me turkun tjetër Harun Çelik, teksa po udhëtonin në aeroportin e Rinasit, tranzit për në Kanada me pasaporta false.
Çeliku u dënua me 5 muaj burg dhe pas shlyerjes së dënimit u dërgua në Turqi, pavarësisht se kishte kërkuar azil politik.