Shtetasi turk Simsek apelon refuzimin për azil: Shkel ligjin dhe konventat, vendimi u mbajt i fshehtë

Nga Exit News
Shtetasi turk Simsek apelon refuzimin për azil: Shkel ligjin dhe konventat, vendimi u mbajt i fshehtë

Shtetasi turk, Selami Simsek apeloi pranë Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët që të rrëzojë vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, i cila refuzoi kërkesën e tij për azil në Shqipëri.

Avokati i Simsek, Elton Hyseni argumentoi se refuzimi i azilit ishte ndërmarrë në shkelje të ligjit, pa kryer verifikime mbi rrezikimin e jetës së Simsek. Ai shtoi se vendimi ishte mbajtur i fshehur për muaj me radhë.

Komisioni Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët është shkalla e apelit për të huajt, të cilëve u është refuzuar azili në Shqipëri. Ai përbëhet nga 4 përfaqësues të qeverisë, një përfaqësues i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe një anëtar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Në 2 korrik autoritetet shqiptare i refuzuan kërkesën për azil turkut Selami Simsek, mbështes i lëvizjes Gylen dhe në kërkim nga Turqia.

Refuzimi i kërkesës për azil do të thotë se Simseku duhet të esktradohet në Turqi – ku lëvizje gyleniste quhet ‘terroriste’ dhe mbështetësit e saj burgosen dhe keqtrajtohen.

Simsek u arrestua bashkë me turkun tjetër Harun Çelik, teksa po udhëtonin në aeroportin e Rinasit, tranzit për në Kanada me pasaporta false.

Çeliku u dënua me 5 muaj burg dhe pas shlyerjes së dënimit u dërgua në Turqi, pavarësisht se kishte kërkuar azil politik.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>