
Pas mesnatës së të dielës, qeveria do të hapë për 8 orë rrugët drejt Tiranës dhe Durrësit në mënyrë që t’u lejojë qytetarëve kthimin në banesat e tyre.
Kryeministri Rama njoftoi përmes një postimi në Facebook, se rezidentët në Tiranë e Durrës të cilët kanë udhëtuar apo planifikuar fundjavën jashtë qytetit kanë kohë të rikthehen vetëm 8 orët e para të së hënës.
“Kush banon në Tiranë/Durrës dhe është larguar për fundjavë të gjatë në Korçë ose gjetkë, të sigurohet të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse, pas mesnatës së të dielës dhe jo më vonë se ora 8:00 e mëngjesit.”
Kryeministri thekson se rezidentët e Tiranës dhe Durrësit që janë aktualisht “brenda perimetrit” duhet të anulojnë lëvizjet jashtë sepse:
“[…] mund të mos rihyjë dot [pasi] sipas të gjitha gjasave perimetri Tiranë/Durrës do të mbyllet përsëri”.
Prej orës 6 të mëngjesit të së premtes qeveria ka ndaluar qarkullimin e të gjitha makinave dhe transportin urban në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Lushnje.