Shtohen dyshimet rreth djegies së ndërtesës në qendër të Tiranës

Shtohen dyshimet rreth djegies së ndërtesës në qendër të Tiranës

Sot, një ditë pas djegies së plotë të një ndërtese ngjitur me Bashkinë e Tiranës, e cila gjendej brenda perimetrit të rrethuar për ndërtimin e kullës Book Building, fadromat kanë nisur punimet në terren.

Dje, gjatë dhe pas djegies, disa qytetarë shprehën dyshime në rrjetet shoqërore se zjarri mund të ishte shkaktuar qëllimisht. Dyshimet duket se janë përforcuar sot, pas mbërritjes së fadromave në sheshin e ndërtimit.

Dje, zjarrfikësit mbërritën me vonesë, pasi u gjendën mes trafikut të zakonshëm të dendur përreth Sheshit Skënderbej që prej rindërtimit të tij. Ndërtesa në qendër të kryeqytetit përfundoi e shkrumbuar.

Dy javë më parë, Exit.al raportoi për rrethimin e zonës, që tregonte nisjen e punimeve për ndërtimin e kullës Book Building.

Pamje nga sipër të zonës tregojnë se ndërtesa gjendej brenda territorit të rrethuar për ndërtimin e saj.

Brenda drejkëndëshit shfaqet ndërtesa përpara se të digjej dje.

Nuk është e qartë se ç’funksion kryente ndërtesa e djegur dhe se në çfarë statusi pronësie ka qenë në lidhje me ndërtimin e pritshëm të kullës Book Building. Policia ende nuk ka bërë publike rrethanat e ngjarjes dhe nëse ka persona të dyshuar në lidhje me të.

Leja për kullën është dhënë në 2 shkurt 2018, nga Këshilli Kombëtar i Territorit, drejtuar nga Kryeministri Rama. Ajo është projektuar nga studio 51N4E, studioja e preferuar e Kryeministrit Rama, e cila ka projektuar edhe sheshin Skënderbej dhe godinën e Hotel Plaza-s.

Kompania që do ta ndërtojë është Techno–Alb shpk, në pronësi të Dajlan Avdisë, Glendi Abdisë dhe Natasha Matës. Të njëjtëve pronarë, Dajlan Avdia dhe Glendi Abdia, por nën emrin e një kompanie tjetër, Invest Society, Kryeministri Rama, u ka miratuar, në nëntor 2017, dy leje të tjera për ndërtimin e kullave në zonën e bllokut, godinave shumëfunksionale “Blloku” dhe “West Residence”. Punimet për kullën “Blloku” kanë nisur në gusht 2018.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>