Ministria e Brendshme njoftoi të hënën se të gjithë ata që kanë aplikuar për pasaportë biometrike kanë afat deri në shtator 2021 për ta tërhequr atë.
Në njoftimin e ministrisë thuhet se vendimi u mor për “t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe nuk kanë mundur t’i marrin dokumentet në kohë”.
Ministria e Brendshme u bëri thirrje shtetasve shqiptarë që nuk kanë tërhequr kartat e identitetit, të marrin masat që gjatë kësaj periudhe, të paraqiten pranë zyrave të shpërndarjes.
“Sipas ligjit, letërnjoftimet mund të mbahen në ruajtje për një afat 1-vjeçar dhe më pas asgjësohen, nëse nuk aktivizohen sipas procedurës për shenjat biometrike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.