Shtyhet mësimi më datë 9 dhjetor për Durrësin, Tiranën, Vorën dhe Kurbinin

Nga Stafi i Exit
Shtyhet mësimi më datë 9 dhjetor për Durrësin, Tiranën, Vorën dhe Kurbinin

Ministria e Arsimit njoftoi sot shtytjen e mësimit deri më 9 dhjetor për Durrësin, Tiranën, Vorën dhe Kurbinin, ndërsa për bashkitë e tjera, si Mirëdita, Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina mësimi do të rifillojë nesër, më 5 dhjetor.

Shtytjen e pjesshme të mësimit e njoftoi sot Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një konferencë për shtyp.

Mësimi fillon nesër, 5 dhjetor, në: qarkun e Lezhës, Mirëditë, Kavajë, Kamëz, Rrogozhinë

“Në Kamëz shkolla e dëmtuar “Sulejman Elezi’ transferohet te “Azem Hajdari” pasdite”.

Mësimi fillon të hënën më 9 dhjetor, në: Durrës, Tiranë, Vorë, Kurbin

“Përveç shkollave të dëmtuara në Marikaj dhe Pezë, nuk ka shkolla të tjera që kanë dëme për t’i nxjerrë jashtë funskionit, por kanë dëme mesatare, ndaj mësimi në bashkinë Tiranë fillon më datë 9 dhjetor”.

Për rastet ku situata duket më e rëndë dhe rrezikohet që mësimi të mos fillojë as më 9 dhjetor, Zonja Shahini tha se po mendohet “ngritja e shkollave të përkohshme”.

Pas tërmetit të 26 nëntorit, mësimi u pezullua në 3 qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë. Duke hequr datat e festave zyrtare, deri më 5 dhjetor nxënësit kanë humbur 6 ditë mësimi, ndërsa për zonat e tjera ku mësimi do të nisë më 9 dhjetor, ditët e humbura janë 8-të.

Tërmeti i 26 nëntorit dëmtoi 26 shkolla: 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë. Për shkollat e dëmtuara Ministria e Arsimit ka menduar zhvendosjen në mjediset e shkollave të tjera.

Për sa i përket kopshteve dhe shkollave jopublike, Ministrja tha se po pritej konfirmimi nga Instituti i Ndërtimit.

Po ashtu, Ministria e Arsimit ka nisur punën për hartimin e një manuali veprimi për mësuesit dhe nxënësit në rast tërmeti.

Ditën e parë të rifillimit të mësimit, ky plan do të diskutohet dhe ushtrohet me nxënësit, në formë simulimi mbrojtjeje dhe daljeje emergjente në rast tërmeti.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>