Vatra e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit është shuar gjatë mbrëmjes ndërkohë që puna vijon për vënien nën kontroll të vatrave të tjera në zonën e Kukësit.
Një vatër zjarri në Kukës mbi tunelin e Kalimashit vuri në rrezik fshatrat përreth si dhe kalimin në tunel nga automjetet. Autoritetet njoftuan të hënën në mbrëmje se po evakuojnë banorët dhe bagëtitë.
Zjarrfikës nga Kosova kanë ndihmuar në shuarjen e zjarreve në Kalimash. Të hënën në mbrëmje kanë mbërritur 34 zjarrfikës me 9 automjete për terren malor njoftoi Hasan Kodra, drejtori i Departamentit të Zjarrfikësve të Kosovës.
Ndërkohë vazhdon zjarri në Majën e Rrunjës në Kukës, në fshatin Thirrë në Mirditë, Muellë dhe Domgjon, pavarësisht punës së zjarrëfikësve.
Në zonën e quajtur “Laku i Thive” në Kukës situata është kritike pasi zjarret janë përhapur gjatë mbrëmjes. Prej orës 6:00 të së martës po bëhet po punohet nga toka dhe nga ajri për të bërë të mundur neutralizimin e tyre.
Zjarrfiksit do të përpiqen të shuajnë të gjithë vatrat në Malin e Rrunjës pasi rrezikojnë banorët dhe shtëpitë në zonën e Shëmërisë.
Përhapja e zjarrit u ndalua në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe u normalizua situata në Malin e Dukatit, në zonën e Voskopojës, në malin e Tomorrit dhe në Krushovë.