Qeveria ka vendosur të japë një pagesë prej 40 mijë lekë për punonjësit e bizneseve të vogla që nuk përfituan nga pagesa e mëparshme prej 26 mijë lekë, çdo muaj për tre muaj, dhe punonjësit e bizneseve të mëdha që janë pushuar nga puna
Qëveria ka deklaruar se nga kjo paketë e dytë do të përfitojnë 176 mijë punonjës—100 mijë punonjës të biznesit të vogël, 10 mijë nga sektori i turizmit dhe 66 mijë nga biznesi i madh.
Megjithatë, nga ndihma nuk do të përfitojnë një numër i madh punonjësish dhe ish-punonjësish të prekur direkt nga kriza.
Pengesa e parë është për punonjësit e biznesit të madh të pushuar nga puna. Në mënyrë arbitrare, qeveria ka vendosur të paguajë vetëm punonjësit e pushuar nga puna, pushimi i të cilëvë është deklaruar në zyrat e tatimeve, duke dorëzuar formularin e pushimit nga puna (E-sig027), deri në datën 10 Prill.
Data 10 prill është zgjedhur apriori dhe nuk ka asnjë shpjegim pse një punonjës i pushuar në datën 11 nuk mund të përfitojë ndërkohë që një i pushuar në datën 10 do të përfitojë.
Për më tepër, shumë punonjës të pushuar nga data 1-10 prill nuk do të arrijnë praktikisht të përfitojnë, pasi asnjë punëdhënës nuk ka patur ngut për të dorëzuar menjëherë formularin e pushimit—procedura tatimore i jep dhjetë ditë punëdhënësit për të dorëzuar formularin në zyrën e tatimeve.
Nga ana tjetër, një sërë kategorish janë përjashtuar nga ndihma, edhe pse ato kanë qenë praktikisht të detyruara të ndërpresin punën, pavarësisht se nuk janë në listën e bizneseve të mbyllura me urdhër qeveritar.
Ndër këto kategori janë avokatët, të cilët sipas vendimit lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre. Por aktiviteti i tyre shpesh është i lidhur ngushtë me gjykatat, të cilat me urdhër të qeverisë dhe vendim të KLGJ-së vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Të përjashtuara janë, gjithashtu, organizatat jofitimprurëse. Shumë prej tyre kanë ndërprerë aktivitetin dhe nuk kanë mundësi të të paguajnë punonjësit—janë rreth 10 mijë të punësuar në këto organizata dhe shumë prej tyre kanë mbetur pa të ardhura.
Por edhe punonjësit e pushuar që duhet të marrin shpërblim do të ndeshin një sërë vështirësish praktike për përfitimin e tij. Sipas vendimit të qeverisë, aplikimi për ndihmën e tyre duhet të bëhet nga ish-punëdhënësi.
Ish-punëdhënësi mund të mos ketë ndonjë zell apo prioritet të aplikojë për ish-punonjësit, për të mos thënë që për shkak të pushimit marrëdhëniet mes tyre mund të mos jenë më të mirat e mundshme.
Ndërkohë nëse ish-punëdhënësit nuk aplikojnë, aplikojnë me vonesë, aplikojnë pa plotësuar mirë kërkesat, apo nëse aplikimi i tyre refuzohet, nuk ka asnjë të drejtë ankimi për përfituesit, pra punonjësit e pushuar. Ky boshllëk krijon mundësi që shumë individë të mos arrijnë të përfitojnë edhe pse ju takon të përfitojnë.
Në përgjithësi, duket se qeveria ka zgjedhur një procedurë dhe kritere që praktikisht do ta bëjnë të vështirë parfitimin nga ndihma e premtuar, ndërkohë që jashtë vëmendjes së saj mbeten qindra mijë punonjës të tjerë që janë ndikuar nga kjo krizë.