Sondazhi i zhvilluar nga Euronews Albania përgjatë muajit shtator tregoi se vendimi i kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha për përjashtimin e ish-liderit Sali Berisha nga grupi parlamentar nuk rezulton popullor mes demokratëve.
Vetëm 23.3% e votuesve të PD-së përkrahin vendimin e Bashës, përkundër 57.8% e votuesve të pyetur të cilët janë shprehur kundër vendimit.
Përjashtimi i Berishës nga grupi parlamentar ka siguruar më shumë mbështetje mes popullsisë së gjerë, ku mbështetja llogaritet sa dyfishi i mbështetjes brenda PD-së, me rreth 46% të respondentëve që bien dakord me vendimin. Në të njëjtën linjë, vetëm 28.4% e respondentëve ishin kundër një vendimi të tillë.
Por, nga ana tjetër, ka më tepër konsensus mes votuesve të PD-së dhe popullsisë së gjerë mbi ekzistencën e mundshme të një pakti Basha-Rama, tezë e artikuluar pikërisht nga ish-kreu Berisha.
Më pak se 1 ne 5 qytetar dyshon mbi ekzistencën e një pakti mes Ramës dhe Bashës, ndërsa pjesa më e madhe, 42.7%, mendon se pakti nuk ekziston.
Brenda PD-së kjo tezë ka me tepër mbështetje, me 23% të votuesve të saj që e shohin si të mundshme, përkundër 35.2% që mendojne se nuk ka një pakt. Ndërkohë, pjesa më e madhe e votuesve të PD-së të pyetur, 42.2%, janë indiferent ndaj akuzës.
Ekspertët që komentuan shifrat në emisionin Barometri deklaruan se plani i Bashës “për të vrarë” Berishën ka dështuar dhe madje, duke parë përmbysjen e raporteve të popullaritetit të të dyve, ka sjell pasoja vetvrasëse.