Shumica e heshtur që na shkruan tiraninë dhe korrupsionin si fat

Nga Vehap Kola
Shumica e heshtur që na shkruan tiraninë dhe korrupsionin si fat

Ka një debat të ashpër në shoqëritë postdiktatoriale me regjime hibride rreth korruptimit dhe korrupsionit të politikanëve që vijnë në pushtet pas përmbysjesh të mëdha. Në Shqipërinë postkomuniste, të rrënuar ekonomikisht, moralisht dhe shpirtërisht, korrupsioni i klasës politike dhe oligarkia u bënë shpejt kërcënimi kryesor ndaj demokracisë.

Në Kosovën e pasluftës për çlirimin nga Serbia, grupimi politik i dalë nga UÇK dhe që ka dominuar skenën politike të 20 viteve të fundit në vendin më të ri në Europë, u kalçifikua në një gungë korrupsioni dhe padrejtësish të ndryshme. Të njëjtën trajektore korruptimi ndoqën edhe politikanët shqiptarë të krahut të luftës në Maqedoninë e Veriut. 

Duket sikur fara e korruptimit dhe padrejtësisë është e mbjellë në vetë truallin e demokracisë liberale. Kushdo që fiton zgjedhjet me një premtim të bujshëm populist shdërrohet shpejt në një tiran të gjithëpushtetshëm dhe krijon kështu kushtet për një revolucion të ri që do të jetë më radikal dhe do të sjellë në drejtim një dorë edhe më të hekurt. Studiuesit e politologjisë e shohin këtë dukuri si një cikël tipik, fillimi i të cilit frymëzohet nga optimizmi që buron nga rrëzimi i të vjetrës dhe vazhdimësia e të cilit kaplohet nga plogështia dhe orekset aspak idealiste të pushtetarëve.

Ardhja në pushtet e grupimit politik Rilindje në 2013 është një provë e mjaftueshme se më shumë se sa formën e një cikli pak a shumë të rregullt, trajektorja politike e shoqërive ndjek një spirale rënëse. Është e panevojshme të përmendim se premtimet e bujshme të Ramës në fushatën e vitit 2013 ia lanë vendin një tiranie të pashpirt për të dobëtin dhe të varfrin dhe bujare për klubin oligarkik që vjel gjithë përfitimet e ekonomisë së tregut prej afro tri dekadash. Më herët është vënë në dukje se oligarkia është vijimësi e trashëgimisë politiko-ekonomike të diktaturës komuniste.

Nga gjithë sa më sipër duket sikur përgjegjësia për këtë spirale drejt humnerës shoqërore mbetet tek vetëm një grusht njerëzish që kanë shtënë në dorë pushtetet dhe i shfrytëzojnë ato për interesat e tyre vetjake. Megjithatë, një hulumtim më i kujdesshëm i qëndrimit të qytetarëve ndaj kauzës së lirisë dhe demokracisë mund të na bëjë dëshmitarë të një panorame krejt të ndryshme.

Filozofi francez Jean Baudrillard e ka përkufizuar shumicën e heshtur të njerëzve si masë, tipari më thelbësor i të cilës është aftësia për të refuzuar çdo ngacmim për të reaguar.

Ky refuzim kompakt i masave është veçanërisht i dukshëm në pikat e infleksionit historik të shoqërive moderne. Demonstratat për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk u bënë nga shumica e popullsisë.

Përkundrazi, ato u nisën nga grupe të vogla qytetarësh në Shkodër e Kavajë, u vijuan nga studentët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës dhe u përmbyllën me zgjedhjet e 31 marsit 1991 ku Partia e Punës fitoi dy të tretat e votave. Në luftën e viteve 1998- 99 në Kosovë u përfshinë kryesisht zonat rurale dhe pjesa më e madhe e popullsisë, përfshirë dhe meshkujt në moshë të maturuar, u deportuan në vendet fqinje dhe pritën çlirimin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre.

Kjo nuk ndodh vetëm në me shqiptarët, por me çdo popull dhe në çdo epokë të historisë. Në shoqëritë antike dhe ato të mesjetës pjesëmarrja në luftë i jepte gjithkujt ofiqe dhe përfitime materiale. Ata që nuk bënin një sakrificë të tillë mund të prisnin të përfitonin vetëm nga kushtet e përgjithshme të një rendi të ri të favorshëm që krijohej nga lufta për territore dhe burime. Por, të mirat më të mëdha që vinin drejtpërdrejt nga angazhimi në luftime u takonin pikërisht pjesëtarëve të ushtrive. Guximi për të luftuar ishte edhe një ndër burimet kryesore të pabarazive ekonomike e shoqërore në shoqëritë tradicionale.

Në modernitet, premtimi për barazi ka ardhur duke u zgjeruar drejt të gjitha rrafsheve të jetës, përfshirë edhe ndarjen e begative nga triumfet e grupimeve apo kauzave të caktuara ndaj disa të tjerave. Është pikërisht në këtë premtim hipokrit për ndarje të barabartë të bekimeve që është mbjellë dhe rritet fara e korrupsionit, si rrugë e tërthortë e vetëshpërblimit për kontributet e dallueshme të disa njerëzve mbi disa të tjerë. Shoqëritë moderne angazhohen t’i shpërblejnë vetëm moralisht njerëzit që sakrifikojnë më shumë dhe krijojnë kështu flluska hipokrizie që shndërrohen në korrupsion dhe padrejtësi edhe më të dhimbshme përballë predikimit për barazi. 

E thënë më drejtpërdrejt, nëse shoqëria shqiptare nuk përfshihet në kërkimin dhe mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, por ia lë këtë barrë vetëm një grupimi të kufizuar, është krejt e natyrshme që ky grupim të mëtojë merita dhe dobi më të mëdha nga rendi i ri politik.

Nëse një tregtar shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk e privon aspak veten nga mundësia e mbledhjes së begative ndërsa një pjesë e shqiptarëve rrezikojnë jetët e tyre për të sjellë një regjim politik në përputhje me interesin e tyre, rezultati është i parashikueshëm. Një formë qeverisjeje ku grupime të caktuara nuk kanë dhënë asnjë kontribut, nuk do t’u ofrojë atyre të mira të barabarta me ata që e sollën këtë ndryshim.

Në mungesë të një mekanizmi të sinqertë të shpërblimit të njerëzve sipas kontributit të tyre, demokracia i hap kështu derën korruptimit të politikanëve dhe, për pasojë, rrënimit ekonomik e shoqëror dhe autoritarizmit. Kjo që po i ndodh Shqipërisë nën regjimin oligarkik të Rama-Veliajt është një dëshmi flagrante e kësaj teorie. Prej shtatë vitesh shumica dërrmuese e shqiptarëve ndjek vetëm interesin e ngutshëm vetjak dhe ka braktisur çdo përpjekje për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë. Vetëm disa grupe të vogla qytetarë kanë mbajtur ndezur zjarrin e kësaj lufte.

Të gjitha zullumet e regjimit oligarkik gjatë këtyre 7 viteve janë pritur me një mosreagim shembullor nga opinioni publik. Dikush ruan vendin e punës, dikush druhet nga hakmarrja ndaj biznesit të tij, dikush shpreson të përfitojë tendera nga sistemi i padrejtë dhe dikush tjetër ëndërron të promovohet në shkallët e pushtetit. Ndërkohë, ata që ngrenë zërin për interesin publik janë gjithnjë e më të paktë dhe gjithnjë e më të pafuqishëm.

Ditët e fundit kjo dramë mbërriti e u luajt bash në Teatrin Kombëtar. Duket qartësisht se kjo qe akti final i një serie tragjike përplasjesh ndërmjet pushtetit dhe një pakice të rrudhur për territorin e lirisë dhe interesit publik. Shumica e heshtur shqiptarëve vijon të ndjekë me konsekuencë interesin vetjak të momentit, të ruajë vendin e punës, të ruajë shëndetin nga ‘armiku i padukshëm”, të falet në kishë apo xhami dhe të mos ia prishë humorin regjimit oligarkik.

Tradhëtia që shumica e heshtur i bëri interesit publik duke lënë edhe kalanë e fundit të qëndresës qytetarë në mëshirën e barbarëve që e kanë vënë nën rrethim parathotë edhe fatin e keq të këtij vendi, cilidoqoftë përfundimi i kauzës së Teatrit Kombëtar. Me refuzimin për të marrë pjesë në këtë luftë, shumica e heshtur ka humbur të drejtën të kërkojë një pjesë të barabartë në të nesërmen e zymtë apo shpresëmirë të vendit. Edhe nëse regjimi Rama-Veliaj rrëzohet sot, shumica e heshtur i ka dhënë të drejtë pakicës që të vjelë frytet më të mëdha të ndryshimit. Kësaj mase kompakte joreaguese do t’i mbetet vetëm e drejta e refuzimit, sepse ajo është gjithë çfarë mund të bëjë kjo masë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>