Kur PD dhe LSI, dy partitë opozitare vendosën të dorëzojnë mandatet e tyre të deputetëve, duke zhgënjyer ndërkombëtarët, ata u mbështetën në idenë se dhe kandidatët e renditur më poshtë në listat e tyre të vitit 2017, njësoj si ata, do t’i refuzonin mandatet e deputetit.
Tani që 19 kandidatë nga listat e PD e LSI kanë marrë mandatin përkundër dëshirës së partive të tyre, tregon se kjo shpresë mund të ketë qenë e gabuar.
Disiplina në LSI duket se ka rënë plotësisht. Në vitin 2017, LSI fitoi 19 vende në parlament pas largimit nga koalicioni qeverisës me PS-në. Deri tani, 10 nga këto mandate janë rimarrë nga deputetët “renegatë”.
Situata duket pak më mirë tek Partia Demokratike dhe kandidatët që sfiduan disiplinën dhe vendimin partiak duket se i përkasin pjesërisht aleatëve më të vegjël që PD vendosi në listën e saj në vitin 2017, si Partia e Ballit Kombëtar (PBK) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNj). Këta të fundit nuk janë anëtarë të PD-së ndaj priren më pak që të respektojnë vendimin e partisë.
Me zhvillimet e fundit, mund të shohim dhe nëse shumica socialiste do të mund të arrijë 84 votat e nevojshme për të miratuar ligje të rëndësishme si për shembull Reforma Zgjedhore. PS ka aktualisht 75 deputetë, por dhe katër deputetë që nuk kanë grup parlamentar (Elena Xhina, Gjetan Gjetani, Reme Lala, Tom Doshi) votojnë pro nismave ligjore të shumicës socialiste.
Sjelljet e fundit gjatë votimeve në parlament na bëjnë të kuptojmë se dhe deputetët e rinj do ta përkrahin PS-në për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, veçanërisht deputetët e rinj nga listat e LSI-së.
Në dy votimet e fundit, gjatë seancës parlamentare të 28 marsit, për ratifikimin e një marrëveshje bashkëpunimi me Malin e Zi dhe për ligjin e diskutueshëm të vetingut në policisë, 6 deputetë të opozitës bashkuan votat me shumicën socialiste: Majlinda Halilaj dhe Lefter Maliqi nga PD, dhe Nimet Musaj, Ralf Gjoni, Ediola Braha dhe Edlira Hyseni nga LSI.
Këto numra na tregojnë se PS do të mund të ketë një shumicë të cilësuar në parlament.
Për më tepër, duket se ka konfuzion nëse deputetët e rinj janë apo do të jenë anëtarë të ndonjë grupi parlamentar dhe si të tillë, nëse do të kenë të drejtë për mbështetje financiare, hapësirë për zyra etj.
Nga PD vetëm Myslim Murrizi dhe Rujdina Hajdari, të cilët refuzuan të japin dorëheqjen nga mandatet e tyre, janë regjistruar si anëtarë të PD-së në tabelat e votimit në parlament. Nga LSI, vetëm 5 deputetë janë të regjistruar si anëtarë, ndërsa 5 të tjerë janë “deputetë jashtë një grupi parlamentar”.
Gjithashtu duket se Parlamenti i ka larguar plotësisht deputetët e opozitës nga faqja e internetit, ku tani listohen vetëm “Partia Socialiste” dhe “Deputetët jashtë grupeve parlamentare”. Kategoria e fundit, megjithatë, përjashton ata anëtarë të LSI e PD që kanë marrë mandatet rishtazi.
Prandaj duket se edhe vetë Parlamenti nuk e di më se cili deputet i takon cilës parti. Por ajo që është e qartë është se qeveria duket se ka gjetur një rrugëdalje nga ky rebus politik dhe për sa kohë që Gjykata Kushtetuese nuk mund të thotë nëse parlamenti i tanishëm është kushtetues apo jo, qeveria ka numrat për të vazhduar më tej me punën në kuvend, teksa injoron protestat e opozitës.