Shumica socialiste nuk ka mundur të miratojë sot amendimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që i jepnin kompetencat e KLGJ-së e KLP-së, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Që të miratoheshin këto ndryshime duheshin 84 vota, por shumica socialiste gjatë seancës kishte vetëm 75 vota.
Ndërkohë opozita bojkotoi seancën në shenjë proteste ndaj votimit të ligjit për shembjen e Teatrit, në seancën e së enjtes.
Projektligji që do të diskutohet sërish në seacën e radhës, në rast se miratohet i jep të drejtën KLD-së dhe PPP-së, të emërojnë gjyqtarët e prokurorët e rinj të dalë nga Shkolla e Magjistraturës.
Me ndryshimet e bëra nga reforma në drejtësi, kjo e drejtë ishte vetëm e KLGJ-së dhe KLP-së, institucione të paformuara akoma si pasojë e vonesave të shumta të procesit të vetingut.
Ky projektligj u kundërshtua nga opozita. Sipas PD-së dhe LSI-së, miratimi i këtij projekligji do të thotë de facto kapje e sistemit të drejtësisë nga qeveria socialiste, e cila ka emëruar Prokuroren Arta Marku dhe anëtarët e KLD-së, mes të cilëve është dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.