Shumica socialiste është tërhequr nga kërkesa për të shkarkuar presidentin Meta.
Të premten, gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor për Metën, relatorja, deputetja socialiste Klotilda Bushka u shpreh se presidenti ka bërë shkelje gjatë emërimeve të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe në dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit por nuk janë të mjaftueshme për ta shkarkuar:
“Rezultuan disa shkelje si në kuadër të ushtrimit të kompetencave për shkeljet, por edhe emërimet në Kushtetuese, që analizohen në raport. […]janë shkelje që kanë natyrë që diktojnë marrjen e masave të menjëhershme për plotësimin e aktit kushtetueses për evitimin e situatave bllokuese, por nuk janë të mjaftueshme për të justifikuar shkarkimin e Presidentit..”
Komisioni Hetimor do të dorëzojë raportin final në Kuvend dhe duket se në të do të ketë dy qëndrime: një të shumicës socialiste dhe një të opozitës parlamentare, e cila ende nuk ka lexuar raportin e saj.
Komisioni hetimor u miratua në 8 korrik 2019, me një afat 3 mujor, por më pas ky afat u shty disa herë.
Komisioni e akuzonte zotin Meta për shkelje të Kushtetutës për shkak të anullimit të dekretit të për caktimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhjet vendore dhe dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
Komisioni përbëhet nga 5 deputetë të shumicës socialiste (Hyseni, Fino, Bushka, Manja, Hysi) dhe 4 deputetë të opozitës (Alimadhi, Zeneli, Valteri, Rryçi).