Shumica socialiste vendosi ti dërgojë sërisht pyetje Komisionit të Venecia në lidhje me dekretimin e Marsida Xhaferllarit si anëtarë e Gjykatës Kushtetuese. Gjatë mbledhjes së sotme të Komsionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Meta, deputetja Klotilda Bushka propozoi pesë pyetjet e mëposhtme:
- A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, kur ai apo ajo në konsiderohen të emëruar. Në këtë rast a konsiderohet e cënuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
- Emërimi i një gjyqtari Kushtetues, tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të emëruar të miratuar nga KED a e cënon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj, a ndikon kjo në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancinë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor
A bie ndesh kjo frymën e mekanizmave zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese ? - A është në përputhje me standardet më të mira zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin Kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet e emëruar ky gjyqtar?
- Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim për të plotësuar kushtin e betimit për të filluar ushtrimin e detyrës në situatën kur konsiderohet i emëruar për efekt të ligjit?
- Cilat mund të ishin zgjidhjet të standardeve më të mira për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin përkatës?
Komisionit Hetimor vendosi të zgjeronte objektin e tij, duke përfshirë dhe ngërçin kushtetues për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë fakt, shumica socialiste do të thërrasë si dëshmitar, kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin.
Komisioni parlamentar për shkarkimin e Presidentit Meta u ngrit në korrik të këtij viti. Kuvendi e akuzon zotin Meta për shkelje të Kushtetutës për shkak të anullimit të dekretit të për caktimin e datës 30 qershor si datë për zgjedhjet vendore .