Shumica socialiste do të votojë sot në parlament, në shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit, ligjin për Teatrin Kombëtar, që i hap rrugë prishjes së godinës së teatrit dhe ndërtimit të kullave në atë zonë.
Dy ditë më parë, në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme, gjatë një seance të vetme, Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese miratoi dekretin e Presidentit që rrëzon ligji, paraqitën amendime për disa nene dhe i miratuan këto amendime, duke e kaluar ligjin tashmë të ndryshuar de jura, direkt për votim në kuvend. Siç e kemi shpjeguar këtu, ndryshimet e bëra nga socialistët në komision nuk reflektojnë asnjë nga shkeljet e ngritura në dekretin e Presidentit, që po të njëjtën deputetë në të njëjtin komision e miratuan.
Miratimi i ligjit të ndryshuar kërkon 71 vota, të cilat shumica socialiste i ka – ligjin e mëparshëm “Fusha shpk”, shumica socialiste e miratoi e vetme, me 75 vota.
Ndërkohë opozita do të vazhdojë bojkotin e parlamentit dhe do të zhvillojë takime në Vlorë. Megjithatë, si Partia Demokratike ashtu dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë shprehur hapur kundër miratimit të ligjit që i hap rrugë shembjes së Teatrit dhe ndërtimit të kullave në atë zonë.
Kreu i PD-së Lulzim Basha, një ditë më parë, i kërkoi deputetëve socialist të mos e miratojnë ligjin antikushtetues:
“Ligji Rama-Fusha është një ligj antikushtetues dhe duhet të rrëzohet në Parlament. I them sot çdo deputeti të Rilindjes që do të jetë në atë sallë se votimi i një ligji që i hap rrugë shkatërrimit të teatrit është i papranueshmë për PD. Është akt grushti shteti dhe vendos çdo deputet të Rilindjes në pozita të barabarta me terroristët.”
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili, po ashtu, tha se miratimi i një ligji antikushtetues në parlament tregon se parlamenti është kapur nga maxhoranca socialiste:
“Çështja e teatrit që nga fillimi deri në fund, në të gjitha etapat dhe me finalizimin në Kuvend, e ka vënë vendin përpara situatës së çbërjes së parlamentit. Pasi parlamenti, një komision parlamentar i caktuar me urdhër të kryeministrit ka vendosur të çojë në sallë ligjin më të paligjshëm në botë. Këta në mënyrën më antikushtetuese në botë, në vend të miratojnë dekratin dhe të thonë ‘Po’ apo ‘Jo’, thonë ne gjejmë sebep për ta ndryshuar ligjin.
I jemi drejtuar me shkrim kryetarit të Parlamentit që mos ndërmarri hapin e shpërbërjes së Parlamentit, pasi futja e një ligji të tillë do të thotë që parlamenti nuk është më institucioni që vepron me kushtetutë por vepron sipas urdhërave të mazhorancës.”