Dhunë me gjobvënie: policia vendos 80 mijë euro gjoba në një ditë

Nga Exit News
Dhunë me gjobvënie: policia vendos 80 mijë euro gjoba në një ditë

Si asnjëherë më parë gjatë epidemisë, policia vuri – gjatë 24 orëve të datave 13-14 prill, – rreth 10 milionë lekë gjoba ose ndryshe, 80 mijë euro.

Policia njoftoi mesditën e së martës se kishte gjobitur 729 qytetarë dhe 19 sipërmarrës me 9 970 000 lekë:

  • 719 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me nga 10 000 lekë;
  • 9 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes në parqe u gjobitën me nga 20 000 lekë;
  • 19 pronarë dyqanesh e lokalesh që vazhduan aktivitetin përtej kufizimit të orarit u gjobitën me nga 100 000 lekë;
  • 1 qytetar që nuk respektoi karantinën u gjobit me 700 000 lekë;

Më parë dita me më shumë gjoba kishte qenë e premtja, 10 prill, me 40 mijë euro gjoba.

Prej së hënës policia ka nisur të përdorë dronë për vëzhgimin e lëvizjeve të qytetarëve, gjë e cila mund të shpjegojë dyfishimin e ndëshkimeve.

Megjithëse kufizimi i lëvizjeve, prej 13 prillit, është lehtësuar me orar 05:00 deri në 17:30, qytetarëve nuk u lejohet lëvizja e padeklaruar për një kohë prej 90 minutash.

Njësoj nuk lejohet lëvizja me makinë përtej dy orareve 05:00-8:00 dhe 16:00-17:30. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu bëri thirrje qytetarëve të mos abuzojnë me autorizimet, pasi nuk do të tolerohen.

Prej 16 marsit, kur u vendosën masat e kufizimit, policia ka gjobitur më shumë se 5 500 qytetarë dhe mbi 250 sipërmarrës me një total prej rreth 90 milionë lekësh, ose ndryshe mbi 700 mijë euro.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>