Ministria e Financave ka hartuar një draft-udhëzim për lehtësimin fiskal të biznesit të madh dhe të vogël nga dëmet e tërmetit.
Sipas udhëzimit të publikuar nga Monitor, të gjitha mallrat dhe objektet e shkatërruara nga tërmeti do të quhet shpenzime të zbritshme. Pra, shpenzimet e kryera për to nuk do të tatohen.
Sipas udhëzimit, bizneset duhet të paraqesin një listë të detajuar me përshkrimin e mallrave dhe aktive që janë dëmtuar dhe shkatërruar, faturat e blerjes së mallit të dëmtuar apo shkatërruar, si dhe të ndërtesës.
Për dokumentacionin e ndërtesës, biznesi duhet të paraqesë kontratën e qirasë, apo të pronësisë. Përveç këtyre biznesi duhet të dorëzojë edhe raportin nga institucionet, akt-ekspertimet dhe akt-konstatimet nga grupet e eskpertëve, për dëmin e ndërtesës ku operon.
Ministria e Financave lajmëroi më 28 dhjetor se kishte hartuar një sërë masash lehtësuese për bizneset e prekura nga tërmeti. Drejtori i Përgjithshëm Nikolla Lera tha se bizneset nuk do të gjobiten për vonesat në deklarimet tatimore.
Pas tërmetit, Dhoma e Tregtisë së Durrësit i kërkoi qeverisë përjashtimin e përkohshëm nga tatimet e taksat të bizneseve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. Kryetari i Dhomës së Tregtisë Alban Isteri i propozoi qeverisë 8 kërkesa më qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në Durrës dhe ringritjen e bizneseve të dëmtuara.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjithashtu i paraqiti një plan me 5 pika për të ndihmuar bizneset me politika fiskale që të mos falimentojnë pas dëmeve të tërmetit.