Me arritjen e dakordësisë në Këshillin Politik për zgjedhjen e antarëve të Komisionit të ri Zgjedhor, opozita ka marrë garancinë e kërkuar për të siguruar “që KQZ të mos ketë persona që janë të inkriminuar politikisht”.
Kështu u shpreh përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshill, Oerd Bylykbashi.
Petrit Vasili i LSI tha se opozita jashtëparlamentare tashmë ka vetëm një kusht: zbatimin e reformës zgjedhore të dakordësuar mes palëve.
Sipas mazhorancës , kjo marrëveshje nuk e bën ligjin zgjedhor më të mirë.
“E rëndësishme është që kemi një ligj zgjedhor të gjithëpranuar, jo më i mirë por që rregullat e lojës të jenë pranuar nga palët.” – tha Damian Gjiknuri.
Deputetja Rudina Hajdari tha se opozita parlamentare do të vazhdojë të kërkojë ndryshimin e sistemit zgjedhor në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku ka të drejtën e vetos.
“Do i shqyrtojmë të gjitha propozimet e ardhura nga kjo marrëveshje dhe do të shtojmë ato elementë që opozita parlamentare do që të fus në këtë draft. Kjo [ndryshimi i sistemit] do të arrihet sepse vota janë të unifikuar të opozitës parlamentare.” – tha Hajdari.