Si u devijua EURALIUS nga misioni i tij për t’i venë të gjitha pushtetet nën kontrollin e qeverisë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Si u devijua EURALIUS nga misioni i tij për t’i venë të gjitha pushtetet nën kontrollin e qeverisë

Javën e kaluar Exit.al raportoi se si misioni i BE-së për ndihmën teknike në drejtësi, EURALIUS IV, ka qenë nën drejtimin e “Komitetit Drejtues”, i cili përveç zyrtarëve të BE-së dhe qeverisë shqiptare, ka si anëtar dhe avokatin Maks Haxhia, në kapacitetin e kryetarit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë (DHKA).

Njëkohësisht, Maks Haxhia është, që prej shtatorit 2017, avokati që përfaqëson dhe mbron ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri përballë Prokurorisë dhe Gjykatës së Krimeve të Rënda. Po ashtu, së fundmi, Haxhia përfaqësoi edhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja përballë Komitetit të Pavarur të Kualifikimeve, gjatë procesit të tij të vetingut.

Së fundmi, drejtimi i çështjes mbi Saimir Tahirin është marrë nga Donika Prela, shoqe e ngushtë e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, e cila e vuri atë në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi shkarkoi nga ky post Besim Hajdarmatajt, prokurorin e dosjes Habilaj-Tahiri. Disa javë pas kësaj lëvizje, gjykata hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpiak” për Tahirin, i cili tani pret i lirë gjykimin për korrupsion dhe pjesëmarrje në një organizate kriminale.

Siç e kemi theksuar më parë, Marku u zgjodh pasi EURALIUS, i drejtuar nga Komiteti Drejtues ku Haxhia ishte anëtar, hartoi një “opinion ligjor” i cili e këshilloi shumicën socialiste që, në mënyrë të njëanshme dhe antikushtetuese, të emëronte një Prokuror të Përgjithshëm “të përkohshëm”.

Kështu, kemi një zinxhir të qartë ngjarjesh që lidhin hartimin e këtij “opinioni ligjor” nën drejtimin e Komitetit Drejtues dhe mënyrës se si është zvarritur hetimi penal i Tahirit përmes emërimeve politike pasi ky “opinion ligjor” solli në krye të prokurorisë të përzgjedhurën e shumicës socialiste.

Në fakt, Haxhia është në konflikt të qartë interesi, pasi ai është pjesërisht përgjegjës për opinionin ligjor që lejoi politizimin e Prokurorisë, veprim nga i cili ka përfituar një nga klientët e tij. Ky konflikt interesi bëhet edhe më i qartë, po të kemi parasysh se ekspertët “profesionalë” dhe “neutralë” të EURALIUS-it punonin edhe në zyrat e Dhomës Kombëtare të Avokatisë të drejtuar nga Haxhia. Në faqen 164 të Raportit Përfundimtar të EURALIUS-it për periudhën 1 shtatori 2014 deri më 31 maj 2017 pohoet:

“Një ekspert i EURALIUS-it menjëherë krijoi një lidhje të ngushtë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, dhe ai u vendos në zyrat e saj.”

Leximi i Raportit Përfundimtar na jep një ide të qartë se si  Komiteti Drejtues arriti ta ndryshonte misionin e EURALIUS-it nga mision të financuar nga Komisioni Europian për dhënien e ndihmës juridike ndaj pushtetit ekzekutiv në një institucion kolonial, i cili ndikoi të gjitha degët e pushtetit, duke minuar ndarjen e pushteteve, dhe i vendosi ato — përmes rishikimeve të kryera nga Komiteti Drejtues — nën kontrollin, në një shkallë të caktuar, të qeverisë.

Për shembull, Termat e Referencës origjinale të EURALIUS-it përmbanin aktivitetin 1.1.2 “Hartimi ose ndryshimi i ligjeve dhe akteve nënligjore të nevojshme të kërkuara nga strategjia”, të përcaktuar si më poshtë:

“Mbështetje për zbatimin dhe mbikqyrjen e Strategjisë së Re të Reformës së Drejtësisë dhe planit të saj të veprimit, ndër të tjera, duke ndihmuar Ministrinë e Drejtësisë në hartimin ose ndryshimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të nevojshme të cilat kërkohen nga strategjia. Të sigurojë që këto masa të marrin në konsideratë masat përkatëse të strategjisë kundër korrupsionit.”

Megjithatë, Komiteti Drejtues e rishikoi përshkrimin e këtij aktiviteti në mënyrë që ai të përfshijë në mënyrë të qartë edhe Kuvendin, përfaqësuar nga Kryetari i atëhershëm i Komisionit Ad Hoc për Reformën në Drejtësi dhe Ministër aktual i Brendshëm Fatmir Xhafaj:

“Mbështetje për zbatimin dhe monitorimin e Strategjisë së Re të Reformës në Drejtësi dhe planit të saj të veprimit, duke ndihmuar procesin e vazhdueshëm të hartimit dhe konsultimit në Parlament dhe Ministrinë e Drejtësisë, në hartimin ose ndryshimin e ligjeve dhe akteve nënligjore të nevojshme të cilat kërkohen nga strategjia. Të sigurojë që këto masa të marrin në konsideratë masat përkatëse të strategjisë kundër korrupsionit.”

Kështu, Parlamenti u shtua si një nga “objektivat” e EURALIUS-it, edhe pse ai nuk ishte pjesë e Procedurave Standarde të Veprimit të përcaktuara në kontratën e tyre, të cilat në mënyrë të qartë lejojnë kontakte vetëm me degën ekzekutive, por jo me degën legjislative të pushtetit. Dhe ky lloj kufizimi ka një arsye të shëndoshë: Komisioni Evropian është një organ ekzekutiv, i cili i ofron ndihmë nëpërmjet EURALIUS-it një organi tjetër ekzekutiv.

Është detyrë e Parlamentit dhe e Gjykatës Kushtetuese të kontrollojnë propozimet ligjore të ardhura nga qeveria me ndihmën e EURALIUS-it. Por duke i lejuar EURALIUS-it që të ndihmojë “procesin e hartimit dhe këshillimit të vazhdueshëm në Parlament”, Komiteti Drejtues, në thelb, shkatërroi autoritetin e parlamentit dhe minoi procesin legjislativ.

Një shembull tjetër është Aktiviteti 2.5.1 “Procedurat e reja disiplinore për avokatët dhe kërkesat e reja për sigurimin ndaj përgjegjësisë profesionale”, të përcaktuar fillimisht si më poshtë:

“Mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë (DHKA) në zbatimin e Ligjit për Profesionin e Avokatit, procedurat e reja disiplinore për avokatët dhe kërkesat e reja për sigurimin ndaj përgjegjësisë profesionale.”

Kjo pikë ka kuptim, sepse Ministria e Drejtësisë dhe dega ekzekutive e pushtetit, në përgjithësi, duhet të jenë përgjegjës për ekzekutimin (zbatimin) e ligjeve. Megjithatë, Komiteti Drejtues e rishikoi edhe këtë pikë duke e bërë:

“Mbështetje për Parlamentin dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë (DHKA) në zbatimin e Ligjit për Profesionin e Avokatit, procedurat e reja disiplinore për avokatët dhe kërkesat e reja për sigurimin endaj përgjegjësisë profesionale.”

Parlamenti nuk ka rol në zbatimin, por në hartimin dhe diskutimin e ligjeve. Përsëri Komiteti Drejtues e mjegulloi dallimin midis degës ekzekutive dhe asaj legjislative, duke lejuar që njëra të marrë rolet e tjetrës, duke e destabilizuar më tej sistemin politik dhe duke lejuar kapjen e të gjitha degëve të pushtetit nga qeveria.

Tani le të shqyrtojmë shkurtimisht termat e referencës për ato aktivitete të EURALIUS-it të cilat Komiteti Drejtues i anulloi dhe i hoqi nga detyrimet e misionit EURALIUS:

— Aktiviteti 1.2.6: Mbështetje për Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave të Ministrisë së Drejtësisë për procedurat e prokurimit dhe shpërndarjen optimale të burimeve.

— Aktiviteti 1.3.2: Mbështetja e institucioneve shqiptare të shoqërisë civile në përpjekjet e tyre për të ofruar ndihmë juridike, në koordinim me Komitetin Shtetëror për Ndihmën Juridike dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë.

— Aktiviteti 4.2.1: Mbështetje për Ministrinë e Drejtësisë (Drejtorinë e Kodifikimit) për një rishikim të çështjeve që mbulohen nga Kodi Civil ,me qëllim të përditësimin e Kodit Civil, sidomos në kuadër të harmonizimit me acquis të BE-së.

Pra, përveç dëmtimit të procesit të rregullt legjislativ, Komiteti Drejtues—i përbërë nga zyrtarë të qeverisë shqiptare, ambasadorë të huaj dhe përfaqësues të tjerë si Maks Haxhia—refuzoi mbështetjen për përmirësimin dhe mbikëqyrjen e procedurave të prokurimit publik, për ndihmën juridike të ofruar nga shoqëria civile dhe për përmirësimin e Kodit Civil në përputhje me standardet e BE-së.

Natyrshëm, lind pyetja: të kujt janë këto prioritete, të Komisionit Evropian apo të qeverisë shqiptare?

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>