Si i gënjeu Kryeministri Rama banorët e zonës së Bulevardit të Ri

Si i gënjeu Kryeministri Rama banorët e zonës së Bulevardit të Ri

Qeveria Rama vendosi përjashtimin e ndërtimeve informale nga shpronësimi kundrejt dëmshpërblimit që me ardhjen e saj në pushtet. Rasti i parë kur ajo e aplikoi këtë qasje ishte projekti i Bulevardit të ri.

Projekti i Bulevardit të Ri u nis në vitin 2012. Ish-kryebashkiaku Basha dhe qeveria Berisha pohuan para nisjes së punimeve se  banesat që do të prekeshin nga ky projekt do të dëmshpërbleheshin të gjitha, pavarësisht nëse ishin të ligjshme apo jo.

Me nisjen e zbatimit të projektit, qeveria Berisha miratoi Vendimin 752, date 5 shtator 2013, ku përcaktoi shpronësimin e banesave që do të shembeshin, procedurën dhe vlerën e dëmshpërblimit të tyre.

Duke qenë se ndërtimi i bulevardit dhe zhvillimi i zonës ishte planfikuar në disa faza, edhe shpronësimet u vendosën të kryeheshin në disa faza. Vetëm për fazën e parë të shpronësimeve, që përfshinte banesat në gjurmën e ndërtimit të bulevardit, qeveria miratoi një fond dëmshpërblimi prej afërsisht 14 milionë euro.

Ajo që është më e rëndësishme është se në zbatim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të vendit, qeveria dhe bashkia vendosën shpronësimin e të gjithë banorëve, edhe të atyre që ishin në proces legalizimi ose ishin kualifikuar për legalizimin nga ALUZINI.

Pika 4 e VKM-së 7752 shprehet:

Për objektet informale, pagesat për shpronësim nga Bashkia e Tiranës përfundojnë kur poseduesi i objektit/shtesës pa leje i nënshkruan Bashkisë së Tiranës deklaratën, sipas aneksit A të këtij vendimi.

Pas ardhjes në pushtet, Kryeministri Rama vendosi në vitin 2014 të ndalonte punimet për ndërtimin e Bulevardit të Ri. Argumenti që Kryeministri përdori për bllokimin ishte se masa e caktuar shpërblimit ishte më e vogël se sa vlera e tregut në atë kohë. Me fjalë të tjera, Kryeministri Rama e bllokoi procesin e shpronësimit me qëllim që të “mbronte” interesat e banorëve që do të shpronësoheshin duke pretenduar se ata duhet të dëmshpërbleheshin më shumë nga sa u kishte caktuar qeveria Berisha.

Me ardhjen në krye të Bashkisë Tiranë të Erion Veliajt në vitin 2015, Kryeministri zhbllokoi menjëherë punimet dhe vendosi të zbatojë vendimin e shpronësimit të vitit 2013 të qeverisë Berisha, me të njejtin fond të miratuar nga Qeveria Berisha.

Vetëm se ndërsa qeveria Berisha e kishte planifikuar këtë shumë vetëm për familjet që do të shpronësohen në fazën e parë të punimeve, qeveria Rama vendosi që kjo shumë të përdorej për të gjitha ndërtimet pa shtuar asnjë fond tjetër.

Pra, megjithëse e kishte ndaluar ndërtimin e Bulevardit duke kritikuar masën e shpërblimit, qeveria Rama jo vetëm që nuk e rrit masën, por përdori fondin e planifikuar për vetëm një pjesë të banesave të shpronësuara, për dëmshpërblimin e te gjitha banesave të shpronësuara.

Akoma më keq, qeveria Rama përjashtoi një pjesë të banesave nga dëmshpërblimi. Ndërsa vendimi i qeverisë i vitit 2013, parashikonte dëshpërblimin edhe të banesave të palegalizuara, në vitin 2015, qeveria ndryshoi ligji për legalizimin, për të përjashtuar nga procesi i legalizimit ndërtesat që cënojnë punët me interes publik—Neni 39 i ndryshuar i ligjit sanksionoi përjashtimin nga procesi i legalizimit të të gjitha ndërtesave që pengonin punët publike.

Ndërkohë shumica e familjeve ne banesa informale në zonën zhvillimore të Bulevardi i Ri kishin aplikuar tashmë për legalizimin e ndërtimeve të tyre, por duke ndryshuar ligjin e legalizmeve, Kryeminstri Rama u hoqi atyre mundësinë e shpronësimit, të cilën ua kishte dheneë qeveria Berisha.

Si rezultat, 44 banesa në gjurmën e Bulevardit u përjashtuan nga legalizimi, dhe presin të shëmben nga ditë në ditë pa asnjë dëmshpërblim. Ky qëndrim sikurse kemi shpjeguar në një sërë artikujsh për rastin e Unazës së re, është shkelje e konventave ndërkombëtare, Kushtetutës dhe e Ligjit për Strehimin Social.

Ndërkohë, në të njëjtën mënyrë si me banorët e zonës e Bulevardit të Ri, Kryeministri Edi Rama ka vepruar edhe me banorët e Shkozës para më shumë se një viti dhe po vepron tani me ata të Unazës së Re.

Ndonëse një pjesë e banorëve të cilët preken nga projekti i zhvillimit të Unazës së Re kanë filluar procesin e legalizmit dhe kanë paguar tarifën e legalizmit dhe taksën e infrastrukturës që kërkon procesi i legalizimit, qeveria Rama ua ka ndërprerë këtë proces papritur.

Arsyeja është e thjeshtë, qeveria nuk do të paguajë për shpronësimin e banorëve, pavarësisht të drejtave të tyre. Kjo qasje përveçse shkelje e të drejtave njeriut dhe e ligjeve,  është qartazi një ndryshim rrënjësor nga precedenti i vendosur nga qeveria e mëparshme demokrate.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>