Si ka ndodhur ngjarja Maloku-Rraja, nga dhunimi sistematik deri tek kërcënimet e nënkomisarit Nuhu – Exit shpjegon

Si ka ndodhur ngjarja Maloku-Rraja, nga dhunimi sistematik deri tek kërcënimet e nënkomisarit Nuhu – Exit shpjegon

Një ditë më parë, gazetari Basir Çollaku bëri publike intervistën e policit të policisë gjyqësore Krujë Emiljano Nuhu që tregon se si është kërcënuar nga deputetët socialist Taulant Balla e Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi për të mos hetuar djalin e deputetit Rraja, i akuzuar për përdhunim.

Më poshtë po japim me fjalët e Emiljano Nuhut si ka ndodhur ngjarja në mënyrë kronologjike.

Kush është Xhensila Maloku?

Xhensila Maloku, 25 vjeç, jeton vetëm më mamanë, babanë ja kanë vrarë në ‘97 dhe kjo ka qenë shkaku i keqtratimit në mënyrë të vazhdueshme nga këta persona dhe nuk ka dhënë kallzim, por ka dhënë një deklaratë te inspektori i rendit që është mbyllur problemi dhe nuk kemi probleme, me këtë është mbyllur historia në komisariatin numër 6.

Xhensila Maloku vazhdon të jetë e kërcënuar sepse është pa mbështetje nga familja. Është pa baba, jeton vetëm me nënën dhe jeton në afërsi me zonën e Niklës dhe kërcënohet gjatë gjithë kohës nga këta persona.

Kush janë personat e familjes Rraja, si njihen në Krujë?

Ata janë persona me preçedentë të theksuar kriminal, të dënuar me nga dy-tre vepra penale. Lëvizin gjithmonë të armatosur në zonën e Krujës, Fushë-Krujës me armë dhe me makina të blinduara, por nuk merr guximin njeri t’i ndalojë për shkak të lidhjeve që kanë.

Personat e inkriminuar, siç e përmenda janë pjesëtarë të një grupi kriminal shumë të fuqishëm në zonën e Niklës që ka mbështetjen e deputetëve që ishin prezentë, ka mbështetjen e drejtuesve të policisë lokale, të policisë, për shkak se asnjë veprim nuk u mor ndaj tyre.

Rexhep Rraja ka qenë i hetuar nga prokuroria për kanosje me armë zjarri gjatë zgjedhjeve të qershor 2017, për manipulim me votat.

Si është dhunuar Xhensila Maloku?

Hera e parë:

Në fund të viti 2017, Xhensila Maloku “ka shkuar për të bërë kallzim në komisariatin numër 6 në Tiranë për të njëjtën [arsye, dhunim nga ana e Rexhep Rrajës]”.

Por “oficerët e policisë gjyqësore së bashku me shefin e krimeve kanë marrë informacione [..] që bëhesh fjalë për djalin e deputetit të Krujës [Rrahman Rraja], nuk i kanë marrë kallzimin, kanë njoftuar deputetin sëbashku me djalin e tij Rexhep Rraja. Ai ka ardhur me njërëzit, disa njerëz të tjerë” [..] e kanë nxjerrë shtetasen Xhensila Maloku dhe e kanë kërcënuar në ambientet e jashtme duke i thënë që do të vrasim në qoftë se jep kallzim”.

Hera e dytë:

Më pas kjo shtetase është keqtrajtuar përsëri nga janari a shkurti i vitit 2018.

Në janar ose shkurt i vitit 2018 ka shkuar në komisariatin e Krujës. Kur ka shkuar te komisariati i Krujës ka qenë e gjakosur, e dhunuar dhe përdhunuar në hotel ku ka kryer marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj.

Në momenti që ka shkuar në komisariat, policët kanë “njoftuar deputetin dhe kryetarin e bashkisë së bashku me njerëzit e vet, Xhelal Rrajën që është i vëllai dhe është gjithmonë aty prezent dhe kanë shkuar direkt te komisariati ku kanë folur me drejtuesit e policisë që ndodheshin aty dhe e kanë rregulluar që kjo shtetase të mos jepte kallzim”.

Shefi i komisariatit të Krujës në atë kohë i ka thënë [Xhensila Malokut] që “ai që të do të rreh prandaj mos jep kallzim për këtë problem. E kanë bindur me të gjitha format dhe ajo nuk ka dhënë përsëri kallzim. Aty ka qenë prezent kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi që ka vajtur në komisariat gjatë kësaj kohe”.

Hera e tretë:

Më 19 korrik 2018 [Xhensila Maloku] “është përdhunuar, është rrahur, është dhunuar tek hotel ‘Boçi’ në Fushë Krujë dhe në 20 korrik ka shkuar në komsariatin numër 3 Tiranë”.

“Në komisariat kanë shkuar shumë shpejt, janë njoftuar nga oficerët e policisë gjyqësore që kanë qenë prezent, deputeti Rrahman Rraja, djali i tij Rexhep Rraja, shtetasi Xhelal Rrhja i cili është vëllai i deputetit dhe persona të tjerë që kanë shkuar. Në prani të oficerëve e kanë marrë shtetasen Xhensila Maloku, e kanë nxjerrë përjashta, aty e ka futur në makinë Rexhepi”.

Më 21 korrik të njëjtët persona e kanë kërcënuar shtetasen në komisariatin dhe kjo shtetase është bindur dhe nuk ka dhënë kallzim për shkak të frikës që ka pasur nga këta persona.

Gjatë kësaj kohe Rexhepi ka ushtruar presion që nuk do të japësh kallzim se unë do të vras. I ka nxjerrë një pistoletë model TT ku ja ka vendosur në bark. I ka thënë do të vras në qoftë se jep kallzim se na more në qafë.

E ka bindur nën kërcënimin e armës, e ka detyruar. E gjendur në ato kushte është detyruar që të mos japi kallzim dhe deputeti Rrahman Rraja me njohjet e veta më influencën e vet dhe si deputet i Partisë Socialiste ka rregulluar marrëdhëniet me oficerët e policisë gjyqësore që ata të mos vazhdonin veprimet për t’i marrë kallzim por t’i merrnin një deklarim te inspektori i rendit që problem që patëm u sqaruam dhe nuk kemi asnjë problem.

Mbas këtij problem kanë ardhur në Fushë Krujë ku ajo ka shkuar në banesën e saj e shoqëruar nga këta persona. Këta kanë vazhduar rrugën e tyre.

Në datën 21, është ngritur  që në mëngjes dhe ka shkuar për ta ribërë kallzimin, nê komisariatin numër 3. Ka deklaruar nuk kisha besim të vija në komisariatin e policisë Krujë për të dhënë kallzim as në stacionin e Policisë Fushë Krujë, pasi kam vajtur e gjakosur dhe nuk ma ka marrë njeri kallzimin.

Mbas shumë përpjekjeve oficerët e policisë gjyqësore që kanë qenë atë ditë në datë  21 korrik 2018 e kanë marrë kallzimin dhe deklarimin siç e ka shpjeguar e dëmtuara me detaje dhe për moskompetencë, për shkak se ngjarja ka ndodhur në zonën e Fushë Krujës ja kanë nisur me e-mail kallzimin komisariatit të policisë Krujë.

Pas marrjes së kallzimit, policët e Komisariatit numër 3 Tiranë, e kanë përcjell në komisariatin e Fushë Krujës sepse ishte jashtë kompetencave të tyre. Nënkomisari Emiljano Nuhu atë ditë ka qënë oficer i policisë gjyqësore i gatshëm në stacionin e policisë Fushë Krujë. Ka njoftuar Rexhep Rrajën dhe i ka komunikuar masën e arrestit. Më pas ka telefonuar babin e tij, deputetin Rrahman Rraja.

Në zyrën e nënkomisarit janë shfaqur vëllai i deputetit Xhelal Rraja, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë Krujë Artur Bushi. Pasi nënkomisari i ka bërë të ditur personave arrestimin e Rexhep Rrajës, Xhelal Rraja e ka kërcënuar me armë në kokë dhe i “ka thënë hiqi duart dhe s’do flasësh me asnjë njeri në telefon dhe këto gjëra do të mbeten vetëm këtu në zyrë përkundrazi do të zhduk”.

Në prani të vëllait të tij, deputetit Taulant Balla, dhe kryetarit të bashkisë, të cilët “i kanë thënë hiqe pistoletën nga koka e oficerit se është djali i mirë oficeri nuk i bën ato gabime. Njëkohësisht e tha Taulanti me Arturin në qetësi absolute. E thanë, nuk ishin as të irrituar, asgjë. I irrituar vetëm me kërcënime ishte Xhelali, vëllai i deputetit i cili nxori armën”.

Pasi personat, Xhelal Rraja, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, Taulant Balla dhe Artur Bushi u larguan nga zyra e Emiljano Nuhut, ky i fundit njoftoi shefin e komisariatit të Fushë Krujës, Artur Hebaj.

Hebaj i ka thënë se “merre me qetësi, mos u mërzit se flas unë me ta. Më pas më ka telefonuar përsëri shefi i komisariatit ku më ka thënë shiko lëri, fola me ata, mos u mërzit, merre me qetësi, lerë të merret me oficeri Gentjan Çitozi me problemin se i ka lidhje miqësore, se i ka mik shpije deputetin dhe e zgjidh ai situatën, ti mos u ngatërro më”.

Më pas, Nuhu lajmëroi Prokuroren e çështjes Mirela Kapo. Prokurorja i ka thënë “merr drejtuesit e tu dhe kërkoju ndihmë në rrugë institucionale. [..] Prokurorja tha neqoftëse është kështu problem le të merret oficeri Gentjan Çitozi me këtë, ti mos u ngatërro më”. Dhe në mënyrë private ajo i ka thënë “për mendimin tim mos u merr me këtë punë se ti del i humbur”.

Çështja i kalon oficerit Gentian Çitozi

Oficeri Gentian Çitozi pasi merr dosjen “informoi Rexhepin dhe deputetin “që të zgjidhet kjo punë duhet të shkoni të merrni shtetasin Xhensila tek banesa dhe të bëjmë një deklarim që ajo ka heq dorë nga të gjitha këto kallëzimet që ka bërë.”

Pas kërkesës së oficerit Gentian Çitozi, Rexhep Rraja e dhunon për herë të katërt Xhensila Malokun:

Personat “Rexhepi, Redjan Rraja, Ramazan Rraja dhe persona të tjerë, kanë shkuar atë natë tek shtëpia e Xhensilës ku e kanë marrë forcërisht, e kanë futur në makinë”.

E kanë marrë forcërisht te shtëpia e saj, e kanë sjellë në ambiente dhe gjatë rrugës e kanë kërcënuar, e kanë goditur, nën përdorimin e armëve dhe këtë e ka bërë shtetasi Rexhep Rraja që ka pasur letrën me vete. E kanë mbajtur rreth dy orë në ambientet e stacionit të policisë Fushë-Krujë duke e futur te zyra e oficerit dhe duke i bërë presion që do të firmosësh deklaratën që po përpilon oficeri sepse ky është miku ynë dhe ky e di si zgjidhen këto punë. Ajo nuk ka dashur të firmoste një deklaratë të tillë. Pas shumë përpjekjesh, ajo është bindur dhe e ka firmosur, pasi e kanë nxjerrë në ambientet e jashtme dhe e kanë kërcënuar disa herë”.

Në këto kushte ajo është detyruar të firmosë një deklaratë të oficerit Gentian Çitozi.

Në përpilim shkruhej që “Unë kam ardhur në stacionin e policisë Fushë-Krujë, për të hequr kallëzimet e bëra te Komisariati nr. 3 në Tiranë, për shtetasin Rexhep Rraja.”

U mbyll historia këtu dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Krujës, mbas shumë ndikimesh për përndjekje. Veprat e tjera penale nuk u referuan fare. Vetëm vepra më e lehtë, ‘përndjekje’ u referua në prokurori.

Më  datë 21 korrik, Xhensila Maloku e “kallëzoi [Oficerin Çitozi] tek zyrat e SHKB-së(Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm) në Durrës, që ky shtetas kishte shpërdoruar detyrën duke lejuar persona të tjerë që të hynin në zyrën e tij dhe ta kërcënonin në sy të oficerit”.

Në të njëjtën kohë, ish- Kryeministri Sali Berisha publikon një mesazh të dërguar në adresë të tij ku shkruhej se:

“Pas bërjes publike të mesazhit të Zotit Berisha, vajza e prekur del në media dhe deklaron se ka tërhequr kallëzimin dhe problemin e ka zgjidhur në mënyrë private me personin Rexhep Rraja.”

Në datën 27, çështja i kalon sërish nënkomisarit Nuhu. Ai pohon se  Prokurorja më tha që “do t’i vazhdosh hetimet se s’ka kush t’i vazhdojë njeri tjetër”. [..] Oficeri tjetër [Gentian Çitozi] nuk e mori përsipër sepse u pezullua në datë 22 korrik të vitit 2018”.

Më 30 korrik, Xhensila Maloku bën deklarimet e saj në zyrën e nënkomisarit Nuhu.

Në zyrën e Prokurores, në prani edhe të nënkomisarit Nuhu, eksperti  kriminalistikës ka bërë kqyrjen fizike të vajzës. Nga ekspertiza u konstatuan “dy shenja të zeza të nxjerrë në pjesën e kokës, e dëmtuar nga sende të forta, që ajo deklaron që është goditur me qytë pistolete gjatë kohës që ka qenë në hotel.”

Në datën 30 korrik, të vitit 2018, unë e kam ripyetur Xhensilën në zyrën time se ku i ka marrë deklarimet me detaje dhe cilat ishin arsyet që ajo nuk ka dhënë kallëzim në komisariatet e tjera.

Si krimi komandon policinë:

Pas marrjes së kallzimit, nënkomisari niset për në banesën e tij në Tiranë. Ai tregon se “rrugës më vjen një mesazh në Whatsaap që më prezantohet një person “jam Redian Rraja” dhe më thotë “Ti ishe ai që more Xhensilën sot në pyetje? Çfarë problemi ke me ne?” Unë i thashë që “nuk kam asnjë problem me ju por thjesht po bëj punën e Shtetit.” Më tha “Ku je të vijmë të takohemi tani se kemi një problem për të sqaruar.”

Nënkomisari i ka takur këto persona në një lokal në Tiranë. Nuhu thotë se “më ka ardhur në tavolinë bashkë me shtetasin Ramazan Rraja, i cili është i biri i Xhelal Rrajes që më kërcënoi te zyra. Më tha “Ça ke ti që merresh akoma me ne? Kush je ti që vjen nga Berati dhe na heton ne? Ne të zhdukim ty bashkë me familjen për 24 orë nëse ti nuk ndërpret hetimin ndaj nesh dhe të zhdukësh të gjitha ato që ke bërë, do të të vrasim, do të të zhdukim familjen në qoftë se nuk ndërpret hetimet” dhe u larguan”.

Nënkomisari Nuhu tregon:

“Në këto kushte unë kam marrë drejtuesin tim të komisariatit ku e kam vënë në dijeni që u kërcënova për shkak të dosjes dosjes hetimore nga filan shtetas, dhe prokuroren e dosjes penale Mirela Kapo, ku i kam treguar për kërcënimin që më kanë bërë dhe më tha “Ndiq rrugën ligjore.”

Shefi i komisariatit në momentet e para më tha “Prit aty mos lëviz nga vendi se do dërgoj forcat speciale, RENEA-n, operacionale, do t’i marrim zvarrë”. Pastaj kur mbylli telefonin, e kuptoi me kë kishte të bënte dhe në telefonatën e dytë më tha “Mos u mërzit, më prit aty.” Ishte ulur komplet: “fola me Drejtorin e Përgjithshëm dhe do ta zgjidhim këtë punë.”

Prokurorja më tha “vazhdo rrugën ligjore ku ka ndodhur ngjarja bëj kallëzim te komisariati më i afërt. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Komisariatit nr. 6 në Tiranë.

Më lanë 30 minuta tek porta e komisariatit. Pastaj më çuan te zyra e një oficereje. Mê mori kallëzimin dhe deklarimin. Nuk ishte ç’bënte. Aty ka ardhur shefi i Krimeve të Komisariatit nr.6 dhe më ka thënë “Ti je personi që je kanosur me jetë?” “Po, unë i thashë.”

Më  tha “jep ç’ke për të dhënë”. Dhashë kallëzimin aty te oficerja. Shefi i krimeve të Komisariatit nr. 6 në Tiranë i thotë oficeres “Shiko se nuk ka vepër penale aty.”

Pa e marrë vesh akoma kallëzimin, deklaroi që nuk ka vepër penale, pa e njohur situatën.

Gjatë kohës që unë po jepja kallëzim, kisha shumë telefonata nga persona të ndryshëm që kishin lidhje me deputetin e zonës, me personat që unë po i kallëzoja dhe nga drejtuesit e mi që më thoshin “Prit njëherë mos u nxito, mos e jep kallëzimin.”

Në momentin e parë: u kërcënova nuk dhashë dot kallëzim për shkak të influencës së personave. Momentin e dytë më kërcënuan përsëri, unë isha i detyruar të jepja kallëzim.

[Kallëzimin] e bëra për Redian Rrajen dhe Ramazan Rrajen. Këta ishin personat që mund të jepja kallëzim sepse më kërcënuan për herë të dytë dhe ishin pa imunitet. Me të parët nuk kisha ku ta bëja.

Takova shefin e komisariatit tim aty te Komisariati nr. 6 dhe më tha “Mos u mërzit, kam folur unë me ata, nuk të vrasin, mos ki merak.” Kishte marrë garanci që nuk më vrasin.

I thashë: “O zotëri, ti merr garanci që s’më vrasin, po kur të më gjesh me këmbë përpjetë çfarë garancish do kesh? Unë s’do flas dot më që të të them që ti more garanci që s’më vrasin.” I thashë që elementi me preçedent kriminal na bën çfarë të dojë ne. Puna jonë është që hajde të zbatojmë ligjin, t’i arrestojmë.

Më tha. “Mos u merr më me këtë punë se merrem unë. Rruaj qetësinë se ata nuk të vrasin.”

Në datën 3 gusht, i gjendur në të tilla kushte i kam shkruar drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i kam shkruar e-mail, e-mail zyrtar nga e-maili im në adresën e Ardi Veliut. I kam shkruar të gjithë ngjarjen si ka rrjedhur, i kam kërkuar mbrojtje, dhe për dijeni ia kam nisur dhe ministrit të Brendshëm, të njëjtin e-mail që i kam nisur drejtorit të Policisë për ta vënë në dijeni se nuk kisha besim.

Nuk reagoi asnjë institucion. Asnjë përgjigje nga drejtori i Përgjithshëm, asnjë përgjigje nga ministri për kërcënimin tim me jetë.

Vazhdova me hetimet, kryeva disa veprime proçeduriale si shkresa kompanive telefonike për numrat e telefonit, për të sjellë tabulatet telefonike të personave që ishin të implikuar.

Merrja informacione që “ata do hakmerren ndaj teje se ti po vazhdon hetimet hetimore”.

Në datën 14 gusht të vitit 2018 unë i kam shkruajtur sërisht drejtorit të Policisë email zyrtar.

I kam kërkuar drejtorit të Përgjithshëm “Ju lutem drejtor i Përgjithshëm të paktën më transferoni pranë familjes sime që të kem mundësi ta mbroj vetë familjen time se ju nuk po më ofroni asnjë lloj ndihme. Unë po kërcënohem në mënyrë të njëpasnjëshme për shkak të detyrës dhe ju nuk po më ofroni një ndihmë të tillë.” Asnjë reagim përsëri.

Në datën 15, një ditë më pas, më vjen urdhër urgjentisht nga Drejtoria e Përgjithshme që unë të transferohesha në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat.

U transferova, e vazhdova punën në Drejtorinë e Beratit. Dosja m’u mor brenda ditës nga drejtuesit e mi dhe më thanë “Mbarove punë, të doli urdhëri i transferimit, s’ke punë më me dosjen.” Ma morën që të kishin mundësi që çdo gjë të bllokohej aty që të mos kryeshin më veprime hetimore. Se çdo veprim hetimor që kryhet futet në dosje dhe ngel aty.

Në datën 12 shtator 2018, unë kam qenë në punë në Berat dhe rrjeti im sekret informativ ka marrë një informacion që deputeti Rrahman Rraja është shumë i inatosur me ty dhe ka porositur ekzekutimin tënd tek një person shumë i rrezikshëm në zonën e Niklës që quhet Durim Bami.

I gjendur në këtë moment nuk kisha asnjë njeri garanci t’i tregoja këtë informacion dhe u largova brenda ditës nga Shqipëria. Mora familjen dhe u largova nga Shqipëria për arsye sigurie, për të siguruar jetën time dhe të familjes.

I kam dërguar kërkesë për lirim të menjëherëshëm nga Policia e Shtetit, drejtorit të Përgjithshëm zoti Ardi Veliu. Kam vënë në dijeni për gjithë situatën, prokuroren e Përgjithshme Arta Marku, kam vënë në dijeni kryeministrin Edi Rama, kam vënë në dijeni presidentin Meta.

E kam dërguar në katër institucione për shkak se nuk kisha besim në institucionin e policisë për faktin se kërkesa ime mund të zhdukej apo të humbasë. Akoma nuk kam marrë lirimin nga Policia e Shtetit. Më mbajnë peng, nuk më lirojnë në mënyrë që unë të kaloj afatet e mosparaqitjes në punë dhe të më përjashtojnë nga policia e shtetit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>