Si kanë ndryshuar qëndrimet e Ramës ndaj COVID-19 përgjatë një viti pandemi?

Nga Arbjona Çibuku
Si kanë ndryshuar qëndrimet e Ramës ndaj COVID-19 përgjatë një viti pandemi?

Shqipëria prej një viti po përballet me pandeminë e COVID-19, e cila u shfaq për herë të parë në Kinë në Dhjetor 2019.

Më 9 Mars 2020 u konfirmuan dy rastet e para me COVID-19 në Shqipëri.

Dy udhëtarë, babai dhe djali të ardhur nga Firence u bënë kështu dy personat e parë të infektuar në vend.

Fill pas zbulimit të dy rasteve, Këshilli i Ministrave urdhëroi mbylljen e shkollave, çerdheve dhe kopshteve për dy javë, si dhe pezulloi fluturimet drejt Italisë së Veriut.

Në këtë datë, Shqipëria zyrtarisht mbush plot një vit që po bashkëjeton me pandeminë. Aktualisht vendi regjistron mbi 35 mijë raste aktive.

Por si ka ndryshuar qëndrimi i kryeministrit Edi Rama gjatë një viti jetesë me pandeminë?

Reagimi i i Ramës në fillim të pandemisë

Më 10 mars 2020, një ditë pas shfaqjes së dy rasteve të para, reagimi i kryeministrit ishte i ashpër.

Ai i referohej virusit si “armik i padukshëm” dhe “vdekjeprurës”.  Këto dy epitete u përsëritën shpesh nga Rama, deri sa filloi ta cilësonte situatën “nën kontroll” dhe “normale”.

Kur vendi kishte vetëm dy raste, qeveria mori masa të ashpra si mbyllja e shkollave, universiteteve, bareve dhe restoranteve. Kryeministri bënte thirrje që qytetarët të qëndronin në shtëpi dhe të dilnin vetëm për nevoja emergjente.

“Kjo është një luftë me një armik fare të padukshëm që hyn në trupin tonë dhe të njerëzve tanë më të dashur, duke kërcënuar seriozisht shëndetin dhe jetën e atyre që janë të sëmurë mes nesh”, deklaronte Rama në fillim të pandemisë.

“Kjo do të thotë që mund të jesh malësor, lab, mund të kesh shumë për t’u krenuar me historitë e trimërisë në male apo bregdet, por në këtë rast ky armik nuk pyet as nga vjen, as kush je dhe as se çfarë historie ke dhe as ku je. Godet”, shprehej ai.

Ndërsa më 12 Mars, kryeministri Edi Rama deklaroi se jemi “në luftë”. Ushtria e vendit doli në rrugë, duke patrulluar në rrugët e kryeqytetit për të ndaluar qarkullimin e qytetarëve. Atmosfera në rrugët e kryeqytetit njëmend ngjasonte me një situatë lufte.

Për nxjerrjen e ushtrisë në rrugë, kryeministri shprehej se e gjithë ushtria do të vihet në mbrojtje të popullit “nga një pakicë fare e vogël individësh të papërgjegjshëm”.

Qëndrimet për mbajtjen e maskës

Teksa ushtria kishte dalë në rrugë dhe kryeministri  kishte shpallur “luftë”,  më 18 mars ai bënte thirrje për mosmbajtje të maskës duke thënë “se maska nuk ju mbron”.

Pesë muaj më vonë, Rama shihet me maskë në Kuvend dhe sot edhe pas vaksinimit kryeministri shfaqet kudo me maskë.

Një moment tjetër kur ai bënte thirrje për mbajtjen e maskës ishte më 19 Tetor. “Duhet të mbajmë maskën për të shmangur një mbyllje të dytë”, deklaronte Rama duke ndryshuar kështu qëndrimin e tij.

Eliminimi i fjalëve “armik i padukshëm” dhe “luftë”

Më 13 nëntor 2020 në Shqipëri u regjistruan 490 raste dhe 7 viktima, shumë herë më shumë se në muajt e parë kur vendi u prek nga Covid-19.

Ndërkohë Rama deklaronte se situata “është në kontroll dhe nuk është alarmante”.

Fjalët armik i padukshëm, virusi vdekjeprurës u “zhdukën” nga retorika e kryeministrit.

Masat më të ashpra të qeverisë për parandalimin e COVID-19 janë marrë gjatë marsit ku vendi regjistronte rreth 20 raste ditore. Po ashtu dhe qëndrimi i kryeministrit ka qenë më i ashpër gjatë kësaj kohe.

Teksa një vit më pas në vend janë regjistruar mbi 1 mijë raste ditore dhe rreth 20 viktima në 24 orë, fjalët “luftë” dhe “vdekje” nuk janë përdorur më nga kryeministri.

Qeveria mbylli shkollat kur vendi kishte vetëm dy raste, ndërsa në nëntor kur raportoheshin rreth 700 raste ditore, kryeministri shprehej se “shkollat nuk janë vatra të nxehta”.

Qëndrimi me dy standarde i kryeministrit

 Teksa shohim qëndrimet e kryeministrit gjatë një viti pandemi, bie në sy qëndrimi i tij për mbylljen e bizneseve të mëdha si fasoneritë apo call center-at.

Kur kryeministri flet për këto biznese dhe jetën e punëtorëve që punojnë aty, duket se virusi nuk ekziston.

Gjatë muajve të parë të pandemisë qeveria kishte mbyllur pothuajse çdo aktivitet.

Por çfarë po ndodhte me mijëra punëtorë fasonerie dhe call center-ash?

Më 13 Mars qeveria i mbylli fasoneritë dhe call center-at duke i konsideruar të rrezikshme.

“Dëshiroj të theksoj se kjo masë e skajshme, për t’i dalë përballë kësaj sfide dhe për ta ngadalësuar shtrirjen e armikut në territor, do të pasohet nga të tjera, por sot kemi kryer një sërë inspektimesh në kompanitë fason dhe call center, të cilat do të jenë të mbyllura nga nesër”, u shpreh kryeministri.

Por më 20 prill  kryeministri Rama shprehej se “nuk mbyllen dot disa hallka ekonomike”.

Fasoneritë u kthyen në vatra të nxehta të infektimeve. Punëtorët e fasonerive u përballën edhe me probleme të tjera sikurse ishte mos marrja e pagës së luftës. Qeveria nuk gjeti një zgjidhje për fasoneritë, por i bëri thirrje bizneseve të ruanin distancën duke lënë çdo gjë në dorë të tyre.

Nga deklaratat se virusi “që hyn në trupin tonë dhe të njerëzve tanë më të dashur, duke kërcënuar seriozisht shëndetin dhe jetën e atyre që janë të sëmurë mes nesh”, kur fliste për fasoneritë kryeministri shprehej se “nëse qëndrohet në distancë dhe nuk preket fytyra hunda apo goja me ato duar kur punohet nuk ka asnjë rrezik”.

Panorama e përgjithshme e deklaratave të kryeministrit na serviret si një “ndryshim diskursi”, i cili ndryshon sa herë që kjo i nevojitet qeverisë.

Teksa shohim qëndrimet e Ramës të cilat kanë ndryshuar nga muajt e parë të pandemisë e deri më tani, ajo që vihet re është se retorika e tij ka ndryshuar njësoj me masat.

Sa herë që qeveria ka ndërmarrë masa të rrepta si mbyllje totale, mbyllje biznesesh “virusi ka qenë vdekjeprurës”.

Por sa herë që qeveria ka dashur të lehtësojë masat (edhe kur vendi ka pasur mbi 1 mijë raste ditore) për kryeministrin “situata ka qenë nën kontroll” dhe “Shqipëria ka qenë më mirë se vendet e rajonit”.

E gjithë kjo situatë ngre disa pikëpyetje mbi strategjinë që ka ndjekur qeveria për të parandaluar pandeminë.

A do duhej të kishte marrë qeveria masa më strikte? A mund të ishte frenuar përhapja e virusit duke mbyllur qendrat tregtare, baret dhe pika të tjera ku grumbullohen shumë njerëz?

Aktualisht Shqipëria është duke kaluar periudhën më infektive të pandemisë ndërkohë që masat parandaluese nuk kanë ndryshuar që prej fillimit të vitit 2021.

Disa vende të Europës si Italia, Gjermania, Irlanda dhe Holanda kanë shtrënguar masat me qëllim uljen e numrit të të infektuarve dhe një gjë e tillë është diskutuar edhe nga autoritetet shqiptare, por nuk janë marrë hapa konkretë.

Gjatë dy muajve të parë të vitit 2021 në Shqipëri janë regjistruar thuajse gjysma e të gjithë infektimeve që prej fillimit të pandemisë.

Rastet aktive të të sëmurëve janë rritur me rreth 50% gjatë muajit janar – shkurt, ndërsa raporti mes rasteve pozitive dhe testeve të kryera është një ndër më të lartit në botë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>