(Exit.al) — Në shtator 2015, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një konferencë propagandistike bombastike në Pallatin e Kongreseve, me pjesëmarrjen e mijëra policëve dhe drejtuesve të policisë, ku shpalli “sukseset e shkëlqyera” të luftës kundër drogës.
Në mënyrë pompoze, në krah të ambasadorit Italian Massimo Gaiani dhe atij amerikan Donald Lu, Kryeministri Rama shpalli fitoren e luftës kundër drogës dhe ndërmori një fushatë sulmesh dhe fyerjesh ndaj të gjithë atyre “që hidhnin baltë” mbi punën e shkëlqyer të policisë dhe Ministrin e tij të Brendshëm.
Në mënyrë të egër dhe me një siguri, që tani duket kurajoze, Kryeministri sulmoi haptazi Dritan Zaganin, ish-drejtuesin e policisë kufitare të Vlorës, i cili pak javë më parë kishte denoncuar aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj dhe lidhjet e Sajmir Tahirit me ta dhe trafikun e drogës e krimin.
Fjalët e Kryeministrit kundër Zaganit ishin të qarta dhe të forta:
Një kriminel, nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajën t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi.
Heroi që na kërkoka përgjigje, që nuk paraqitet në prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura për të, por është paraqitur për azil politik në një shtet tjetër. Kaq mjafton për të kuptuar se sa e ulët është bërë kjo lojë, se sa e dëshpëruar është në fakt industria e baltës, ndërkohë që gjithçka sot u shfaq këtu dhe fatmirësisht, por fatkeqësisht për ne si popull mori vulën e dy ambasadorëve të përfshirë drejtpërdrejtë në këtë luftë, nuk besoj se do të çohen të thonë se ishin gënjeshtra dhe shpresoj që mos ta fusin edhe ambasadorin amerikan tek ligji për dekriminalizimin.
Po e fortë dhe e qartë ishte edhe mbrojtja që Kryeministri i bëri Sajmir Tahirit nga po i njëjti podium:
Unë e marr me mend se çdo të thotë për ju […]kur dëgjon gjithfarëlloj akuzash, gjithfarëlloj monstruozitetesh, dhe gjithfarëlloj sulmesh verbale mbi Ministrin e Brendshëm, mbi drejtuesit e Policisë së Shtetit, mbi vetë qeverinë në raportet me krimin dhe me gjithë përmbajtjen e betejës për të cilën ju dilni çdo mëngjes nga shtëpia. Duhet të jetë padyshim shumë e rëndë. Duhet të jetë padyshim shumë dekurajuese, duhet të jetë padyshim edhe shumë e vështirë për të mos u tunduar nga dyshimet, se mos vallë unë, punonjësi i policisë që bashkë me shokët e mi apo bashkë me plot vajza që janë përfshirë së fundmi në Policinë e Shtetit, po shkojmë mish për top, po bëjmë një luftë me mullinjtë e erës, ndërkohë që drejtuesit tanë, ministri ynë, ndërkohë që qeveria jonë na qenka, jo e lidhur po në krye të gjithë aktivitetit kriminal.
…Duhet të jeni krenarë që me rezultate, me shifra dhe fakte të pakontestueshme keni hedhur në tokë të gjithë sasinë marramendëse të baltës, që për muaj e muaj të tërë ka rënë mbi Policinë e Shtetit, mbi drejtuesit e saj dhe mbi Ministrin e Brendshëm.