Bizneset që do të hapen pa leje dhe pa masa sanitare kundër përhapjes së Covid-19 do të ndëshkohen.
Këtë e paralajmëroi mbërmjen e së dielës Kryeministri Edi Rama teksa shpjegoi me një postim në Facebook se si sipërmarrësit mund të marrin vërtetim në e-albania se biznesi i tyre është në listen e aktiviteteve të lejuara për t’u hapur.
Për të marrë vërtetimin, sipërmarrësi duhet të hyjë në web-faqen e e-albanias, të identifikohet në llogarinë e biznesit përmes Nipt-it dhe më pas të përzgjedhë shërbimin “vërtetim për aktivitet ekonomik të hapur”.
Më tej sipërmarrësi duhet të klikojë në “Përdor” nga ku web-faqja do t’i komunikojë nëse lejohet apo jo të hapë aktivitetin.
Nëse po, duke klikuar në “Dërgo” vërtetimi do të dërgohet në e-mail-in e regjistruar në tatime si kontakt i sipërmarrësit.
Ky e-mail duhet të jetë më pas i printuar, ose i paraqitshëm ndaj kontrollorëve.
Të shtunën qeveria publikoi një listë me aktivitete të cilat Ministria e Shëndetësisë ka gjykuar se mund të lejohen të rifillojnë punën.
Krahas listimit të aktiviteteve që mund të rihapen, Ministria ka kërkuar që ato të zbatojnë një protokoll të sigurisë sanitare, ku kërkohet me patjetër të ketë: distancë fizike mes punonjësve dhe klientëve, higjienizues duarsh, letër pastrimi ose peshqirë, doreza, maska ( për më shumë kliko këtu).