Megjithëse për 6 vite me radhë, kryeministri Rama premtoi mbylljen e lojërave të fatit, një vit pas ligjit për ndalimin e tyre, qeveria ka ndërruar mendje: në 2 shtator, me një VKM, lejoi hapjen e kazinove.
Exit News sjell më poshtë deklaratat e Ramës gjatë gjithë viteve që ai propagandonte se do të mbyllte njëherë e mirë të gjithë lojërat e fatit, si fizikisht ashtu dhe online:
“Duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare.”
Në 14 tetor 2018:
“Paratë e zeza të basteve po derdhen kazaneve për të jashtëqitur llafin se kjo u bëka që të mbetet një monopol online! Mos u lodhni kot, bastet s’i shpetoni dot më! Edhe bastet, edhe ky monopoli online do vdesin për Vit të Ri.”
“Jam i sigurtë se ky grup parlamentar do tu japë […] një dhuratë të shumëpritur me rastin e Vitit të Ri, mbylljen e kazinove elektronike e basteve sportive që nga ndeshjet e futbollit deri tek garat e çdo lloj katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve online. Në 1 janar nuk ka më asnjë lloj basti, kazino elektronike në asnjë zonë të banuar.”
“Në datë 31 dhjetor, nënat, gratë dhe vajzat do të marrin mbrapsht djalin apo burrin e sëmurë nga bixhozi. Më 1 Janar do të jenë mbyllur të gjitha bastet në rrugë, apo online dhe thënë kjo, online sot lozet me kartë krediti dhe çdo transaksion është i regjistruar, taksohet dhe nuk mund të luash në të zezë. Më 31 Dhjetor nuk ka më. Do t’i mbyllim të tëra.”
“Aktiviteti i bixhozit në Shqipëri financohet në një masë të madhe nga krimi i organizuar.
Janë burime financimi kriminale, janë para që pastrohen përmes aktivitetit të kumarit dhe janë eksponentë të krimit të organizuar që fshihen ose janë drejtë të përfshirë në këto aktivitete.”
Në 2 janar 2019
“Vit i Ri me këmbë të mbarë, pa kumar e pa kapsolla.”