Si nuk ia mbusha dot mendjen shoqes sime japoneze për gjenialitetin e udhëheqësit tim Edi Rama

Nga Bledar Qalliu
Si nuk ia mbusha dot mendjen shoqes sime japoneze për gjenialitetin e udhëheqësit tim Edi Rama

Kryeministri Rama, përforcuar nga vartësit e tij servilë, po i thur këto ditë lavde vetes si një mendje gjeniale, e cila si asnjë tjetër më parë e zgjidhi situatën humanitare pas tërmetit duke prodhuar idenë origjinale të strehimit të të prekurve në hotele.

Në në një intervistë për Top Channel-in, pa u përpjekur ta përmbante vetëmburrjen, Rama pohoi:

“Kjo është një zgjidhje ideale, që nuk i ka shkuar mendja njeriu. Më shkoi mendja mua dhe ja ku është.”

Në një tjetër deklaratë ai u shpreh:

“Këtu është vëmendja e qeverisë se po të mos kishte vëmendje, do ishit akoma në shi dhe në çadër. Nuk është se nuk kanë ndodhur këto gjëra më përpara, por nuk ka bërë vaki ndonjëherë që njerëz të prekur nga fatkeqësitë të vijnë në hotele me pesë yje.”

Lavde të tilla janë përsëritur pa pushim nga anëtarë të qeverisë dhe të partisë në pushtet. Zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda pohoi tri ditë më parë se ishte krenare për qeverinë, pasi strehimin në hotele nuk e kishte bërë asnjë shtet tjetër në botë.

Të njëjtin koment të Ramës e reflektoi edhe Valbona Sako, ish-kryetarja e Bashkisë Durrës, megjithëse në mënyrë më të vrazhdë dhe pa takt.

Duket se socialistët ndihen krenarë që udhëheqësi i tyre është vërtetimi i tezës së shpikjeve heroike, e cila mëton se shpikjet janë rezultat i gjenialitetit dhe punës së një personi të vetëm.

Të promovosh kultin e individit në këtë kohë të vështirë është mungesë ndjeshmërie dhe inteligjence emocionale. Kurse mënyra sesi kjo po bëhet është edhe shprehje e përçmimit të elitës socialiste ndaj njerëzve të zakonshëm.

Sigurisht, kjo është edhe banale. Jo vetëm sepse pretendimi është i pavërtetë—shqiptarët i hapën në masë hotelet për vëllezërit e tyre nga Kosova dy dekada më parë, ashtu siç i hapën edhe tani, përpara se Rama të merrte meritat përsipër—por edhe sepse është një ide elementare.

Nuk e kisha vrarë mendjen për mburrjen e Kryeministrit me një veprim elementar, deri kur më telefonoi një mikeshë e imja nga Japonia – vend të cilin Kryeministri Rama dhe mediat pranë tij e kanë përdorur për të gjitha arsyet e gabuara në propagandën e menaxhimit virtual të gjendjes pas tërmetit.

Biseda u soll rreth tërmetit. Për habinë time, ajo më tha se kishte lexuar për tërmetin në Shqipëri te Exit News, pa e ditur se unë shkruaj për këtë media. Më dërgoi edhe një artikull nga aty, për të më pyetur nëse kryeministri im ishte mburrur vërtet për diçka që nuk është as shpikje dhe as zgjidhje ideale.

I rrëfeva se ku punoja dhe më tha me ton qortues: “Instikti i parë i gazetarit të vërtetë është se politikani po gënjen”.

Ajo më shpjegoi se strehimi i viktimave nëpër hotele është një nga veprimet rutinë pas fatkeqësive natyrore në Japoni.

Qytetarja e “Japonisë së urtësisë së vjetër”, nga 10 mijë kilometra larg,  më kërkoi ndjesë për fjalën që do të përdorte, dhe më tha: “Kryeministri yt është gënjeshtar”.

Ndërsa flisja me të, nisa të gërrmoja në Internet në laptopin që kisha para. Ishte fare e lehtë të shikoje se strehimi në hotele i viktimave të tërmeteve ndodh rëndom–së fundmi, në Itali më 2016, në Tajvan në 2016, në Japoni në 2011.

Të kuptohemi, unë e mbrojta kryeministrin faqe të huajës, duke i thënë se, me siguri, ai vërtet mendon se është ideja e tij. Pa qenë as vetë i bindur për forcën e argumentit, shtova edhe se ai ka qenë shumë i lodhur kur ka folur, pasi ka vizituar përditë rrënojat dhe viktimat.

Japonezja u habit edhe më tepër dhe më pyeti se “përse kryeministri vizitonte ditë për ditë rrënojat dhe njerëzit?” E kuptova menjëherë se e kisha futur veten në grackë, nuk mund ta mbroja më tej, ndaj ndërrova temë.

Pas bisedës reflektova për ç’u tha e ç’kisha parë e dëgjuar, dhe u binda që Edi Rama dhe vartësit e tij e dinë shumë mirë që pas fatkeqësive viktimat strehohen nëpër hotele.

Fakti që, përkundër të vërtetës, deklaratën e gjenialitetit dhe kreativitetit të Ramës e përsërit vazhdimisht ai vetë dhe figura të qeverisë e partisë, të bën të mendosh se kjo është një strategji e menduar mirë.

Ajo duket se është pjesë e paketës ku bëjnë pjesë shëtitjet nëpër rrënoja me ekipet mediatike e të produksionit filmik me vete, batutat dhe hakërrimet ndaj viktimave dhe kryebashkiakëve e ministrave, i njëjti xhup i kombëtares së futbollit me shkabën e dukshme qartë, stërmundimet e udhëheqësit që pi 16 kafe në ditë për të përballuar lodhjen, përqeshjet e tij për masat urgjente që sugjeron opozita, etj.

Ndërkohë që mediat sociale gëlojnë nga kërkesat e viktimave të tërmetit për ndihma bazike, duket se kjo strategji propagande kërkon të përforcojë idenë se kryeministri është nën kontroll të gjithçkaje, se ai bën gjëra mbinjerëzore, se ai është i ndjeshëm e i butë me të dobtin (përqafime, rrahje shpatullash, “mos u mërzit!”), por i ashpër me të pushtetshmin (“nesër në katër e gjysëm do lyesh murin!”), një baba i kombit që “lekët do i nxjerrë nga dheu” dhe shtëpitë do t’i ndërtojë edhe më të mira, dhe ne duhet të ndihemi të sigurtë në krahët e tij të ngrohtë.

Jo vetëm gjeni, por edhe mbinjeri. Ashtu sikurse ka thënë Niçja (i Laipcigut), që Rama e citon shpesh nga Tirana apo para nisjes për Londër: “Çfarë nuk të vret të bën më të fortë.”

Teksa është e paqartë se cili autoritet ia dha vlerësimin me pesë yje hoteleve ku Rama ka strehuar viktimat e tërmetit, pretendimi i kryeministrit, i propaganduar me të gjitha mjetet, se kjo ndodh për herë të parë në botë dhe ndodhi pas një ideje origjinale dhe gjeniale të tij, është gënjeshtër.

Kjo gënjeshtër është pjesë e propagandës që ia ka mbytur ngadalë zërin mediatik kobit të vdekjes nën rrënoja të 51 njerëzve dhe të pafuqisë së njerëzve përballë fatkeqësive.

Sot, ka vetëm një gjë me pesë yje në Shqipëri: luksi dhe jeta e qeveritarëve. Miliona shqiptarët e mbetur gjallë nga tërmeti, 107 vjet pas krijimit të shtetit të tyre, jetojnë nën gërmadhat e varfërisë së  shkaktuar nga “udhëheqësit e mëdhenj” që u kanë qëndruar mbi krye.

Mbi këto gërmadha sillet vërdallë udhëheqësi ynë më i fundit, në ecejake prej të marri, duke shkaktuar magjepsje, përqeshje dhe frikë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>