Si po e ndryshon turizmin në botë, koronavirusi

Nga Exit News
Si po e ndryshon turizmin në botë, koronavirusi

Rreth një vit më parë, mbishkrimet në muret e Barcelonës shkruanin “Turistë shkoni në shtëpi”. Tani që ata kanë ikur, qyteti – së bashku me bizneset e varuara turizmi – i frikësohen rënies ekonomike dhe po nxitojnë të rishikojnë planet për të joshur përsëri vizitorët.

Shoqatat e bizneseve parashikojnë se të paktën 15% e bizneseve dhe një në katër restorante në qendër të qytetit të Barcelonës do të mbyllen përgjithmonë si rezultat i koronavirusit dhe parashikimi është i zymtë edhe për destinacione të tjera turistike urbane, ku dhjetëra mijëra vende pune janë rrezik.

Por Covid-19 i ka detyruar kryetarët e bashkive të disa prej qyteteve më të vizituara në Evropë, akademikë dhe studiues të kërkojnë një model të ri biznesi për qytetet që deri mëtani janë mbajtur me turizëm.

Barbora Hrubá, përfaqësues i një agjensie turistike në Pragë, tha që kryeqyteti dëshiron një “lloj të ndryshëm vizitorësh”.  Xavier Marcé, këshilltari në bashkinë e Barcelonës për turizmin, tha se: “Nuk duam më shumë turistë, duam më shumë vizitorë”. “Ne jemi një qytet në krizë dhe po përpiqemi të bëjmë diçka ndryshe,” tha Paola Mar, homologia e tij në bashkinë e Venecias.

“Ne duam të kemi një ekonomi të qëndrueshme të vizitorëve që nuk dëmton jetesën e qytetit tonë,” tha Heleen Jansen, koordinator i komunikimit në një organizatë jofitimprurëse që këshillon Amsterdamin se si të thithë sa më shumë turistë.

Sidoqoftë, synimet e mira janë një gjë, propozime konkrete një tjetër. Sipas Janet Sanz, nënkryetarit të bashkisë së Barcelonës, qytetet që janë rritur bazuar në të ardhurat nga turizmi po paguajnë çmimin e një modeli të vetëm biznesi, dhe tani sfida për to është të diversifikohen.

Përshembull, Barcelona, e cila ka një popullsi prej 1.6 milion, priti 30 milion turistë në 2019; Venecia me 270,000 banorë, priti 25 milion turistë; Amsterdami me popullsi 873,000, priti 19 milion turistë.

Në Venecia, turizmi masiv vitet e fundit është parë si një kërcënim për mbijetesën e qytetit, por tani debati ka kaluar në mënyrën se si të ulet numri i turistëve dhe të diversifikohet ekonomia e qytetit.

Një përpjekje të vogël kanë bërë pronarët e shtëpive në Venecia, të cilat merreshin me qira nga turistët, duke nënshkruar një marrëveshje me këshillin dhe universitetet e Venecias që tani t’ua japin me qira studentëve.

Qytetet e tjera, përfshirë Amsterdamin, Barcelonën dhe Lisbonën, kanë ndërmarrë hapa për të frenuar fenomenin e dhënies me qira ditore të apartamenteve (Airbnb), fenomen që ka rritur qiratë dhe ka përzënë banorët jashtë qytetit.

Jaime Palomera, zëdhënës e Unionit të qiramarrësve të Barcelonës, kërkon shfuqizimin e mijëra licencave të dhëna për apartamente turistike të lëshuara që prej vitit 2011. Ai gjithashtu thotë se qeveria duhet të miratojë një ligj kundër dhënies së dhomave me qira për turistët.

Por, me dhjetëra mijëra vende pune në rrezik, problemi i vërtet i qyteteve është se si të rimendojnë turizmin pa shkaktuar papunësi masive.
“Ka njerëz që mendojnë se qyteti është i mrekullueshëm ashtu si është, pa turistë,” tha Marcé. “Por ata mund të ndryshojnë mendim kur shteti të ndalojë pagesën prej 80% të pagës së tyre në shtator dhe papunësia të shkojë në 18%.”

Marcé beson se është më pak çështje numrash sesa shpërndarje. Ai dëshiron të inkurajojë turistët të vizitojnë pjesë të tjera të qytetit dhe jo vetëm vendet tradicionale. Octavi Bono, drejtori i përgjithshëm i turizmit për qeverinë Katalanase, mbështet të njëjtin qendrim. “Ne nuk duam turizëm masiv, duam një turizëm më të mirë me një shpërndarje më të mirë të turistëve sipas stinës dhe vendndodhjes. Ne po ndërtojmë një plan për të promovuar vende të ndryshme në stinë të ndryshme për të vizituar në Barcelonë”.

Njësoj edhe në Amsterdam po punohet për të ndërtuar një ofertë të re turistike, për të zbuluar atraksione të reja në Amsterdam. Shumë nga këto qytete po punojnë edhe me vendasit për të nxitur rizbulimin e vendeve të tyre.

Por të gjithë ekspertët bien dakord edhe në një pikë shumë të rëndësishme, turizmi i lirë do të zhduket. “Jo të gjithë do të udhëtojnë ashtu si dikur. Dhe ata që udhëtojnë mund të dëshirojnë ta bëjnë këtë në një mënyrë më të qetë, mbase do të shohin më pak, por ta shijojnë më shumë përvojën”, përfundoi përgjegjësi për turizmin i Barcelonës.

 

Artikull i botuar në The Guardian/Përkthyer e përshtatur nga Exit News

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>