Si po i kufizon shumica socialiste kompetencat e Presidentit

Nga Megi Ndregjoni
Si po i kufizon shumica socialiste kompetencat e Presidentit

Shumica socialiste ka hartuar një draftligj i cili detajon kompetencat e Presidentit të parashikuar nga Kushtetuta. Ky projektligj synon të kufizojë kompetencat e Presidentit pas përplasjeve kushtetuese me shumicën socialiste.

Exit sjell më poshtë përmbledhje të ligjit.

E drejta për të caktuar datën e zgjedhjeve

Kushtetuta i jep të drejtën Presidenti të caktojë datën e zgjedhjeve lokale dhe parlamentare.

Draftligji parashikon se presidenti mund shtyjë datën e zgjedhjeve në rastet e mëposhtëme:

a) kur ja lejon Kodi Zgjedhor
b) vetëm në zbatim të masave të jashtëzakonshme
c) vetëm për interesa madhore në dobi të zgjedhjeve, me kusht që data e re të mos zgjasë mandatin e organeve për të cilat zhvillohen zgjedhjet.

Presidenti mund të shtyjë datën e zgjedhjeve vetëm pas konsultimit me kryetarët e partive parlamentare. Në rast se Presidenti nuk cakton datën e zgjedhjeve sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor, e drejta për ta caktuar atë i kalon Kuvendit.

Draftligji synon të shmangë shtyrjen e datës së zgjedhjeve nga Presidenti sikurse ndodhi në vitin 2019. Presidenti Meta caktoi datën 30 qershor për zgjedhjet lokale, datë e cila më pas u shty për shkak mospjesmarrjes së partive opozitare.

Pavarësisht anullimit të datës, shumica socialiste mbajti zgjedhjet në datën 30 qershor.

E drejta për të shpërndarë parlamentin

Kushtetuta i jep të drejtën Presidentit të shpërndajë parlamentin vetëm kur Kuvendi nuk zgjedh kryeministrin dhe kur votohet mocioni i mosbesimit ndaj kryeministrit.

Për të shmangur çdo paqartësi, projektligji rithekson se vetëm në këto dy raste Presidenti ka të drejtë të shpërndajë parlamentin.

Kjo vjen pasi Presidenti Meta ka paralajmëruar shpesh herë se do të shpërndajë parlamentin.

Emërimi dhe shkarkimi i ministrave

Presidenti ka të drejtë të emërojë dhe shkarkojë ministrin me propozim të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të nenit 98 të Kushtetutës.

Projektligji saktëson rastet se Presidenti mund të refuzojë emërimin ose shkarkimin e një ministri kur nuk plotëson kushtet për të qenë deputet, nuk ka shtetësinë apo moshën e kërkuar, ose nuk ka dhënë dorëheqjen nga postet publike.

Ligji i ri e detyron presidentin të argumentojë veprimin e tij në rast refuzimi.

Në rast se presidenti nuk vepron sipas procedurës brenda afateve ligjore, e drejta për të emëruar dhe shkarkuar ministrin i kalon Kuvendit.

Kjo procedurë synon të shmangë mosdekretimin e ministrave nga Presidenti si në rastin e  ministrit të jashtëm në detyrë Gent Cakaj dhe atij të brendshëm, Sandër Lleshaj.

Betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese (GJK) duhet të betohen para Presidentit, përcakton neni 129 i Kushtetutës.

Projektligji përcakton se në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit brenda afatit ligjor, anëtarët e GJK do të betohen para Kuvendit.

Projektligji synon të shmangë rastin e Arta Vorpsit.

Arta Vorpsi, e cila u emërua në mënyrë të debatueshme nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësisë (KED), nuk u pranua nga Presidenti, i cili thirri për betim në vend të saj Marsida Xhaferrllarin.

Vorpsi tentoi të betohej me një deklaratë të noterizuar para një notereje, pa pritur thirrjen e Presidentit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>