Si po sulmohet liria!

Nga Artan Rama
Si po sulmohet liria!

Në ditën festive të rinisë, ndonëse pritshmëritë nuk ishin të mëdha, mjaftuan ato pak ceremoni të sponsorizuara për të më prishur humorin.

Shqetësimi se e tëra kjo bëhej me qëlllim, për të glorifikuar grupe apo individë, ose për të stimuluar një aksion politik të dalë boje prej kohësh, rezultoi të ishte i vërtetë.

Ndaj dhe tek shihja se ky aksion i rremë u ngjit në media, përpara se të zbriste në rrugë, u nxita të shkruaj disa radhë.

***

Ekziston në fakt, një ndjesi dëshpërimi total. Një lloj tërheqje apo dorëzimi, përballë një optimizmi të rremë, hera-herës me një shkëlqim më të fortë se origjinali.

Shtirja është në modë dhe rinia “e thirrur nën armë” është modeli se si, në vend që t’i kundërvihet, i bashkangjitet pushtetit, jo për ta ndryshuar atë, po përkundrazi, për të përfituar prej tij komoditet dhe rehati personale, e vetëdijshme se ky pushtet është skajshmërisht i padrejtë.

Ndaj zgjodha të flas për një grup tjetër të rinjsh, të ndryshëm, por mbi të gjitha, të lirë e të pavarur, pikërisht tani, kur liria ka një kosto të lartë.

Ata janë të thjeshtë, por tërheqës. Çuditërisht u njohën në rrugë. Në protestat e para shkëmbyen emrat e më pas idetë. Në vazhdim, ofruan pasionin dhe i lanë pas dobësitë. Në këtë mënyrë lindi një qasje e re: aspirata për drejtësi  kundër të gjitha padrejtësive.

Me altoparlant në dorë, ky grup të rinjsh të arsimuar, filluan thirrjet e para për të frenuar degradimin e një marrëdhënie klienteliste në arsim. Me pankarta të përgatitura vullnetarisht, me mendje të kthjellët e shpirt të lirë, ata u dhanë zë auditoreve të heshtura.

Më pas, me një vetëdije të pazakontë e me një edukatë të lartë qytetare, aktivistë e të rinj së bashku, iu përkushtuan hapësirës së të përbashkëtës: publikes. Me fidanë në duar, këngë e kitarrë, u përleshën me autoritetet dhe aleatët e tyre oligarkë, kundër babëzisë.

U krijua kështu, një koalicion i ri në mbrojtje të Publikes.

Kjo zhurmë rruge, ky reagim vullnetar u dëgjua nga gratë e vajzat e dhunuara, nga punëtorët dhe militantët e papunë, viktimat e padrejtësisë, të harruarit. Së bashku me zërat e protestuesve kundër importit të plehrave, kundër arrogancës, heshtjes dhe indiferencës, zhurma e protestës përshkroi kështu, gjithë Shqipërinë.

Por pushteti tinzar nuhaste në heshtje. Ndaj vendosi të përdorë një dredhi për ta ndalur jehonën: paditjen!

Vështirë të imagjinojë dikush, se sa shumë padi janë ngritur kundër aktivisteve. Madje, për disa prej tyre, nga dy njëherësh.

Tani do t’u duhet të shpenzojnë energji për t’u përballur edhe me modelin e një sistemi që shumëkush e ka cilësuar si të korruptuar e në nevojë për t’u transformuar urgjentisht.

Por, aq sa ngjarja e 21 janarit ishte një tragjedi për viktimat, po aq demoralizuese rezultoi ajo për të tjerët. Askush më pas, nuk do të mund të protestonte.

Pikërisht, të tilla janë edhe këto padi, po kaq paralizuese.

Duke toleruar në dukje me sjellje të butë, gjoja të fyer e kokëulur nga spërkatja me salcë e vezë, në rolin e “të përulurit” ndaj protestuesve, me gogolin e 21 janarit në gojë, ky qëndrim pra, si jo i dhunshëm, është një hile e madhe, një heshtje taktike për të vazhduar, nga ana tjetër, vjedhjen dhe uzurpimin.

Qëllimi: thyerja e tyre morale!

***

Javën e ardhshme, falë një amnistie, disa dyzina të dënuarish do të lenë qelitë. Ka mes tyre kriminelë, keqbërës. Kuvendi do të votojë unanimisht projekligjin që ka përgatitur prej kohësh.

Ndërkaq, Ministri i Brendshëm ka shpallur një tjetër amnisti. Fjala është për dorëzimin e armëve nga njerëzit që i disponojnë ato!.Megjithëse ky është një veprim i drejtë, tani që korrja e kanabisit ka përfunduar e armmbajtja nëpër plantacione nuk është më e nevojshme, kjo thirrje duket si shërbimi i fundit që autoritetet po u ofrojnë kultivuesve në terren.

Javën e ardhshme, gjithashtu, aktivistët do të shkojnë në gjykatë. Arditi, Bora, Viki, Liria, Eljani, Klaudia, një dyzinë prej tyre do të përballen përsëri me pushtetin. Çuditërisht, askush nuk përfiton prej amnistisë! Madje, nenet për të cilat ata akuzohen, janë përcaktuar, qartësisht, si të pa amnistueshme!.

Bëhet fjalë për nenin 236 (Kundërshtim ndaj forcave të policisë) dhe 237 (Goditje për shkak të detyrës) të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Pa dyshim, kjo nuk është një rastësi, por një veprim i qëllimshëm.

Nëse një ditë, askush nuk mund të shpresojë, se të dënuarit do të shndërrohen në aktivistë, manovra është, për t’i parë aktivistët, një ditë, si kriminelë.

Ndaj dhe sot zgjodha të flas për ta. Për të shprehur admirim dhe bindjen se fuqia e një shoqërie qëndron në aftësinë e saj reaguese! Dhe pushteti po përpiqet të zhdukë, pikërisht, këtë aftësi.

Prandaj sot, unë zgjedh Arditin, aktivistin e palodhur, ndryshe nga pushteti që zgjedh të amnistojë kultivuesit e bimëve narkotike.

Sot unë zgjedh Borën, Vikin dhe Mirelën, vajzat me flokë të kuqe të lëvizjes studentore, ndryshe nga pushteti që zgjedh të amnistojë keqtrajtuesit e të miturve.

Sepse ndryshe nga pushteti, që amniston grabitësit e kutive elektorave, shkelësit dhe penguesit e zbatimit të urdhërave të gjykatave, unë, sot, mbështes Orgesin dhe Eljanin, Lirinë, Mozën e Klaudjan, Anitën e Zirkonin, si dhe dhjetëra të tjerë, që me kurajo kanë zgjedhur lirinë, duke refuzuar nënshtrimin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>