Presidenti në vend mund të shkarkohet vetëm në dy raste: kur ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës ose kur ka kryer një krim të rëndë.
Procedura për shkarkimin e tij përfshin një sërë hapash nga Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese për një procesi të matur, legjitim dhe të drejtë.
Aktualisht, 49 deputetë socialist kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit Meta mbi pretendimin e shkeljes së Kushtetutës.
Si e shkarkon Kuvendi, Presidentin?
Procesi për shkarkimin e presidentit nis në Kuvend.
Të paktën 35 deputetë duhet të bëjnë kërkesë për shkarkimin e Presidentit duke dhënë edhe arsyet.
Kërkesa i dërgohet Kryetarit të Kuvendit, i cili duhet të njoftojë Kuvendin si dhe Presidentin.
Komisioni i Ligjeve në Kuvend shqyrton i pari kërkesën.
Brenda 15 ditësh komisioni duhet të shqyrtojë kërkesën dhe të hartojë një raport.
Presidenti ka të drejtë të paraqitet në Komision dhe të dëgjohet nese dëshiron.
Komisioni duhet të vendosë me shumicë të thjeshtë votash nëse do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e komisonit hetimor për shkarkimin e Presidentit.
Brenda 7 ditëve, Kuvendi duhet të diskutojë dhe të vendosë me shumicë të thjeshtë votash të miratojë ose hedhë poshtë propozimin e komisionit për të ngritur komision hetimor.
Nëse miratohet raporti, brenda 2 ditësh ngrihet Komisioni Hetimor, i cili duhet të përbëhet nga 9-15 anëtarë.
Brenda afatit të përcaktuar nga Kuvendi, ai duhet të hetojë shkeljet e pretenduara të presidentit.
Komisioni Hetimor i propozon Kuvendit argumentat për shkarkimin apo jo të presidentit.
Brenda 20 ditëve, Kuvendi shqyrton në seancë të veçantë raportin e komisionit hetimor.
Presidenti ka të drejtë të degjohet në seancë plenare dhe Kuvendi është i detyruar ta dëgjojë atë.
Në fund, Kuvendi voton për shkarkimin ose jo të presidentit me votim të fshehtë. Kërkesa për shkarkim duhet të miratohet nga të paktën 94 deputetë.
Nëse Kuvendi miraton shkarkimin, vendimi duhet të shkojë brenda 5 ditëve në Gjykatën Kushtetuese.
Si e shkarkon Gjykata Kushtetuese, Presidentin?
Fillimisht Gjykata Kushtetuese vendos me shumicë votash, pra 5 anëtarë që ta shqyrtojë kërkesën në seancë plenare.
Në seancën plenare duhet të marrin pjesë të paktën ⅔ e anëtarëve, pra 6 anëtarë, dhe duhet të jetë publike.
Gjyakta duhet të vendosë me shumicën e anëtarëve, pra me të paktën 5 anëtarë për ta shkarkuar Presidentin.
Duhet theksuar se arsyet për shkarkimin e presidentit, pra shkelja e rëndë e Kushtetutës dhe krimi i rëndë nuk janë të përcaktuara as në ligj dhe as në intepretime nga Gjykata Kushtetuese.
Pra, Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë jo vetëm kushtetueshmërinë e procesit që është ndjekur për shkarkimin e presidentit por edhe do të interpretojë nëse ka shkelje dhe nëse ato janë të rënda.
Marrë nga emisioni ‘Me pak fjalë’, në Euronews.