Si humbi Edi Rama 3 miliardë euro financime kineze, ose si u katandis në një thelë “Kaposhi i Kuq” i Ramës

Nga Geri Selenica
Si humbi Edi Rama 3 miliardë euro financime kineze, ose si u katandis në një thelë “Kaposhi i Kuq” i Ramës

Në shtator 2014, Kryeministri Edi Rama u takua në Pekin me drejtuesit e PowerChina (www.powerchina.cn) – kompania më e madhe hidroenergjitike në botë, e cila zotëron rreth 53 për qind të tregut botëror të hidroenergjisë. PowerChina është, gjithashtu, kompania që ndërtoi hidrocentralet e mëdha të Drinit dhe ndihmoi në gjetjen e rrugëzgjidhjeve inxhinierike për ndërtimin e plotë të kaskadës së Drinit.

Pas një sërë ekspeditash në Shqipëri dy viteve të fundit, në të cilat morën pjesë 36 inxhinierë kinezë dhe disa inxhinierë vendas, dhe pas studimeve të thelluara inxhinierike në Kinë, PowerChina propozoi të hartonte falas një masterplan kombëtar për hidroenergjinë.

Gjithashtu, kompania i propozoi qeverisë:

  • Financimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës për llogari të KESH-it. Pjesë e këtij projekti ishte ndërtimi i një qendre të kontrollit elektronik të menaxhimit të kaskadës së Drinit dhe sistemit të tij elektro-energjitik, që do të rriste me 5-10 për qind prodhimin në hidorecentralet ekzistuese. Vlera e përafërt e financimit ishte llogaritur në 1 miliardë euro. Ky propozimi iu dorëzua Ministrisë së Industrisë dhe Energjisë (MIE) më 30 tetor 2014.
  • Ndërtimin e plotë të kaskadës së Vjosës me investim të përafërt në mbi 1 miliardë euro. Propozimi iu dorëzua MIE-së më 5 shkurt 2015.
  • Ristrukturimin dhe ringritjen e infrastrukturës së OSHEE-së, me një investim mbi 600 milionë euro. Propozimi iu dorëzua MEI më 30 tetor 2014.

Financimet do të ishin hua afatgjatë dhe për to nuk kërkohej garanci sovrane, pra shtetërore, por garanci mbi bazën e energjisë së prodhuar, që është metodë që ka lehtësi dhe përparësi të madhe për financimin e projekteve.

Me 10 shtator 2014, Kryeministri Rama u takua në Tianjin, me kompaninë e dytë më të madhe hidroenergjitikë në botë, GeZhouBa (www.cggc.cc), e cila ka ndërtuar hidrocentralin më të madh në botë me fuqi të instaluar 2 3000 MW (Three Gorges Dam). Me këtë kompani qeveria firmosi në vitin 2015 një memorandum mirëkuptimi për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri Ahmetaj u takuan në Paris, më 20 tetor 2014 dhe disa javë më vonë në Tiranë, me drejtuesit e NORINCO (www.norincogroup.com.cn), një nga grupet industriale më të fuqishme në Kinë. NORINCO i propozoi qeverisë shqiptare financimin e plotë të kostos së hidrocentralit të Skavicës (rreth 1 miliardë euro), si dhe disa projekte të tjera, me një kredi të butë 35 vjeçare, me 7 vjet periudhë mospagimi dhe pastaj me vetëm 2 përqind interes në vit.

Edhe pse qeveria shqiptare, pa asnjë përjashtim, në çdo rast shprehu interesimin dhe vullnetin e saj për bashkëpunimin me secilin nga këto tre gjigandë të industrisë botërore, ende sot, ajo nuk u ka kthyer asnjë përgjigje asnjërës prej tyre. Të treja kompanitë kishin harxhuar kohë, para dhe burime të tjera për të përgatitur analizat dhe propozimet e tyre. Dy prej tyre, hapën zyra përfaqësimi në Tiranë, për të lehtësuar punën e tyre përgatitore, për propozimet për qeverinë shqiptare.

Ndërsa kompanitë kineze prisnin një komunikim nga qeveria shqiptare, prodhuesi më i madh i turbinave në Gjermani, njoftoi se qeveria shqiptare i kishte premtuar konçensionin e Skavicës një bashkimi mes dy firmash turke. Askush në sektor nuk e mori seriozisht këtë lajm, pasi firma turke, pavarësisht se është një firmë serioze në sektorin e hotelerisë, është një firmë e papërfillshme në sektorin e energjisë, ku operon dy hidrocentrale të vogla me fuqi 10 MW dhe 60 MW.

Vështirësia e madhe inxhinjerike, financiare dhe social-politike e veprës hidro-energjitike të Skavicës kishte stepur disa nga kompanitë më të mëdha europiane, si ENEL, RWE, EVN, ndaj u duk e pabesueshme që kjo sipërmarrje t’i besohej një kompanie më pak se modeste në fushën e energjisë.

Pas publikimit të lajmit nga burimet e huaja, qeveria shqiptare pranoi më në fund, se vërtet kishte bashkëpunuar me firmat turke; kishte marrë propozim prej tyre dhe kishte vendosur t’u ofronte një bonus në garën që do të organizonte me këtë qëllim. Qeveria zbuloi gjithashtu, se ajo kishte hequr dorë nga vepra hidro-energjitike e Skavicës dhe kishte vendosur të ndërtonte vetëm një hidrocentral me fuqi të mesme në Katundin e Ri (pranë Skavicës).

Dikush mund të mendonte se qeveria nuk i preferoi kompanitë shtetërore kineze, për të mos rivalizuar interesat amerikane apo europiane, por kjo ka pak gjasa, pasi të paktën PowerCHina—e vetëdjshme për ndjeshmëritë e mundshme gjeostrategjike—kishte nënshkruar paraprakisht, një Marrëveshje Bashkëpunimi me dy fimat më të mëdha të ndërtimit të veprave hidro-energjitike të SHBA-së dhe Gjermanisë për projektin e Skavicës. E megjithatë, duket se kjo gjë pati efekt të kundërt, pasi një ministër i kabinetit Rama, në një akt të pabesë, për të mos u dukur vetë antiamerikan, la të kuptohej se kishte porosi të posaçme nga Kryeministri Rama për t’i mbyllur çdo mundësi përfshirjeje kompanisë amerikane.

Por, ndërsa kompanitë kineze u injoruan krejtësisht, në mbështetje të kompanive turke, gjatë gjithë kohës, ka qënë i angazhuar Ministri Ahmetaj dhe stafi i tij. Madje Ministri Ahmetaj, edhe pse në shkelje të etikës dhe ndoshta ligjit, më ka “këshilluar” t’i këshilloja kinezët të mos merreshin më me Skavicën.

Tashmë, është e qartë se linja zyrtare e qeverisë ndaj kompanive kineze ka qenë qysh në fillim një farsë mashtruese, pasi “pazaret” ishin mbullur që më parë në Stamboll.

Por ndërkohë, Kryeministri Rama—i cili është takuar 4 herë me kryeministrin kinez—i lutej atij me hipokrizi që “në emër të miqësisë së vjeter, të investonte në Shqipëri, pasi Kina e kishte Shqipërinë një kokërr orizi”; apo bënte të indinjuarin për “padrejtësinë se si Kina i kishte dhënë kaq financime Serbisë, ndërkohë që Shqipërisë motër nuk i ka dhënë asgjë”.

Politika e qeverisë Rama ka qënë krejtësisht e papërgjegjshme edhe përtej Skavicës. Qeveria coptoi edhe kaskadën e Vjosës, ndërsa hidrocentralin e Poçemit ia dha një kompanie turke me proçedure konçensioni krejtësisht sekrete. Edhe Vjosa u shndërrua në një përrua nga pikëpamja hidroenergjitike, sikurse u bë dhe me projektin e Skavicës. Qeveria neglizhoi projekte madhore e strategjike, me financim të siguruar prej më shumë se 3 miliardë euro, në favor të projekteve të vogla dhe pa rëndësi strategjike, me kosto më pak se 100 milionë euro.

Jashtë çdo teorie konspirative e klienteliste, kjo vendimmarrje shpjegohet me parimin “më mirë një vezë sot, se sa një pulë mot”. Që të bëhen të dy projektet e plota inxhinierike, në Skavicë dhe Vjosë, duhet së paku një vit dhe pastaj të paktën pesë vjet për ndërtimin e tyre. Për më tepër, këto projekte kanë më shumë kokëçarje sociale dhe politike, që mund të shtyjnë kohën e parashikuar për realizimin e tyre. Pra zgjidhja e plotë e tyre, kërkon minimalisht dy mandate qeverisëse, ndërsa skema me dy kompanitë turke mbyllet shumë shpejt.

Prandaj, është më “fitimprurese” politikisht për Kryeministrin Rama të “bathorizojë” dy potencialet më të mëdha hidrike të vendit, duke hedhur në plehra gjithë punën kolosale për dekada e breza të tërë shkencëtarësh e specialistësh të hidroenergjitikës. Interesi politik, në një periudhë kur Kryeministri Rama e ka jetike të demonstrojë se po tërheq investime të huaja, dominoi mbi interesin publik dhe kombëtar.

Në këtë mënyrë, Kaposhi i Kuq—piktura më e pëlqyer e Ramës në ekspozitën e Hong Kongut—katandisi në një thelë!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>