Në fund të vitit të 7-të të qeverisjes së tij, përkundër çdo parashikimi, Edi Rama, është më i fortë se kurrë gjatë karrierës së tij mbi 20 vjeçare në politikë.
Zërat kundër tij po vijnë gjithnjë e duke u reduktuar ose mekur. Më shumë për shkak të zënies totale të hapësirës së komunikimit publik nga media të kontrolluara prej tij (lexo) e më pak nga tentativat e vazhdueshme për të ndëshkuar ato media zëfikura që duan të japin ndonjë informacioni që dihet si i vërtetë por burimet e kufizuara të tyre nuk janë në gjendje ta faktojnë. Nëse një informacion shumë i besueshëm si i tillë bëhet publik, atëherë, rri si çekan ndëshkimi përmes “ligjit të shpifjes”.
Kjo po çon mediat te asfiksimi, vetëcensura po ua humb çdo lloj nervi. Skandali zë skandalin, një i tillë ekonomik mbytet me një tjetër politik e ky i fundit mbytet me megafonin, forcën dhunuese të fjalës përkundrejt argumentit që e merr lumi.
Zërat më përfaqësues kundërshtues, të mbërthyer në qerthullin e pafuqisë, mungesës së hapësirës komunikuese, përpiqen të thonë fjalën e tyre nëpër emisione televizive por janë të dekurajuar kryesisht nga mungesa e besimit te kundërshtarët e Kryeministrit, Opozita. Mosbesimi te Opozita sjell shuarjen e Opozitarizmit që është një koncept më i gjerë sesa Opozita…
Por shuarja e opozitarizmit është kalbje e demokracisë. Një demokraci pa opozitarizëm nuk është një demokraci hibride (siç e klasifikojnë Shqipërinë ndërkombëtarët) por është autokraci, një formë qeverisjeje ku vendi udhëhiqet nga një njeri me fuqi të pakufizuara.
Nuk ka shembull më domethënës për të ilustruar fuqinë e njëshit në Shqipëri sesa poshtërimi i famshëm, publik, i Erion Velisë (numrit 2 në listën e Rilindjes) me rastin e vizitës në shtëpinë e një të mbijetuari nga tërmeti: “Do vish sot në 4 të mëngjesit e të lyesh shkallët personalisht ti”! (lexo)
Dhuna verbale kryeministrore e përdorur më parë ndaj medias, Opozitës, Parlamentit (në përgjithësi kundërshtarëve politikë) duhej të shkonte te Veliaj për të dhënë mesazhin zeusian: “Nuk ka numër dy këtu. Jam unë, jeni dhe ju të tjerët”!
Po si ta shpëtojmë Opozitarizmin?
Opozitarizmi fillon meOpozitën. Shpresa për ndryshim lind nga një Opozitë së pari demokratrike, konstruktive, argumentuese, e iluminuar. Por mbi të gjitha bëhet me një Opozitë largpamëse, që merr veprime të cilave ua sheh fundin. Jo improvizime, veprime frikacake, nisma për të thënë që ja, ne e bëmë.
Për të dhënë një dritë në fund të tunelit, Partia Demokratike duhet të bëjë disa veprime që i duhen për të rifituar besimin e humbur.
1— Të deklarojë sa më parë lidhjen mes humbjes së zgjedhjeve dhe ndryshimit të liderit të Partisë. Një lider që thotë “Do ik nëse nuk fitoj” tregon se ka besim në fitore. Përkundrazi,ai që e shmang atë pyetje, tregon frikë dhe dekurajon militantët.
2 —Përdorimi si duhet i aleancave. PD asnjëherë nuk ka qenë forca e parë politike (përveç ndoshta më ’92). Por, në sajë të aleancave shumë të gjera, ka arritur të tërheqë votën “neutrale” ose “kundër PS” dhe të qeverisë vendin 13 vite prej 28 vite demokraci (pothuaj gjysmën e kohës). Fjala vjen, më 2009, PD kishte 610 mijë votues e PS 620 mijë por Qeveria i takoi PD-së në sajë të koalicioneve. 102 mijë vota i morën aleatët e PD-së(që nga republikanët e deri te legalistët) dhe vetëm 68 mijë aleatët e PS-së.
Shkojmë më tej, në 2013-ën, në vitin më të keq të votave për PD-në (528 mijë vota) u arrit që në sajë të koalicionit të shkohet deri në 680 mijë vota(162 mijë i morën aleatët e PD-së). E në rast se LSI, atë kohë, nuk do të shkonte në koalicion me PS-në, votat e koalicionit të PD+LSI shkonin 860 mijë ndërsa ato të PS në 816 mijë çka do ia bënte të pamundur qeverisjen Partisë Socialiste edhe në ditën më të mirë të saj.
Aftësia për të ndërtuar koalicione të gjera ishte ndoshta cilësia më e mirë e Sali Berishës në politikë.
Ndërsa Kryetari i PD-së së sotme, duke u dhënë garanci kryetarëve aleatë (përmes renditjes lart në listat e PD-së) ua ka hequr fare nervin konkurues këtyre partive. Duhet gjetur skema (për mua sistemi i listave të hapura është i duhuri) që këta aleatë të ndjehen të kërcënuar nëse nuk sjellin vota në hambarin e Opozitës. Për të dhënë një shembull sesi ky sistem elektoral po i zhduk partitë e vogla po marr Partinë Republikane. Fatmir Mediu solli në hambarin e Opozitës 31,990 vota në 2009-ën, 52 mijë në 2013-ën. Por çfarë ndodhi në 2017-ën? I futur lart në listat e PD-së, atij i ra interesi për të maksimizuar votën e cila ra në 3200 vota. 17 herë më pak se në 2013-ën! Kjo ishte për të dhënë një shembull sesi nuk duhen nënvleftësuar aleatët duke u dhënë një ulëse dhe mpakur ambicien. Një mënyrë tjetër është për të ulur pragun elektoral në 3% dhe pjesëmarrjes së tyre si koalicion më vete.
3 — Hapja e Partisë ndaj kritikëve, zërave që mendojnë ndryshe dhe deklarojnë mendimet ndryshe, krijimin e disa poleve të mendimit. Një Parti me shumë zëra është një familje që të bën të hysh brenda pasi, sheh edhe ti prespektivën për të folur e dëgjuar pa u përjashtuar. Gjithashtu, një zë i artikuluar kundër, duke qenë jashtë Partisë mban larg saj edhe shumë votues të tjerë, potencialë që dekurajohen. Hapja e Partisë Demokratike duhet të bëhet edhe ndaj ish-ëve, por sidomos ndaj kapaciteteve akademike, të rinjve të shkolluar jashtë, fytyrave të reja.
4 — Pjesëmarrja me kapacitete maksimale në debatin publik, promovimi i të gjitha kapacitetve intelektuale dhe jo skifterëve medialë. Zëri i arsyes duhet të jetë ai më përfaqësuesi, sa më shumë njerëz që dijnë të dëgjojnë së pari e pastaj të flasin.
5 — Promovimi i qeverisë hije duke deklaruar emrat me të cilët do qeverisë PD-ja në rast se vjen në pushtet. Një ndër dyshimet më të mëdha të njerëzve neutralë është cilësia e njerëzve me të cilët Opozita mund të qeverisë. Vizioni është një gjë dhe njerëzit që do të zbatojnë një program të caktuar një gjë tjetër.
Mund të numëroja me dhjetëra arsye të tjera por ato dilnin jashtë mundësive të një shkrimi. Këto që thashë më lart janë disa sugjerime, shpresoj të dobishme nëse bien në veshin e duhur.
The post Si të shpëtojmë Opozitarizmin shqiptar nga tentakulat e Oktapodit appeared first on https://www.gazetaexpress.com/si-te-shpetojme-opozitarizmin-shqiptar-nga-tentakulat-e-oktapodit/