Hidrocentrali i Poçemit: si qeveria Rama zbatoi planet e qeverisë Berisha – Exit shpjegon

Hidrocentrali i Poçemit: si qeveria Rama zbatoi planet e qeverisë Berisha – Exit shpjegon

Ministria e Energjisë dhe Industrisë lajmëroi dhënien me koncesion 35 vjeçar të ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në Luginën e Vjosës.

Koncesionari është një bashkim i dy kompanive turke pa përvojë në fushën e energjisë dhe me kapacitete modeste.

Ky vendim është marrë përkundër kundërshtive dhe kritikave të forta publike për shkak të ndikimit negativ që ndërtimi i hidrocentralit do të ketë në Luginën e Vjosës, një nga pasuritë më të mëdha natyrore të vendit.

Më poshtë po japim në mënyrë kronologjike rrjedhjen e ngjarjeve deri në këtë vendim të fundit të qeverisë Rama.

  • Në vitin 2013, Kryeministri Berisha vendosi që në luginën e Lumit Vjosa të ndërtohen një sërë hidrocentralesh, mes të cilëve ai i Poçemit.
  • Ky vendim ngjalli kritika të menjëhershme duke qenë se lugina e Vjosës konsiderohet një pasuri e rëndësishme natyrore dhe kulturore e vendit, e cila do të shkatërrohej nga ndërtimi i hidrocentraleve.
  • Zoti Edi Rama, në atë kohë kreu i opozitës, i kundërshtoi me forcë planet e qeverisë Berisha.
  • Komisioni Evropian, në raportin për Shqipërinë të vitit 2013, shprehu hapur kundërshtitë për ndërtimin e hidrocentrale në Luginën e Vjosës dhe rekomandoi kthimin e luginës në një park të madh natyror.
  • Humbja e zgjedhjeve nga Zoti Berisha ndaloi përkohësisht zbatimin e planeve të qeverisë së tij për ndërtimin e hidrocentraleve.
  • Gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2015, Kryeministri Rama deklaroi në Tepelenë se “do të transformonte luginën e Vjosës në një park kombëtar, nuk do të lejonte shkatërrimin e saj nga hidrocentralet dhe do të zhvillonte turizmin dhe bujqësinë në parkun e madh të Vjosës.”
  • Një muaj më vonë, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, Këshilli i Ministrave miratoi pranimin e një kërkese të pa kërkuar nga një firmë turke, Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti, për të marrë me koncesion ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentralit të Poçemit.
  • Kompania Çinar është një kompani e vogël turke me përvojë vetëm në gërmime dheu dhe transporte inertesh dhe pa asnjë asnjë përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të hidrocentraleve, apo të energjisë në përgjithësi.
  • Vendimi i Këshillit të Ministrave për fillimin e procedurave për ndërtimin e hidrocentralit ngjalli reagime nga qytetarët e grupet mjedisore, të cilët protestuan kundër qeverisë duke kërkuar anullimin e çdo plani ndërtimor në Luginën e Vjosës.
  • Pavarësisht, reagimeve publike qeveria vendosi vazhdimin e planeve të saj. Në shkurt 2016, Agjencia e Prokurimit Publik shpalli garën për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit me koncesion 35 vjeçar, duke i dhënë kompanisë Çinar një bonus prej 8 përqind të pikëve.
  • Në garë u prezantua vetëm Çinar në konsorcoum me kompaninë Ayen Enerji Anonim Şirketi —kompani e mesme me aktivitet në fushën e energjisë në Turqi.
  • Në prill 2016, Parlamenti Evropian, në rezolutën për Shqipërinë, i kërkonte sërish qeverisë të tërhiqej nga planet për hidrocentrale në Luginën e Vjosës dhe të investonte për ta kthyer luginën në një park të mbrojtur kombëtar.
  • Ekspertët e mjedisit pranë Parlamentit Evropian deklaruan se ndërtimet e hidrocentraleve në lumin e Vjosës, nëse do të bëhen, janë të paligjshme. Qeveria nuk ka bërë studimet dhe vlerësimet e thelluara të ndikimit në mjedis siç parashikohet në ligj, si dhe nuk ka përfshirë qytetarët në procesin e vendimmarrjes të parashikuar në konventat ndërkombëtare.
  • Më datë 3 maj 2016, Ministria e Energjisë dhe Industrisë lajmëroi se fituesi për marrjen me koncesion 35 vjeçar të hidrocentralit të Poçemit është bashkimi i dy kompanive turke.
  • Përfitimet ekonomike apo sociale të projektit nuk janë bërë asnjëherë publike nga qeveria, pasi çdo procedurë është bërë në mënyrë jotransparente.

Artikuj të bashkëlidhur:

Kryeministri përqafon “barbarizmin” që u betua se do luftonte

Parlamenti Europian kundër ndërtimit të hidrocentraleve në Vjosë

Krimi kundër Valbonës dhe thesareve të tjera të natyrës

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>