Bashkimi Europian prezantoi dje metodologjinë e re që BE do të ndjekë për integrimin e vendeve të reja.
Gjatë prezantimin, Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Olivér Várhelyi theksoi se në vëzhgimin e vendeve kandidate do t’i jepet rëndësi të veçantë zbatimit të ligjit dhe zhvillimit të ekonomisë.
Exit News sjell më poshtë reagimet e politikanëve për metodologjinë e re:
Kryeministri Edi Rama:
“Është bërë progres edhe në bazë të metodologjisë së re disa argumente janë të mira.
Edhe pse mund ta kishim pasur më të lehtë pa këto argumente, por tani është bërë më e drejtë dhe parashikueshme për të gjithë, pasi po bëhej makth dhe skizofrenike.
Këshilli gjithmonë e më tepër mbeti peng e dinamikave të brendshme të vendeve të tyre.”
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca
“Propozimi i Komisionit Evropian për një metodologji të rishikuar për procesin e pranimit në BE është një lajm i mirë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Ajo drejton anëtarësimin në BE përpara, dhe gjithashtu do të përmirësojë dhe inkurajojë shpërndarjen e reformave. 2020 është një vit kyç për Shqipërinë.”
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla:
“Komisioni Europian, përmes Metodologjisë së re të Zgjerimit, na ofroi ne vendeve të Ballkanit Perëndimor një plan të besueshëm dhe të bazuar në meritën individuale të seicilit prej gjashtë vendeve tona.
Komisioni Europian rikonfirmoi sot vlerësimin e qartë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për të filluar menjëherë bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Europian.”
Ish-kryetari i Komisionit të Integrimit Genc Pollo:
“Dy gjëra më lanë mbresë të veçantë:
E para fokusi i tij e i metodologjisë së re tek zbatimi në praktikë i shtetit ligjor.
Së dyti tek përpjekja e tij gjatë vizitës në Tiranë e Shkup për të kuptuar rrënjët e problemeve që pengojnë integrimin evropian.
Diçka e re dhe jashtëzakonisht pozitive.”