Më 14 shtator, rinisi punën Këshilli Politik, i cili do të reflektojë ndyshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor.
PD dhe LSI, në mbledhjen e fundit pranuan të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Politik, por kërkuan ekspertizen e OSBE-së për ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Kuvendi më 30 korrik.
Këshilli politik është një mekanizëm i propozuar nga opozita (PD dhe LSI), i mbështetur nga ndërkombëtarët dhe i pranuar nga PS për të hartuar një reformë zgjedhore të dakordësuar përpara zgjedhjeve të 2021.
Por, si u krijua Këshilli Politik? Exit News sjell më poshtë një kronologji të të gjithë veprimeve që çuan në krijimin e tij.
Më 18 shtator 2019, Prezenca e OSBE-së dhe Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore ftoi opozitën të marrë pjesë në një konferencë për reformën zgjedhore të titulluar “Të mohuar nga sistemi: Ndërtimi i një sistemi gjithëpërfshirës për të mbrojtur demokracinë”.
Më 24 shtator, PD pranoi ftesën dhe mori pjesë në konferencën e mbajtur më 25 shtator në Pallatin e Kongreseve—në emër të opozitës morën pjesë Ivi Kaso, Sekretari për Zgjedhet në PD; Muharrem Caka, përfaqësuesi ligjor i LSI-së në KQZ dhe Arjan Madhi Nënkryetari i Partisë Republikane.
Pjesmarrja e opozitës në konferencë u përshendet nga ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim.
Në konferencë, në emër të opozitës, Ivi Kaso propozoi ngritjen e një strukture të veçantë për hartimin e reformës zgjedhore, me argumentin se komisioni parlamentar i drejtuar nga Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari nuk ishte legjitim:
“[Reformën nuk mund ta kryejë] asnjë komision që ka në drejtim persona që duhet të ishin në burg nuk ka legjitimitet dhe persona që nuk përfaqësojnë opozitën.”
Si zgjidhje, opozita propozoi që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar, OSBE-ODIHR-it, BE-së, SHBA-ve, një përfaqësues të Kuvendit dhe një përfaqësues të opozitës së bashkuar.
Kaso u shpreh se propozimet e dakordësuara nga kjo strukturë duhet t’i “nënshtroheshin konsultimit me publikun nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve dhe të miratohen pa ndryshime”.
Në 1 tetor 2019, Kryeministri Rama në një intervistë për Repolitix, pranoi të ulet në tryezë me opozitën për reformën zgjedhore:
“Kush dëshiron që të më ketë edhe mua në tavolinë jam gati, kudo, edhe në selinë e PD-së nëse zhvillohet takimi unë shkoj, nuk e kam problem. Nuk është çështje vendi, formati, apo imponimi të axhendës, nëse ata janë rehat me orën që vazhdon të bjerë 12, është puna e tyre, ora ime vrapon”.
Më 2 tetor 2019, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha njoftoi se opozita e bashkuar është gati të jetë pjesë e diskutimeve për reformën zgjedhore.
Pas një takimi me aleatët opozitarë, Basha tha se opozita i ka dorëzuar kryeministrit Rama një ‘plan për reformën zgjedhore’, pjesë e të cilit ishte edhe ngritja e një strukture të jashtme për reformën zgjedhore me pjesmarrjen edhe të përfaqësuesve nërkombëtarë.
Më 3 tetor, në një dalje për mediat, Basha tha:
“Plani është mbi tavolinë, ta marrë, ta zbatojë, jo për qejfin tim e të PD-së, por për hir të qytetarëve shqiptarë, ta zbatojë, ose të hapë krahun.”
Më 9 tetor, aktivistë civilë i paraqitën komisionit të posaçëm parlamentar propozimet e tyre për reformën zgjedhore, përfshi hapjen e listave.
Po më 9 tetor, bashkëkryetari i komisionit parlamentar Damian Gjiknuri ftoi përfaqësuesin e PD-së Ivi Kaso të marrë pjesë në mbledhjen e komisionit të parashikuar për të nesërmen.
Por PD vendosi të mos marrë pjesë në mbledhjen e komisionit. Gjiknuri u shpreh për mediat:
“Meqë nuk e kemi PD-në dhe ata nuk morën pjesë, do i diskutojmë në një tavolinë më të gjerë, meqë nuk ishin aty, dhe çdo rekomandim do të diskutohet përtej këtij komisioni.”
Më 14 tetor, ambasadori i OASBBochard në një intervistë për Mimoza Picarin shprehu gadishmërinë për të ndihmuar në organizimin e takimeve të punës për reformën zgjedhore, sipas kërkesës së PD-së:
“Ne jemi më se të gatshëm t’i organizojmë këto takime pune. Nuk mund të flas në emër të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo të Bashkimit Evropian, por besoj se edhe ata do të ishin të gatshëm të kontribuonin në këtë debat.”
Më 18 tetor, në një diskutim me gazetarët, kryetari i PD-së Basha theksoi sërisht rëndësinë e përfshirjes së ndërkombëtarëve në procesin e reformës:
“Mekanizmi të përfshijë tre faktorë, opozitën e bashkuar, ata që kanë çelësat e qeverisjes dhe faktorin ndërkombëtar, jo si drejtues por me ekspertizën […] për të dëshmuar vullnetin e palëve për të çuar para procesin”.
Ndërkohë PD krijoi grup pune për hartimin e drafteve paralele të reformës zgjedhore.
Më 24 tetor, pas përfudnimit të mbledhjes së komisionit parlamentar, Gjiknuri u shpreh për mediat:
“Unë jam i gëzuar që PD-ja po e merr seriozisht çështjen e reformës zgjedhore. Pavarësisht se nuk e njohin komisionin, ne nuk na pengon të krijojmë çdo lloj mënyre komunikimi për [të mundësuar që] propozimet që ata kanë të përfshihen si punë e komisionit të reformës zgjedhore.”
Më 5 nëntor, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore kreu një dëgjesë me shoqërinë civile mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Më 19 nëntor, PD dorëzoi disa nga propozimet e saj për financimine partive në një tryezë teknike të organizuar nga Delegacioni i BE-së dhe Instituti Demokratik Amerikan (NDI).
Më 20 nëntor, Partia Popullore Europiane, familja politike e PD-së, këshilloi partitë politike shqiptare që të tejkalojnë krizën politike me “një dialog gjithëpërfshirës dhe një reformë elektorale që do hapë rrugën për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Më 7 janar, Nisma Thurje i dorëzoi bashkëkryetares së komisionit Rudina Hajdari dhe Deputetit Ralf Gjoni një peticion të firmosur nga 50 mijë qytarë ku këkrohet kalimi në sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista të hapura.
Më 8 janar, PD-ja dhe LSI-ja dalën me një qendrim zyrtar ku kërkojnë ngritjen e një komisioni për reformën në përbërje të së cilit duhet të jenë përfaqësuesë të OSBE-së, BE-së, dhe SHBA-ve.
Më 14 janar u firos marrëveshja për ngritjen e Këshillit Politik, të përbërë nga dy bashkëkryetarët e komisonit parlamentar Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari, respektivisht përfaqësues të shumicës dhe opozitës parlamentare; si dhe nga Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare, respektivisht PD-së dhe LSI-së.