Edmond Bego, trafikanti shqiptar i arrestuar të shtunën nga policia greke, ka përfituar nga një vendim i Gjykatës së Lartë në 2010-ën, për të kryer shumë më pak vite burg nga sa ishte dënuar në Itali.
48-vjeçari, i cili përdorte katër emra të ndryshëm dhe njihet si njëriu më i afërt i Aldo Bares, u arrestua në Tiranë në vitin 2009, për llogari të Italisë. Edmond Bego ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Torinos me 21 vjet burg, si drejtues i organizatës ndërkombëtare të trafikut të drogës, bashkë me Aldo Baren.
Në shtator 2010, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga Gazi Dizdari, kryetar, dhe anëtarë: Fatos Lulo, Besnik Imeraj, Andi Çeliku e Majlinda Andrea, vendosën të ulnin dënimin e gjykatës italiane për Begon, nga 21 vite burg në 4 vite e 4 muaj.
Dy prej anëtarëve të këtij kolegji, Gani Dizdari e Fatos Lulo u shkarkuan nga KPK në kuadër të procesit të vetingut, Besnik Imeraj u dorëhoq për t’i shpëtuar procesit të vetingut, ndërsa Majlinda Andrea u dënua në 2017-ën për marrje rryshfeti për një gjyq pronësie.
Si u ul dënimi i Begos nga 21 vjet në vetëm 4 vjet e 4 muaj burg?
Sipas vendimit të 2010-ës, gjyqtarët, në vetëm një seancë, kanë vendosur:
– të pranojnë vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë për të njohur vendimin e gjykatës së Apelit në Torino, e cila e dënonte me 21 vjet burg Begon;
– të ulin në 11 vite burgim dënimin e Begos;
– të zbatojnë nenin 406 për gjykimin e shkurtuar të Kodit të Procedurës Penale, nen që parashikon uljen e dënimit me një të tretën; pra dënimi u bë 7 vjet e katër muaj burg;
– të aplikojnë ligjin italian për Aministinë e Përgjithshme, ligj që i zbret tre vite të tjera burgim Begos dhe e lë atë me vetëm 4 vjet e 4 muaj burg dënim.
Sipas gazetës Panorama, Edmond Bego ka bërë në të vërtetë shumë më pak burg, pasi koha që Bego kaloi në paraburgim është konvertuar sipas përllogaritjes ‘një ditë paraburgim=1,5 ditë burgim’. Kjo ka lejuar që trafikanti Bego të dalë shumë shpejt nga burgu.
Duket se dhe pas daljes nga burgu Bego ka vijuar veprimtarinë kriminale pasi ka qenë sërish në kërkim nga Italia.Sipas policisë greke të Igumenicës, Edmond Bego është arrestuar për llogari të Italisë pasi në system figuronte si person në kërkim, me akuzën “anëtar i një organizate kriminale që trafikon lëndë narkotike.” Më shumë detaje rreth kësaj çëshjeje pritet të mësohen në ditët në vijim.