Sigurimi 10-vjeçar i ndërtesave jo për fatkeqësitë natyrore, për defektet në ndërtim

Sigurimi 10-vjeçar i ndërtesave jo për fatkeqësitë natyrore, për defektet në ndërtim

Vendimi i qeverisë për të detyruar ndërtuesit të sigurojnë për 10-vite ndërtesat përpara shitjes nuk ka për arsye kryesore minimizimin e kostove në rast fatkeqësish natyrore. Sigurimi do të mbulojë defektet në ndërtim ndërsa kostoja do t’u faturohet blerësve.

Sigurimi 10-vjeçar u vendos ditën e djeshme dhe u propagandua nga qeveria si zgjidhje për të ulur barrën e shtetit në rastet e tërmeteve, por duke shqyrtuar VKM-ën rezulton se ajo nuk parashikon asgjë për rastet e ngjashme me ato që sollën tërmetet e 21-22 shtatorit.

VKM-ja flet vetëm për “defekte të ndërtimit ose të tokës”. Pika 2 thotë:

2.Kjo kontratë sigurimi mbulon dëmet e ndërtesës, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë, përfshirë dëmet ndaj të tretëve, që rrjedhin kur, për shkak të tokës ose për defekt të ndërtimit, ndërtimi shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të rënda.

Pra në rastet kur një tërmet mund të shembë një ndërtesë, edhe pse mund të jetë e siguruar sipas ligjit me kontratë 10-vjeçare, mund të ndodhë që kompania të mos japë dëmshpërblim për shkak se kontrata mbulon vetëm “defektet e ndërtimit, apo tokës”.

Nga ana tjetër vendosja e sigurimit 10-vjeçar, pritet të rrisë edhe më tej çmimin e apartamenteve, pasi ndërtuesit do t’ia faturojnë kostot shtesë blerësve.

Në VKM thuhet se kur ndërtuesi do të lidhë kontratë shitjeje me një blerës duhet të paraqesë kontratë sigurimi 10-vjeçar “me efekt nga data e përfundimit të punimeve”, në rast të kundërt kalimi i pronës nuk noterizohet dhe as hipotekohet.

Tarifa vjetore e primit, ose policës së sigurimit, është përcaktuar “të mos jetë më e ulët se 0.1 për qind të shumës së shitjes”.

Kjo do të thotë se për një apartament me vlerë 100,000 euro, kontrata e sigurimit do të jetë minimalisht 1,000 euro (100,000 x 0.001=100 euro/vit; 100 x 10 vite =1000 euro).

Pas këtij vendimi asgjë nuk ndryshon, vetëm sa rriten kostot për një garanci që duhet ta merrte përsipër vetë ndërtuesi. Mbetet e paqartë se çfarë do të bëhet me ndërtesat ekzistuese dhe si do t’i nxisë qytetarët qeveria për të zhvilluar kulturën e sigurimit të pronës së paluajtshme për rastet e fatkeqësive natyrore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>