Puna vret: jetët që po shkatërron mungesa e sigurimit teknik në punë

Nga Klodjan Beqollari
Puna vret: jetët që po shkatërron mungesa e sigurimit teknik në punë

Ka kaq vite dhe pothuajse tema e sigurimit teknik në punë vetëm sa përmendet, por kurrë nuk është marrë seriozisht nga autoritetet përkatëse apo nga vetë punëdhënësit shqiptar.

Nga të dhënat në vite, në Shqipëri ka shumë aksidente vdekjeprurëse ose me pasoja për shëndetin të ndodhura në fushën e ndërtimit.

Nëse ju kujtohet para disa viteve rasti me tragjik ka ndodhur në zemër të Tiranës në restaurimin e International Hotel of Tirana ose “15 Katëshit” siç e quajnë ndryshe, apo gjatë rikonstruktimit të Shkollës së Mesme Profesionale në Tiranë te Qyteti i Nxënësve, ku humbën jetën dy të rinj që sipas pronarëve dhe institucioneve shtetërore, të ndjerët sapo kishin filluar punën, e plot justifikime të tjera në mbrojtje të bizneseve. Nëpër vepra energjetike ka patur disa të vdekur nga aksidentet në punë, ndërsa ndër vite nëpër miniera kanë humbur jetën tragjikisht sa e sa persona për mungesë të kushteve të sigurisë të punës.

Rasti më i fundit ishte gjatë ndërtimit të Lungomares në Vlorë, ku sinjalistika dhe menaxhimi i trafikut pothuajse mungonte dhe i mori jetën një të riu.

Shteti vetëm sa u heq liçensat e ushtrimit të aktivitetit në fushën e ndërtimit këtyre firmave që nuk përmbushin standartet e sigurisë teknike ose proçedon penalisht inxhinierin zbatues apo ndonjë tjetër, por punimet vazhojnë dhe përveç emrit të ri të firmës apo ndërrimit të pronësisë ndërmjet familjarëve, asgjë nuk ndryshon.

Në kulturën e të punuarit në Shqipëri mjafton që punëtori të firmosë njëherë në muaj pa vetëdije për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik , proçedurë që ndiqet nga inxhinieri i zbatimit të punimeve, mjafton që të kenë me vete kaskat mbrojtëse dhe t’i vënë vetëm kur vjen për kontroll ndonjë përfaqësues i institucioneve shtetërore.

Në vendet e zhvilluara siguria e jetës së njeriut është çështje themelore. Çdo firmë ndërtimi ka departament të mbrojtjes së ambjentit, shëndetit të punëtorëve dhe zbatimit të rregullave të sigurimit teknik në punë ( ndryshe  “Department of HSE”). Është një strukturë e pavarur dhe ka për detyrë të kontrollojë terrenin në çdo moment që punohet, të monitorojë punëtorët dhe stafin drejtues, tu kërkojë llogari në zbatimin e rregullave të sigurimit teknik në punë, të ndalojë punimet derisa kushtet të përmirësohen dhe mos të ketë asnjë rrezikshmëri për jetën e punëtorëve, etj.

Punëtorët para se të hyjnë në kantjerin e ndërtimit apo çfarëdo aktiviteti pune, duhet të familjarizohen me rregullat e sigurimit teknik në punë, me rregullat e sjelljes në punë , duhet të dinë rreziqet e punës dhe mënyrën e evitimit të tyre duke e marrë seriozisht dokumentin e vlerësimit të rrezikshmërisë.

Pa asnjë tolerim, të gjithë që hyjnë në kantjer ndërtimi duhet të veshin kaskën mbrojtëse, jelekun fosforeshent, syzet mbrojtëse, dorezat  dhe këpucët e sigurisë dhe duhet të trajnohen mbi rregullat bazë të sigurimit teknik në punë. Në varësi të punës, gjithkush që punon mbi një lartësi të caktuar duhet të vesh rripin e sigurimit trupor dhe ta fiksojë në pika të forta ankorimi ose në litarë sigurie për punë,etj.

Ajo që është dhe më shqetësuese është përdorimi i skelave jashtë standarteve. Në Shqipëri shumica e firmave të ndërtimit nuk përdorin skela të çertifikuara dhe me standarte, por vazhdojnë të përdorin skela të nxjerra jashtë perdorimit nga vendet e Bashkimit Europian.

Në pjesën më të madhe të firmave dhe sipërmarrjeve private, por edhe shtetërore, përfshirë dhe ato kompani që kanë inxhinierë të sigurisë teknike në punë, zbatimi me përpikmëri i rregullave të Sigurimit Teknik Në Punë lë shumë për të dëshiruar.

Punëdhënësit normalisht nuk i intereson të shpenzojë para ekstra për përmirësimin e kushteve të punës si dhe përdorimin e rregullt të Pajisjeve Personale Mbrojtëse nga çdo punëtor.  Një rrip sigurimi kushton rreth 100 dollarë , nje palë këpucë sigurie tipi S3 rreth 30 dollarë mesatarja, etj. Kush do donte të blinte për të gjithë punëtorët pajisje cilësore dhe me standarte, apo skela të reja që janë shumë të kushtueshme.

Fatkeqësia më e madhe është se vetë punëtorët nuk janë të ndërgjegjshëm për rrezikshmërinë e punës, nuk e marrin fare seriozisht  jetën e tyre. Kjo vjen dhe nga gjendja e vështirë ekonomike në të cilën ata ndodhen. Në mes tyre mund të ketë dhe të tillë që nuk u paguhen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

Për të gjitha këto probleme ka përgjegjësi edhe shteti shqiptar, instuticionet përkatëse. Mungojnë disa rregullore më specifike, instruktimet përkatëse, ligjet aktuale ndonjëherë jane jo të përshtatshme dhe praktike, thjesht përkthime.

Por sërish institucionet përkatëse nëse do bënin punën sipas ligjeve në fuqi dhe do zbatonin me përpikmëri çdo nen dhe pikë të këtyre ligjeve apo rregulloreve aktuale, asnjë punëdhënës nuk do guxonte t’i shkelte rregullat e sigurimit teknik në punë, asnjë punëtor nuk do guxonte t’i nënvlerësonte këto rregulla dhe për pasojë numri i aksidenteve në punë do reduktohej shumë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>