Fatmir Xhafaj do të jetë ministri i ri i Brendshëm i Shqipërisë. Në pritje të dekretit të Presidentit të Republikës, “Ylli” i reformës në drejtësi ka ngjallur interes për foton që qarkullon prej kohësh me ish-dikatatorin, Enver Hoxha.
Si një nxënës i shkëlqyer dhe me biografi të mirë për kohën kur është bërë foto, ministri i ri i brendshëm është shfaqur në rininë e hershme në podiumin më të lartë të sistemit diktatorial, ndoshta dhe për shkak të moshës, kjo nuk ka qenë as një zgjedhje personale. Por foto padyshim që e ka ndihmuar edhe gjatë kohës së shkollimit të tij si jurist, si shumë të rinj të asaj periudhe që shfrytëzonin mundësitë për t’u arsimuar.
Sikundër edhe emërimi i tij si hetues në fillim të viteve ’80 është diçka që ka lënë gjurmë në formimin e tij si jurist. Jo çdokush emërohej në poste kaq delikate dhe të rëndësisme të sistemit diktatorial.
Opinion.al ka siguruar faksimile të një prej vendimeve që Fatmir Xhafaj ka dhënë ndërkohë që ushtronte funksionin e prokurorit në qytetin e Krujës. Në letrat e siguruara, shihet qartas hetimi që ka nisur për një shitëse pas një kontrolli ku janë vërejtur abuzime financiare. Pa folur për shifrat dhe nisjen e hetimit me firmën e Xhafajt në vitin e largët 1985, kjo çështje pa dyshim do t’a çonte shtetasen në fjalë në burg dhe me këtë rast jeta e saj dhe e familjarëve do të shndërrohej në skëterrë. Shumëkush mund të pretendojë se i tillë ishte ai sistem, se vjedhja dënohet kudo dhe se Fatmir Xhafaj nuk ka bërë asgjë tjetër veç detyrës. Por po t’i shqyrtosh me radhë faktet, diçka nuk shkon.
Së pari, Fatmir Xhafaj ka qenë prokuror në vitet e fundit të regjimit, atëherë kur pas vdekjes së diktatorit u duk se gjërat po zbuteshin disi. Por askush deri më sot, as ai vetë nuk ka dalë të deklarojë publikisht a ka hetuar politikisht njerëz, a ka marrë vendime që mund të kenë çuar njerëz në burg apo internim.
Faksimilet e siguruara, sot nga ne, janë vetëm një pjesë e shumë vendimeve apo hetimeve që Zoti Xhafaj ka bërë gjatë kohës që ka qenë hetues në Krujë. Është detyrë e medias të hetojë më tej, por kryesisht e ministrit të ri, njëkohësisht edhe e kryetarit të komisionit të ligjeve që të na shpjegojë deri kur dhe ku i ka ushtruar kompetencat e tij në diktaturë.
Së dyti, Fatmir Xhafa mund të jetë padyshim një jurist i zoti. Këtë unë nuk mund ta gjykoj lehtësisht, edhe pse reforma në drejtësi që ai udhëhoqi po rezulton e dështuar në çdo hallkë të saj. Në fakt, kjo nuk është një surprizë për ata që kanë ndjekur nga afër reformën në drejtësi, ku spikaste kundërshtimi i fortë i Fatmir Xhafës për të gjetur konsensus si me opozitën edhe me aleatin e vet, LSI-në, pa votat e të cilës reforma nuk do të ekzistonte.
Sot, LSI, duket të jetë më e pakënaqur edhe se vetë PD-ja për këtë emërim, pasi në disa raste ajo e ka bërë përgjegjës publikisht Fatmir Xhafën për nene të hartuara në fshehtësi dhe pa miratimin e anëtarëve të komisionit.
Por, as kjo nuk mund ta penalizojë Fatmir Xhafën që të kryejë detyrën e tij si ministër. Madje as dosja e shumëpërfolur e të vëllait, procesi gjyqësor nga të cilit vijon prej shumë kohësh në Itali si anëtar i një bande ndërkombëtare për trafik të lëndëve narkotike.
As dyshimi se një dosje e gjykimit të vëllait të ministrit të ri është “zhdukur” nga Gjykata e Vlorës nuk mund ta penalizojë Fatmir Xhafën më shumë se shërbimi i tij si ish hetues i kohës së komunizmit.
Vetëm një gjë do t’a legjitimonte atij drejtimin në Ministrinë e Brendshme: ndjesa publike për të kaluarën e hetuesit Fatmir Xhafa! Fatkeqësisht një pendesë të tillë nuk e kemi parë. Përkundrazi! Ministri i emëruar tek Punët e Brendshme e ka fshehur në CV-në e tij këtë fazë të karrierës dhe, njësoj si kryeministri, ka votuar propozimin e opozitës që reforma në drejtësi të përjashtojë nga sistemi hetuesit e diktaturës dhe njerëzit e Sigurimit të Shtetit.
A është e drejtë që kjo të quhet hipokrizi? Besoj se po. Sepse ishte Partia Socialiste ajo që ankimoi në Gjykatën Kushtetuese ligjin e lustracionit të qeverisë së PD-së. Një ligj që nëse do të pranohej nga Gjykata Kushtetuese, do të nxirrte menjëherë jashtë sistemit jo vetëm gjykatësit dhe prokurorët me vendime politike në regjimin komunist, por edhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, drejtuesit e lartë të diktaturës apo hetuesit, që sot, kanë veshur kostumin e politikanit të reformuar. Me gjasë, vetë Fatmir Xhafën.
Ndërkohë që ndjeshmëritë e atyre që janë vrarë dhe përsekutuar në diktaturën komuniste mbeten në dorën e presidentit Nishani, nëse do ta dekretojë apo jo emërimin e hetuesit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të diktaturës në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme të një vendi anëtar të NATO-s.